Papa: Zoti na fton të ecim në rrugën drejt lumturisë, që është dashuria

Papa, duke kryesuar Meshën e solemnitetit të Dëftimit të Zotit në Bazilikën e Vatikanit, nënvizoi se Krishti erdhi në botë për të takuar burra dhe gra të çdo etnie e të çdo gjuhe dhe se na fton "të ndalojmë çdo formë përzgjedhjeje, përbuzjeje dhe braktisjeje të njerëzve”. Françesku nxit për vëllazëri, për të qenë dritë dhe shenjë shprese për të tjerët. E na kujton se: "Zoti nuk u zbulohet rretheve të ngushta ose pak të privilegjuarve": erdhi për të gjithë

R.SH. / Vatikan

Tre Mbretërit, të përshkruar në skenën e lindjes së Krishtit "me karakteristika që përfshijnë të gjitha epokat dhe të gjitha racat", "me tiparet somatike të popujve të ndryshëm të tokës", na kujtojnë se "Zoti i kërkon të gjithë, gjithmonë". Duhet të "meditojmë" për këtë në botën e sotme, "ku njerëzit dhe kombet, pavarësisht se kanë mjete gjithnjë e më të fuqishme komunikimi, duket se janë bërë më pak të aftë për ta kuptuar, për ta pranuar dhe për ta takuar njëri-tjetrin në larminë e tyre".

Papa Françesku kujtoi gjithë familjen njerëzore gjatë predikimit në Meshën e solemnitetit të Dëftimit të Zotit, kryesuar sot paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan në prani të 5 mijë besimtarëve dhe të 268 bashkëkremtuesve, gjatë së cilës u kumtua data e Pashkëve, më 20 prill; data e fillimit të Kreshmëve, më 5 Mars; Ngjitja e Krishtit në Qiell, më 29 maj; Rrëshajët, më 8 qershor dhe e Diela e parë e Ardhjes, më 30 nëntor.

Ndalohet çdo formë pabarazie

Papa i ftoi të gjithë për vëllazëri universale, për të pranuar se jemi të gjithë të barabartë, për t’i zhdukur dallimet, për t'ua hapur të tjerëve zemrën pa frikë, sepse Zoti erdhi për të gjithë. Biri i Zotit erdhi në botë për të takuar çdo burrë dhe grua, të çfarëdo etnie, gjuhe dhe populli që t’i përkasin, ndërsa ne na beson të njëjtin mision universal. Kjo do të thotë, na bën thirrje që të ndalojmë çdo formë përzgjedhjeje, përjashtimi e flakjeje të njerëzve dhe të zhvillojmë, brenda vetes dhe në mjediset ku jetojmë, një kulturë të fortë mirëseardhjeje, në të cilën në vend të bravave të frikës dhe të refuzimit, të pëlqehen hapësira për takime, integrim dhe ndarje; vende të sigurta, ku të gjithë mund të gjejnë ngrohtësi dhe strehë.

Drita e dashurisë

Reflektimi i Papës nisi me udhëtimin e  Mbretërve  në ndjekje "të një dritë të re", atë të yllit të përshkruar nga Shën Mateu ungjilltar, dhe ndalohet në tri karakteristika të këtij ylli: "është i ndritshëm", "i dukshëm nga të gjithë" dhe "tregon një udhë".

Ylli, "i cili ndriçon dhe ngroh duke u djegur dhe duke u konsumuar", na bën të kuptojmë se "e vetmja dritë që mund t'u tregojë të gjithëve rrugën drejt shpëtimit dhe lumturisë" është "ajo e dashurisë", sqaron Françesku, "dashuria për Zotin" që u bë njeri dhe "na u dhurua duke flijuar vetveten" dhe dashuria me të cilën "jemi thirrur të flijohemi për njëri-tjetrin", të jemi, me ndihmën e të Gjithëpushtetshmit "shenjë reciproke shprese, edhe në netët e errëta të jetës”.

Pikërisht për këtë, Papa na nxit të reflektojmë: "a jemi të ndritshëm në shpresë" dhe "të aftë për t'u dhënë shpresë të tjerëve me dritën e fesë tonë"? Nëse "shumë sovranë, në kohën e Jezusit, e quanin veten "yje", sepse ndiheshin të rëndësishëm, të fuqishëm dhe të famshëm"- kujton Papa - në të vërtetë "shkëlqimi i tyre ishte artificial dhe i ftohtë, rezultat i llogaritjeve dhe lojërave të pushtetit", "që nuk janë në gjendje t'i përgjigjen nevojës për risi dhe shpresë" të njerëzve në kërkim, si Mbretërit.

Si ylli, me shkëlqimin e tij, u priu Mbretërve në Betlehem, ashtu edhe ne, me dashurinë tonë, mund t'i çojmë njerëzit që takojmë te Jezusi, duke u bërë të shikojnë se në Birin e Zotit, të krijuar nga njeriu, bukurinë e fytyrës së Atit dhe mënyrën e tij të dashuruarit, krijuar nga afërsia, dhembshuria dhe butësia. Le të mos e harrojmë kurrë këtë: Zoti është i afërt, i dhembshur dhe i butë. Kjo është dashuria: afërsia, dhembshuria dhe butësia. Dhe ne mund ta bëjmë këtë pa pasur nevojë për mjete të jashtëzakonshme dhe të sofistikuara, por duke i bërë zemrat tona të ndritshme; të ndritshme në fe, shikimin tonë bujar në mirëseardhje, gjestet dhe fjalët tona vëllazërore, plot mirësi e humanizëm. Duhet të jemi "për njëri-tjetrin, drita që të çojnë në takimin me Krishtin”, nxit Françesku, duke vërejtur se "është për të ardhur keq që një person nuk është dritë për të tjerët".

Zoti shpesh i paraprin pyetjeve tona

Zoti nuk e zbulon veten para qarqeve ekskluzive ose pak të privilegjuarve, Zoti ofron shoqërinë dhe udhëheqjen e tij për këdo që e kërkon atë me zemër të sinqertë. Në të vërtetë, ai shpesh i paraprin pyetjet tona, duke ardhur të na kërkojë para se ta pyesim.

Zoti "është  Atë, gëzimi më i madh i të cilit është të shohë bijtë e tij të kthehen në shtëpi, të bashkuar, nga çdo pjesë e botës" dhe "t'i shohë duke ndërtuar ura, duke hapur shtigje, duke kërkuar ata që kanë humbur dhe duke i mbartur mbi supe ata që luftojnë për të ecur."Sepse "ëndrra e Zotit" është "që i gjithë njerëzimi, në pasurinë e dallimeve të tij" të jetë "një familje", "në harmoni, në prosperitet, në paqe".

Lirojeni zemrën tuaj nga gjithçka që nuk është bamirësi

Së fundi, duke treguar një shteg, ylli na fton të ndërmarrim një udhëtim të brendshëm i cili "i liron zemrat tona nga gjithçka që nuk është bamirësi", siç inkurajoi Gjon Pali II, "ta takojmë plotësisht Krishtin, duke rrëfyer besimin tonë në Të dhe duke fituar mëshirën e tij”.

Zoti nuk ia mohon vetveten askujt

Ai yll, që Tre Mbretërit "e shohin duke ndriçuar në qiell" është "i dukshëm për të gjithë", por Herodi dhe skribët nuk e vënë re atë – nënvizoi më pas Papa, duke saktësuar se "ylli, megjithatë, mbetet gjithmonë aty, i arritshëm për këdo që ngre sytë në kërkim të shpresës. Dhe ai, që është në parajsë, përpiqet "të arrijë çdo shtëpi dhe të kapërcejë çdo pengesë, duke sjellë shpresë në qoshet më të largëta dhe të harruara të planetit", dhe "për t'i thënë kujtdo, me dritën e tij bujare, se Zoti nuk ia mohon vetveten askujt.  Zoti ofron shoqërinë dhe udhëheqjen e tij për këdo që e kërkon atë me zemër të sinqertë. Shpesh i paraprin pyetjet tona, duke ardhur të na kërkojë para se ta pyesim.

Papa Françesku vëren se Zoti "është Atë, gëzimi më i madh i të cilit është të shohë bijtë duke u kthyer në shtëpi, të bashkuar, nga çdo skaj të botës" dhe "t'i shohë duke ndërtuar ura, duke hapur shtigje, duke kërkuar ata që kanë humbur dhe duke mbartur mbi supe, ata që luftojnë për të ecur". Sepse "ëndrra e Zotit" është "që i gjithë njerëzimi,  me pasurinë e larmive të tija, të mund të jetë një familje e vetme, “një mendjeje në prosperitet e paqe”.

06 janar 2025, 15:04