Kërko

Françesku: bota ka nevojë për gëzim të vërtetë

Duke pritur pjesëmarrësit në Kapitullin XV të përgjithshëm zgjedhës të Bashkimit të Misionareve të Shkollës së Shën Katerinës së Sienës, Françesku reflektoi mbi tri terma: shenjtëri, përgatitje, përzemërsi. Vuri në dukje edhe rëndësinë e sotme të arritjes së të rinjve, duke e jetuar çdo takim me "njohjen diellore" të tjetrit

R.SH. / Vatikan

Realizojeni dhe dëshmojeni thirrjen e përbashkët për shenjtëri. Transmetojani breznive të reja, me profesionalitet e përgatitje, por mbi të gjitha, me lumturi të vërtetë. Kush lind duke mësuar ta vërejë bukurinë dhe mirësinë e përbashkët për të gjithë, shpalos hijet e atyre që fshihen pas “qeshjeve të regjistruara paraprakisht dhe stereotipeve sipërfaqësore”.

Shenjtëria, përgatitja dhe dashamirësia janë tri termat mbi të cilat reflektoi Papa Françesku, së bashku me pjesëmarrësit në Kapitullin e XV të përgjithshëm zgjedhor të Bashkimit të Misionareve të Shkollës së Shën Katerinës së Sienës, pritur sot, 4 janar, në Sallën Klementine, në Vatikan.

 “Përgjigje krijuese” për pyetjet e sotme

Papa Françesku e nisi bisedën duke kujtuar njëqindvjetorin e kongregacionit domenikan, themeluar në vitin 1924 nga e Nderuara Luigia Tincani. Trashëgimia e tij konsiston në kërkimin e "përgjigjeve krijuese" për pyetjet e kohës sonë dhe pasqyrohet në temën e zgjedhur nga rregulltaret për takimet e tyre: "Ta kuptojmë të tashmen, për të kuptuar së bashku të ardhmen e Bashkimit, për udhë me Kishën”.

Ta kuptojmë të tashmen, për të kuptuar të ardhmen, për udhë, jo të ndalura - të vdekurit janë të ndalur - përudhë me Kishën. Është gjë e bukur”.

Thirrja e përbashkët për shenjtërinë

Tek "indiferentët e fesë” dhe "të largëtit" - sipas Papës - duhet të arrijë bindja për një "thirrje" të përbashkët ndaj fesë". Bindja e "shenjtërisë", term kërkues, nëse jo i frikshëm, por cak "themelor" i çdo jete:

Shenjtëria është një gjë e gëzueshme, shenjtëria tërheq, shenjtëria është gëzim shpirtëror. Vërtetë nuk është e lehtë ta gjesh shenjtërinë, por me hirin e Zotit mund ta bëjmë. Sa i rëndësishëm është ky mision sot, veçanërisht për të rinjtë!

Largohuni nga thashethemet që helmatisin

Për gratë e kushtuara, rregulltaret, shenjtëria shprehet në moton domenikane "contemplata aliis tradere", dmth duke u transmetuar të tjerëve frytet e asaj "sequela Christi" në të cilën Françesku na fton të qëndrojmë të rrënjosur. Përndryshe, përfundojmë tek "armiku shumë i madh", d.m.th. "tek thashethemet ", nga të cilat Papa i fton besimtaret të distancohen.

“Thashethemet vrasin, thashethemet helmojnë. Ju lutem, asnjë përgojim ndërmjet jush, asnjë. Të ecim përpara e pa përgojime”.

Të njohim “të mirën” e shoqërive tona

Misioni nuk mund të anashkalojë "përgatitjen", term që sot mund të zëvendësohet me "profesionalizëm". Jo reduktim - shpjegon Papa - por vëmendje e përtërirë për studimin, krahasimin dhe ndarjen e njohurive të mësuara. Kështu do të realizohet ideali i Koncilit II të Vatikanit për ta bërë tonën "gjithçka që është e mirë në dinamizmin e sotëm shoqëror".

 “Hapja” është fjala kyçe e përsëritur nga Papa Françesku, shoqëruar nga “dialog me të gjithë”. E më pas shton edhe një mësim, që vjen nga Jezusi, i cili nuk e përbuzi ballafaqimin me askënd:

Ju lutem, dialogoni me të gjithë, përveç djallit. Djalli hyn në bashkësi, shikon, xhelozitë, të gjitha këto gjëra që u përkasin tërë njerëzve, jo vetëm grave, të gjithëve, e djalli shkon pikërisht atje. Me djallin nuk dialogohet. Kuptuat? Nuk ka dialog me djallin!

“Njohja diellore” e të afërmit

Gjithsesi, e gjithë kjo nuk do të ishte e mundur pa "dashuri", fjala e tretë e kujtuar nga Papa. Ati i Shenjtë Françesku i nxit gratë e kushtuara që të jenë lajmëtare të lumturisë, që është "dhuratë e Shpirtit" veçanërisht ndërmjet të rinjve, duke jetuar çdo takim me "mirënjohjen diellore" të të afërmit "në veçantinë e tij të shenjtë".

04 janar 2025, 15:53