Papa: t'u shërbesh nevojtarëve, në emër të dashurisë së Krishtit
R.SH. / Vatikan
Në jubileun, që sapo ka filluar, “kohë pajtimi dhe shprese”, Françesku, duke u takuar me Kryevëllazërinë e Shenjtorëve Gjon Pagëzuesi dhe Ungjilltari i Kalorësve të Maltës i Catanzaros, Itali, në Sallën e Koncistorit të Pallatit Apostolik, në Vatikan, u ndalua tek reflektimi mbi tri folje: të adhurosh, të shërbesh, të ecësh.
Adhurosh
Papa kujtoi para së gjithash se pajtorja e kryevëllazërisë është Virgjëra Mari e nderuar "me titullin Odigitria, "ajo që tregon rrugën" - domethënë "Jezusin, që është Rruga, e Vërteta e Jeta" - dhe shton se mbajtja "e Shëlbuesit të lindur për ne" në krahët e saj, është "shprehje e dashurisë", të cilën anëtarët e shoqatës fetare "e dëshmojnë duke adhuruar Eukaristinë, duke u shërbyer të tjerëve dhe duke u angazhuar në qytetin e tyre”. Pastaj, duke kujtuar foljen “për të adhuruar”, Papa Françesku i porosit miqtë të kujdesen për lutjen:
Sidomos në këtë Vit Shenjt, ju ftoj të kultivoni lutjen, lutjen personale dhe komunitare, me shumë përkushtim. E qoftë kjo forca që do ta përtërijë vazhdimisht miqësinë tuaj të lashtë. Zelli e ruan vëllazërinë!
Të shërbesh
Përsa i përket shërbimit, Papa Françesku shpjegoi se të kujdesesh për të varfrit, të vizitosh të sëmurët dhe të jesh përkrah atyre që vuajnë, do të thotë t'i shërbesh Zotit dhe të nxit të jesh i mëshirshëm, si Jezusi.
Ekziston një lidhje shumë e ngushtë ndërmjet adhurimit dhe shërbimit, që nuk duhet ta harrojmë kurrë. Krishti erdhi në botë për të shërbyer: edhe ju, si shermend të lidhur me Hardhinë, e zgjasni dashurinë e tij kur jeni pranë të vegjëlve dhe nevojtarëve, me dhembshuri dhe ëmbëlsi.
Dhembshuria dhe butësia pranë të vegjëlve e të varfërve, na rikujtojnë “tri fjalë: afërsi, dhembshuri, butësi”, që tregojnë si është Zoti me ne: ritheksoi Papa, duke shtuar se Zoti është gjithnjë pranë nesh me dashuri.
Të ecësh
Së fundi, folja “të ecim” na nxit të ndjekim Jezusin “me këmbëngulje, duke mbajtur të ndezur pishtarin e fesë gjatë shtegtimit tonë tokësor” - shtoi Ati i Shenjtë Françesku - i cili në fund falenderoi kryevëllazërinë për qiriun e Pashkëve që ia dhurojnë çdo vit Bazilikës Laterane, në Romë, së bashku me një ofertë për lëmoshën e Papës. Prej këndej, inkurajimi drejtuar të gjithëve "për ta vazhduar me shpresë ecjen në rrugën e bujarisë".