Papa i shkruan revistës “Il Regno”: zë me autoritet i Koncilit dhe pas tij
R.SH. – Vatikan
“Zë me autoritet i Koncilit dhe pas Koncilit në Itali”. Me këto fjalë e përshkruan Papa Françesku revistën e studimeve fetare dhe kulturore “Il Regno” (Mbretëria), në një letër dërguar më 1 janar, me rastin e 70-vjetorit të themelimit të saj. Papa nënvizon rolin themelor të revistës në debatin kishtar dhe kulturor italian: "E ka shoqëruar jetën e Kishës, duke ushqyer kërkesat e saj për reforma, sipas frymës përtëritëse të Koncilit" e, edhe sot, "kryen një punë të vlefshme informimi, dokumentimi dhe interpretimi të kohës sonë”.
Zuppi: një kontribut për dialogun dhe reformat
Edhe kryeipeshkvi i Bolonjës, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, kardinali Matteo Zuppi, i dërgoi gjithashtu një mesazh të ngjashëm redaksisë dhe drejtorit të saj. Për kardinalin, revista ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut themelor në jetën e Kishës Italiane: “Ajo ka ndjekur me kujdes sfidat kryesore të rinovimit, duke filluar nga katekizimi, përhapja e formimit teologjik, reformimi i strukturave institucionale kishtare dhe përtëritja e shërbesave”. “Mbretëria”, sipas kardinalit, ka dhënë gjithmonë "një kontribut të veçantë në dialogun ekumenik dhe ndërfetar. Përsa i përket analizës dhe kuptimit të strukturave shoqërore dhe politike", "ajo është karakterizuar nga një vizion post-ideologjik, duke dokumentuar dhe duke interpretuar në mënyrë kritike ndryshimet radikale kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Drejtori Brunelli: akt bujarie nga Papa dhe Zuppi
“Letra që Papa Françesku na dërgoi më 1 janar 2025, ditën e parë të këtij përvjetori, së bashku me atë të kardinalit Matteo Zuppi – shkruan drejtori Gianfranco Brunelli – përfaqëson një akt bujarie, që na nderon dhe na ngushëllon, duke mbyllur edhe ndonjë krizë të largët; na kënaq e inkurajon, duke hapur edhe një herë horizontin e detyrës sonë. Ndoshta, ajo kokërr e sinapit, e hedhur shumë vite më parë, është bërë vërtet një bimë e mirë”. “Revista ka qenë dhe është një mjet i lirë informacioni dhe dokumentacioni fetar e kulturor – vazhdon Brunelli – vend analize e takimi ndërmjet atyre, që kanë të njëjtin frymëzim të krishterë; vend ballafaqimi me njerëz të kulturave dhe feve të ndryshme, por që kanë për zemër parimin e lirisë dhe të dinjitetit njerëzor, sepse ato janë pasqyra njerëzore e Zotit”.