Papa: të respektohet e drejta humanitare në konflikte. Mjaft me goditje të civilëve
R.SH. / Vatikan
“Mjaft më goditje të civilëve, mjaft i goditët shkollat, spitalet. Mjaft, edhe vendet e punës!”. Në këtë të dielë të parë të vitit 2025, Papa denoncoi rishtas atë, që e quajti në shumë raste "mizori" e luftës. Atë brutalitet të pandalshëm, që sjell me vete çdo konflikt dhe që nuk kursen as fëmijët, as familjet, as të sëmurët e as njerëzit e pafajshëm. Në përfundim të lutjes së sotme të lutjes së Engjëllit të Zotit, 5 janar, Papa Françesku, nga dritarja e Pallatit Apostolik, nën një qiell romak të mbuluar nga retë e motit të keq, i bëri thirrje drejtpërdrejt bashkësisë ndërkombëtar duke kërkuar ndërhyrje vendimtare: Bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë me vendosmëri që ndër koflikte të respektohet e drejta humanitare!
Lufta është gjithmonë humbje
E drejta shkelet gjithnjë nga bombat e flakura mbi shkolla, spitale dhe zyra! Gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit të 27 tetorit, duke kujtuar 75-vjetorin e Konventave të Gjenevës, Papa kërkoi respekt për jetën dhe dinjitetin e popujve dhe "integritetin e strukturave civile e të vendeve të kultit, në përkim me të drejtën ndërkombëtare humanitare". “Është e trishtueshme të shohësh se si në luftë, në disa vende, shkatërrohen spitale e shkolla”- pohoi Papa. - Sot e ripohon padinë e tij, duke i shtuar thirrjen e pandërprerë kundër luftës, e cila kurrë dhe në asnjë rrethanë nuk sjell fitoren. Të mos harrojmë se lufta është gjithmonë disfatë, gjithmonë!
Lutuni për vendet e prekura nga konfliktet
Papa Françesku, më pas, u kërkoi mijëra besimtarëve të mbledhur në Shesh të Vatikanit nën çadra, e edhe të gjithë atyre që lidhen përmes transmetimit, të mos ndalojnë së luturi për paqe në vendet e prekura nga dhuna dhe tensioni, ose ndër situata të ndërlikuara.
Nga Lindja e Mesme vijnë lajmet e Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, kontrolluar nga Hamasi, për mbi 45,805 njerëz të vrarë që nga fillimi i konfliktit, 88 vetëm në njëzet e katër orët e fundit, deri në kombet shpesh jashtë vëmendjes së mediave ndërkombëtare. Ashtu si Mianmari, ku junta ushtarake urdhëroi lirimin e 5,864 të burgosurve, duke përfshirë 180 shtetas të huaj, në amnistinë tradicionale që shënon Ditën e Pavarësisë, ose Sudani, ku lufta civile që shpërtheu në 2023 shkaktoi një nga katastrofat më të rënda humanitare në planet. . . “Të vazhdojmë të lutemi”, thotë Papa. Të vazhdojmë të lutemi për paqe në Ukrainë, Palestinë, Izrael, Liban, Siri, Myanmar, Sudan…