Dhimbja e Papës Françesku për sulmin në New Orleans
R.SH. / Vatikan
Papa Françesku shpreh “dhimbje të thellë” për sulmin që ndodhi natën e Vitit të Ri në New Orleans, ku një kamion u përplas me turmën, duke mbytur pesëmbëdhjetë persona dhe duke plagosur të paktën tridhjetë të tjerë. Në një telegram nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, drejtuar Kryeipeshkvit të New Orleans, Gregory Aymond, Papa shpreh ngushëllimet për humbjen e jetëve njerëzore dhe për të plagosurit. Duke siguruar "afërsinë e tij shpirtërore" me të gjithë bashkësinë, Françesku "ia beson shpirtrat e atyre që vdiqën mëshirës së Zotit të plotfuqishëm dhe lutet për shërimin e ngushëllimin e të plagosurve si dhe të atyre që janë në zi". Papa dërgon bekimin e tij "si një shenjë paqeje e force në Zotin".
Atentati
Sulmi, i ndodhur më 31 dhjetor rreth orës 3:15 të mëngjesit në "Vieux Carre" (rruga më e ngarkuar në lagjen franceze), u krye nga një shtetas amerikan, punonjës i Deloitte dhe ish-ushtar në Afganistan, i cili ishte kthyer në fenë islame që në moshë të re, duke arritur më vonë në një formë radikalizimi.
Shamsud-Din Jabbar, emri i burrit, 42 vjeç, i lindur në Teksas, ngiste makinën e tij me shpejtësi të plotë në mes të turmës që festonte fundvitin. Më pas doli nga automjeti dhe nisi të qëllojë, para se të vritej nga policia. 15 persona mbetën të vrarë dhe rreth 30 u plagosën. Sipas policisë lokale, ndërsa sulmuesi ishte i vendosur të shkaktonte masakër, gjë që edhe e bëri, kudo dëgjoheshin shprehje ngushëllimi.