Papa: Kardinali Amato kreu një shërbim bujar për Ungjillin dhe Kishën
R.SH. / Vatikan
“Ai e shkriu gjithë jetën me delikatesë dhe bujari njerëzore për Ungjillin e për Kishën”: kështu e kujtoi Papa Françesku kardinalin salezian Angelo Amato, i cili u nda nga jeta pardje, në një telegram drejtuar vikarit të rektorit të madh të Shoqërisë së Shën Françesku i Sales, Don Stefano Martoglio. Duke theksuar afërsinë me institutin fetar dhe me familjarët e "kardinalit të ndjerë", Papa falënderon Zotin "për dëshminë e këtij biri në shpirt të Shën Gjon Boskos".
"I shërbeu Selisë së Shenjtë" me "shpirt meshtarak" dhe "përgatitje teologjike", veçanërisht "në Dikasterin për Doktrinën e Fesë dhe në atë të Çështjeve të Shenjtorëve ", shton Françesku, i cili siguron se lutet "për Shpirtin e këtij shërbëtori të mirë dhe vigjilent i cili, besnik ndaj motos së tij 'Sufficit gratia mea', edhe në kohët e fundit të përshkuara nga vuajtjet, u lëshua plotësisht në krahët e Atit Qiellor".
Së fundi, duke besuar se, "i shoqëruar nga Maria Ndihma e të Krishterëve dhe shenjtorët dhe të lumt, që i shoqëroi në lavdinë e altarëve", kardinali Amato tani "mirëpritet në banketin e përjetshëm të qiellit", Papa dërgon "bekimin për ata që ndjejnë dhimbjen për vdekjen e tij”.
Varrimi i kardinalit u bë sot, e enjte, 2 janar, në orën 14, në Altarin e Katedrës së Bazilikës së Shën Pjetrit, ndërsa liturgjia u drejtua nga kardinali Giovanni Battista Re, dekan i Kolegjit të Kardinajve. Në fund të kremtimit të Meshës së dritës, Papa Françesku kryesoi ritin e Rekomandimit dhe të Përshëndetjes së fundit të ndjerit (Ultima Commendatio e Valedictio).