2025.01.06 Mesha e Shenjtë në Solemnitetin e Epifanisë së Zotit 2025.01.06 Mesha e Shenjtë në Solemnitetin e Epifanisë së Zotit

Papa: në netët më të errëta shkëlqen ylli i Jezusit

Në një mesazh të publikuar sot në platformën sociale X @Pontifex, Papa Françesku na kërkon të “vihemi për udhë” për të mos ngecur në apatinë “e një jete të sheshtë”.

R.SH. - Vatikan

“Edhe në netët më të errëta një yll shkëlqen. Është ylli i Jezusit, i cili vjen të kujdeset për njerëzimin tonë të brishtë. Le të nisemi udhës drejt Tij. Të mos i japim apatisë dhe dorëheqjes fuqinë për të na gozhduar në trishtimin e një jete të sheshtë. #Koha e Krishtlindjes”. “Ylli i Jezusit”, është dritë në dobësitë njerëzore dhe horizont drejt të cilit duhet të “të ecim udhës”, për të mos rënë në një ekzistencë “të sheshtë”, të gozhduar në trishtim. Papa Françesku reflekton edhe njëherë për kohën e Krishtlindjes përmes një mesazhi të publikuar sot, më 7 janar, në platformën e tij X @Pontifex, përmes së cilës mbërrin te miliona besimtarë në mbarë botën.

"Të ëndërrojmë, kërkojmë, adhurojmë"

Papa Françesku merr një fragment nga predikimi i tij mbajtur me rastin e solemnitetit të Epifanisë në vitin 2022, për të na ftuar të shikojmë përpara, duke ndjekur "yllin që Zoti bën të shkëlqejë mbi ne", siç bëri me Magjistarët e ditur të lindjes. "Le të qëndrojmë të hapur ndaj surprizave të Zotit. Vëllezër dhe motra, le të ëndërrojmë, le të kërkojmë, le të adhurojmë", janë tre ftesat e bëra nga Papa, i cili në predikimin e djeshëm u ndal në tre karakteristikat e një udhërrëfyesi të tillë, të një ylli të tillë.

"Zoti i kërkon të gjithë, të gjithë"

"Është e ndritshme, është e dukshme për të gjithë dhe tregon një udhë." Këto janë tre cilësitë e dritës së Yllit të Zotit. Jo një rreze e ftohtë dhe artificiale, "fryt i llogaritjeve dhe lojërave të pushtetit", ajo që rrezatonte ylli që drejtonte Magjistarët e lindjes udhës drejt Betlehemit, por një dritë "që mund t'u tregojë të gjithëve udhën drejt shpëtimit dhe lumturisë: asaj të dashurisë". Ajo, siguroi Papa, "është e vetmja dritë që do të na bëjë të lumtur". Një yll që tregon një shteg të hapur "për këdo që ngre sytë drejt qiellit", sepse, ripohoi Papa Françesku , "Zoti i kërkon të gjithë, të gjithë".

"Në rrugë" për të mos rënë në apati

Ylli i Jezusit shkëlqen, edhe më ndritshëm, "në netët më të errëta". Atonetë që shkaktohen nga brishtësia, një karakteristikë e brendshme e njerëzimit, e cila megjithatë nuk duhet të “na gozhdojë”. Papa e përdor këtë folje për të na ftuar “të vihemi për udhë” dhe të mos biem në apati. Të mos harrojmë kurrë se pranë nesh është Zoti."Ne pohojmë se Jezusi është Zoti i kohës, se jeton në kohën tonë, edhe në këtë vit të ri, me praninë e Tij të dashurisë - tha Papa  në solemnitetin e Marisë, Nënës së Shenjtë të Zotit e me rastin e Ditës së 58-të Botërore të Paqes, më 1 janar 2025- Pohojmë, prandaj, se Ai është Shëlbuesi i botës, por  mund ta takojmë e duhet ta kërkojmë  në fytyrën e çdo qenieje njerëzore”.

07 janar 2025, 12:10