Papa: trafikimi i qenieve njerëzore është krim
R.SH. - Vatikan
"Skllavëria moderne – trafikimi i qenieve njerëzore, puna e detyruar, prostitucioni, trafikimi i organeve – është një krim i 'dëmtimit të njerëzimit'. Të gjithë jemi pasqyrim i imazhit të Zotit dhe nuk mund të tolerojmë që imazhi i Zotit të gjallë të jetë subjekt i trafikimeve të tmerrshme". Kështu shkruan Papa në platformën sociale X, sot më 2 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Skllavërisë.
Skllavëritë moderne
Shpesh, Ati i Shenjtë Bergoglio ka vënë në dukje skllavëritë moderne, të cilat, pavarësisht se janë të ndaluara me ligj, kanë marrë forma të reja, duke vënë në shënjestër më të brishtët, si të miturit dhe emigrantët. Sot, duket e pamundur që deri rreth një shekulli më parë burrat, gratë dhe fëmijët shiteshin ende si skllevër, sikur të ishin mallra. Për mbi 400 vjet, më se 15 milion njerëz kanë qenë viktima të tregtisë së skllevërve. Kanë kaluar më se 150 vite që kur parlamenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës shfuqizoi skllavërinë e, ndërkohë, bota ka përjetuar ndryshime të rëndësishme: është zbuluar energjia elektrike, mjekësia ka bërë përparime të mëdha, njerëzimi ka shkuar deri në hënë e, megjithatë, skllevërit ende ekzistojnë, edhe sot, në shekullin XXI.
Pse data e 2 dhjetorit
Siç shkruante me të drejtë autori britanik vizionar, Aldous Huxley: “fakti që njerëzit nuk mësojnë shumë nga historia është mësimi më i rëndësishëm i saj”. Në botë ka pothuajse 40,3 milion të ashtuquajtur “skllevër modernë”, pra, 1 çdo 1000 vetë. Për të luftuar këtë plagë shoqërore dhe për të ndërgjegjësuar shoqërinë, më 2 dhjetor, kremtohet çdo vit Dita Botërore për Zhdukjen e Skllavërisë. Ajo kujton datën e 2 dhjetorit 1949, në të cilën Asambleja e Përgjithshme miratoi Konventën e OKB-së për luftën kundër trafikut të njerëzve dhe shfrytëzimit të prostitucionit. Objektivi i kësaj Dite është sensibilizimi për format e reja të skllavërisë në mënyrë që të bëhet ç’është e mundur për çrrënjosjen e tyre. Është fjala për punën e detyruar, trafikun e të miturve, të grave e të vajzave, skllavërinë shtëpiake, prostitucionin, skllavërimin seksual, martesat e detyruara, shitjen e grave dhe rekrutimin e fëmijëve në konfliktet e armatosura. Një kapitull i veçantë është ai i shfrytëzimit të punonjësve të bujqësisë, të pyjeve dhe të peshkimit, siç denoncojnë raportet e vazhdueshme të Organizatës Ndërkombëtare të Punës. Fatkeqësisht, skllavërimi i njerëzve është një biznes, që qarkullon më se 150 miliard dollarë në vit.
Kur nuk duam të shohim, jemi bashkëpunëtorë
Në viedomesazhin për ndjetin e lutjes së shkurtit 2019, Papa pati theksuar: “Edhe nëse përpiqemi ta injorojmë, skllavëria nuk është diçka e së kaluarës. Përballë këtij realiteti tragjik, askush nuk mund t’i lajë duart, nëse nuk dëshiron të jetë, në një farë mënyre, bashkëpunëtor në këtë krim kundër njerëzimit “. Ati i Shenjtë jo vetëm fton të mbrohen të drejtat e atyre, që kanë rënë në skllavëri, por edhe “të mos lejohen të korruptuarit dhe kriminelët t’i shpëtojnë drejtësisë”. Papa Françesku shkon edhe më tej, duke nënvizuar se problemi nuk mund të zgjidhet, nëse nuk luftohen shkaqet më të thella të skllavërisë. Përmend varfërinë e skajshme, dhunën dhe korrupsionin, ligjet e pamjaftueshme. Pastaj, thekson nevojën për të kapërcyer “çdo lloj pabarazie, çdo lloj diskriminimi, që bën të mundur skllavërimin e njeriut nga njeriu”. “Nuk na lejohet të shohim nga ana tjetër dhe të deklarojmë injorancën, ose pafajësinë tonë”, thekson Ati i Shenjtë.