Kërko

Papa: sot kemi një “katastrofë arsimore”, 250 milionë të mitur pa shkollë

Në videon e parë të vitit 2025 me ndjetet e lutjes për muajin janar, Françesku denoncon gjendjen e jashtëzakonshme arsimore shkaktuar nga lufta, migrimi dhe varfëria. Prandaj na kërkon të lutemi në mënyrë që njerëzit e prekur nga lufta ta shohin gjithnjë "të respektuar të drejtën e tyre për arsimim", shpresë për të shpëtuar nga diskriminimi, rrjetet kriminale dhe shfrytëzimi.

R.SH. / Vatikan

Jo, nuk është teprim: sot - me 250 milionë vajza dhe djem që “nuk kanë  mundësi të arsimohen” për shkak të luftërave, migrimit, varfërisë - po jetojmë një “katastrofë arsimore” të vërtetë. Nis nga denoncimi i një prej emergjencave të kësaj epoke, Papa Françesku, për të kërkuar që në këtë muaj të parë të 2025-ës, që sapo ka nisur, të lutemi "në mënyrë që migrantët, refugjatët dhe njerëzit e prekur prej luftës ta kenë gjithnjë të respektuar të drejtën e tyre për arsimim".

Ky, qëllimi i lutjes për muajin janar 2025 që Papa ua beson besimtarëve nga e gjithë bota në videomesazhin e zakonshëm, në fillim të muajit, realizuar nga Rrjeti Botëror i Lutjes. Në filmimin e publikuar sot, 2 janar, fjalët e Françeskut në spanjisht alternohen me pamje të të miturve në situata krize ose të detyruar të kryejnë punë të rënda. Pas këtyre shkrepjeve, pasojnë të tjera me fëmijë nga Afrika, Lindja e Mesme dhe Azia Juglindore, me libra të thërrmuar ose në bankat e shkollës, shpesh të kalbura, por me buzëqeshjen që buron nga shpresa e lindur pikërisht nga ato libra dhe ato tavolina. Sepse këtë e bën edukimi, jep shpresë, thotë Papa në video.

Arsimimi është shpresë për të gjithë: mund t’i shpëtojë emigrantët dhe refugjatët nga diskriminimi, rrjetet kriminale dhe shfrytëzimi... Gjithë këto fëmijë viktima! Dhe mund t'i ndihmojë të integrohen në bashkësitë, që i mirëpresin

Të gjithë kanë të drejtë të ndjekin shkollën

Papa rithekson se "të gjithë fëmijët dhe të rinjtë kanë të drejtë të ndjekin shkollën, pavarësisht nga situata e tyre migratore". Kujton edhe se statistikat dhe lajmet raportojnë faktin se të miturit që janë emigrantë ose ikin nga vendlindja për shkak të konflikteve, pësojnë ndërprerje në procesin arsimor. Në shumë raste, shkollat ​​në zonat e konfliktit ose kampet e refugjatëve i kanë shumë të kufizuara materialet arsimore, infrastrukturat e përshtatshme dhe mësuesit e kualifikuar. Jo vetëm kaq, kur fëmijët dhe të rinjtë shpërngulen në vende apo rajone të tjera, statusi i tyre i imigrimit mund t'i pengojë  të arsimohen e, si pasojë, të kenë një të ardhme më të mirë. Kjo është arsyeja pse Papa Françesku deklaron në video se "të gjithë fëmijët dhe të rinjtë kanë të drejtë të ndjekin shkollën, pavarësisht pse janë emigrantë". Një kërkesë e bërë edhe në raste të mëparshme, kur Papa kishte pyetur se si t’u sigurohej migrantëve dhe refugjatëve "ndjekja e rregullt e arsimit fillor dhe të mesëm", si edhe, me ​​arritjen e moshës madhore, mundësina e vazhdimit të studimeve"

Shpresa që jep arsimi

“Arsimi hap dyert për një të ardhme më të mirë”, thekson Jorge Mario Bergoglio, duke nënvizuar se, përmes këtij hapi drejt integrimit, “migrantët dhe refugjatët mund të kontribuojnë për shoqërinë në tërësi, si në vendin e tyre të ri, ashtu edhe në vendin e tyre të origjinës, nëse vendosin të kthehen". Këto fjalë të Papës janë plot me shqetësimet që lindin nga ato të Jezusit, në Ungjillin e Mateut (25.35): "Isha i huaj, e më pritët". Verset, që Papa përmend në filmim.

E të mos harrojmë kurrë se kushdo që e mirëpret të huajin, mirëpret Jezu Krishtin

Angazhimi i Kishës në të gjitha kontinentet

Videoja e Papës e këtij muaji flet vetë për angazhimin në vijën e parë të Kishës për të garantuar edukimin e të vegjëlve edhe në kontekstet më të ndërlikuara. Ndërmjet pamjeve, duken edhe qendrat arsimore të krijuara nga Fondacioni AVSI për fëmijët refugjatë - kryesisht sirianë - në Jordani dhe Liban; ka shkolla saleziane në Palabek, Ugandë, ku 60% e emigrantëve sudanez jugorë janë nën 13 vjeç; ekziston Instituto Madre Asunta në Tijuana, në kufirin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, i drejtuar nga familja Scalabrini dhe i ndjekur nga të mitur prej vendeve të ndryshme të Amerikës Latine. Ekziston edhe angazhimi i JRS, Shërbimi i Refugjatëve Jezuit, në kontinente të ndryshme, gjithashtu i pranishëm në Çadin lindor, përkrah brezave të tërë të lindur dhe rritur në kampet e refugjatëve. E ka vullnetarë nga Shoqata Papa Gjon XXIII që shoqërojnë të miturit, të cilët kanë mbërritur në Greqi dhe Itali nëpërmjet rrugëve të migrimit për studimet e tyre. Këtyre përpjekjeve u shtohen edhe ato të organizatave ndërkombëtare, si Unicef, të pranishme me projekte arsimore në shumë vende pritëse, ku vitet e fundit shumë fëmijë të arratisur nga lufta në Ukrainë munden të ndjekin kurse gjuhësore.

Lutja e Papës

Përballë kësaj panorame krizash, sfidash dhe angazhimi, Papa në fund të videomesazhit kujton ndjetin e tij të lutjes për muajin janar 2025:

Të lutemi që migrantët, refugjatët dhe njerëzit e prekur nga lufta ta shohin gjithmonë të respektuar të drejtën e tyre për shkollimin, shkollim i nevojshëm për të ndërtuar një botë më njerëzore

Të mirëpresësh, të mbrosh, të nxitësh, të integrosh

Nuk është hera e parë që Papa Françesku ia kushton ndjetin e lutjes krizës së emigrantëve dhe refugjatëve, ndër sfidat më të mëdha të kohës sonë. E fundit ishte në qershor 2024, kur kërkoi lutje "në mënyrë që emigrantët që ikin nga lufta ose uria, të detyruar në udhëtime plot rrezik dhe dhunë, të gjejnë mirëseardhje dhe mundësi të reja jete në vendet që i presin". "Në disa raste, Papa Françesku ka deklaruar se është e nevojshme t’i mirëpresim, t’i mbrojmë, t’i nxisim dhe t’i integrojmë" ata që ikin nga trojet e lindjes.

Në këto katër folje përmblidhen "sjelljet që mund dhe duhet t’i kultivojmë në jetën tonë të përditshme”, nënvizon drejtori i ri ndërkombëtar i Rrjetit Botëror të Lutjeve të Papës, jezuiti Atë Cristóbal Fones. Që shton: “Duam të ndihmojmë gjatë këtij muaji për t'i zbuluar dhe për t’i vënë në praktikë në mjediset ku jetojmë. Papa na thotë se çdo i huaj që troket në derën tonë është një mundësi për t’u takuar me Jezu Krishtin, që në Ungjill identifikohet me të huajin e mirëpritur ose të refuzuar, në çdo epokë të historisë”.

Lutuni për qëllimet e Papës gjatë Jubileut

Fones kujton edhe se në Bulën, që shpall Jubileun “Spes nonconfundit”, Papa kërkoi që migrantëve dhe refugjatëve t'u garantohej jo vetëm siguria dhe pranimi në punë, por edhe arsimi. E, duke folur për Jubileun, kujton se “një nga kushtet e nevojshme për të marrë faljet e dhëna me rastin e këtij viti të shenjtë, është pikërisht lutja për qëllimet e Papës, të cilat janë shumë konkrete dhe që gjatë këtij muaji do të përqendrohen tek respektimi i kësaj të drejte themelore të njerëzve shumë të pambrojtur.

02 janar 2025, 17:07