Kërko

Hapja e Derës së Shenjtë dhe Mesha e Shenjtë e Papës në burgun Rebibbia Hapja e Derës së Shenjtë dhe Mesha e Shenjtë e Papës në burgun Rebibbia

Papa: shpresa dhe mirësia, "busull" për një botë më humane

Në një mesazh audio të transmetuar të shtunën më 28 dhjetor nga BBC gjatë programit "Mendimi për ditën", Françesku na nxit të mos e shikojmë të ardhmen "me pesimizëm dhe dorëheqje", por të zgjedhim gjithmonë rrugën e përzemërsisë dhe të sodisim botën me “vështrimin e butë të shpresës”.

R.SH. – Vatikan

“Një botë me plot shpresë dhe mirësi është më e bukur. Një shoqëri që e shikon të ardhmen me besim dhe i trajton njerëzit me respekt dhe ndjeshmëri është më humane, sepse shpresa dhe mirësia “prekin zemrën e Ungjillit dhe tregojnë rrugën që duhet ndjekur me sjelljet tona”. Kështu Papa Françesku iu drejtohet dëgjuesve të emitentes britanike BBC, të cilët mundën të dëgjonin mesazhin e tij audio sot, 28 dhjetor, gjatë programit "Mendimi për ditën". Siç ndodhi tashmë në tetor 2021, me rastin e Konferencës së 26-të të Palëve (COP26) të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC), e cila u zhvillua në Glasgow, Skoci, mesazhi i Papës u transmetua nga emitentja e Mbretërisë së Bashkuar.

Të mos dorëzohemi para dëshpërimit të shkaktuar nga luftërat, dhuna dhe padrejtësitë sociale

Këtë herë, rasti është periudha e Krishtlindjes dhe Jubileu i Shpresës 2025, i cili filloi më 24 dhjetorin e kaluar: momente të cilat, shpjegon Papa i Romës, na nxisin të bëhemi "shtegtarë të shpresës" dhe të mos e shikojmë të ardhmen "me pesimizëm" dhe dorëheqje”. “Luftërat, padrejtësitë sociale, format e shumta të dhunës që përjetojmë çdo ditë – thekson Ati i Shenjtë – nuk duhet të na çojnë të biem në tundimin e skepticizmit dhe dëshpërimit”.

Duke parë botën me vështrimin e butë të shpresës

Zgjedhja që duhet të bëhet, pra, duhet të jetë ajo e Dashurisë që i bën zemrat "të zjarrta dhe të sigurta". Në fakt, ata që duan "edhe nëse gjenden në situata të pasigurta, gjithmonë e sodisin botën me shikimin e butë të shpresës".

Praktikimi i përulësisë hap drejt dialogut

Vetë mirësia, thotë Papa Françesku, "nuk është një strategji diplomatike", as "një sjellje formale që duhet ndjekur për të garantuar harmoninë shoqërore ose për të marrë avantazhe". Përkundrazi, përzemërsia është "një formë dashurie që hap zemrat për të mirëpritur të tjetër dhe i ndihmon të gjithë të bëhen më të përulur", ose të aftë për atë përulësi që "predispozon për dialog, ndihmon për të kapërcyer keqkuptimet dhe gjeneron mirënjohje". Në fund të fundit, na kujton Papa, bëhet fjalë për "t'i marrë gjërat e jetës me mirënjohje dhe jo si të mirëqena", sikur ka thënë shkrimtari britanik Gilbert Keith Chesterton.

Mirësia si një formë marrëdhënieje

Mesazhi Papës përfundon me "një dëshirë shprese" dhe me shpresën se, gjatë Jubileut, ne mund të "ushtrojmë mirësinë si një formë dashurie për t'u lidhur me të tjerët", duke sjellë "paqe, vëllazëri dhe mirënjohje" në botë.

28 dhjetor 2024, 17:30