Letër e Papës për kard. Parolin, që do të shugurojë Kishën e Pagëzimit të Krishtit në Jordani
R.SH. – Vatikan
"Zoti deshi t'i shenjtërojë dhe t'i shpëtojë njerëzit jo individualisht dhe pa asnjë lidhje ndërmjet tyre, por deshi t'i bënte popull, që do ta njihte atë sipas së vërtetës dhe do t'i shërbente në shenjtëri". Letra e Papës në latinisht drejtuar Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, i emëruar Legat Papnor për shugurimin e Kishës së Pagëzimit të Jezusit në Jordani, fillon me një citat nga Kushtetuta Dogmatike e Koncilit II të Vatikanit mbi Kishën, “Lumen Gentium”.
Ndërtimi i kishës zgjati gati 15 vjet
Kremtimi i Meshës dhe riti i kushtimit të Kishës do të kryesohet nga prelati më 10 janar, në orën 11.00, pikërisht në vendin e lumit Jordan (Al-Maghtas), ku Gjon Pagëzuesi i tregoi botës kush do ta pagëzonte me Shpirtin Shenjt. Ndër bashkëkremtuesit, edhe kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriarku Latin i Jeruzalemit. Në letër, Papa kujton se të krishterët në Jordani po presin me padurim shugurimin solemn të Kishës së Pagëzimit të Jezusit, ndërtimi i së cilës zgjati gati 15 vjet dhe është shenjë e dashurisë së Kishës për këtë bashkësi besimtarësh.
Përshëndetjet e Papës për të gjithë
Prandaj, Françesku e fton kardinalin Parolin t’i inkurajojë të krishterët e Jordanisë që të imitojnë gjithnjë e më shumë Krishtin, duke dëshmuar me forcë të përtërirë shpresën e gjallë, që vjen nga feja dhe nga dashuria për të afërmin. Së fundi, Ati i Shenjtë i kërkon t’u çojë përshëndetjet e tij të gjithë atyre, që do të marrin pjesë në këtë veprimtari, jo vetëm katolikëve të pranishëm, por edhe autoriteteve civile, besimtarëve të feve të tjera, si edhe atyre që promovojnë misionin e Kishës, lirinë fetare, paqen në botë dhe të mirën e njeriut.
Më 8 janar në Aman, Jordani, mbahet një Konferencë për shtyp për prezantimin e ekspozitës "Jordania: agimi i krishterimit" promovuar nga Ministria jordaneze e Turizmit e cila hapet më 1 shkurt në kuadër të 30-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis vendit arab dhe Selisë së Shenjtë. Ndër të tjera ndërhyn edhe Imzot Giovanni Pietro Dal Toso, nunc apostolik në Jordani.