Kërko

Takimi Evropian i Taizé në Talin, Estoni, 28 dhjetor 2024 - 01 janar 2025 Takimi Evropian i Taizé në Talin, Estoni, 28 dhjetor 2024 - 01 janar 2025

Papa të rinjve: Kisha ka nevojë për ju, shpresoni "përtej shpresës"

Në një mesazh të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, Papa Françesku u drejtohet pjesëmarrësve në takimin evropian të të rinjve të komunitetit Taizé në Talin, Estoni. Ati i Shenjtë i nxit të rinjtë të promovojnë një "frymë të bashkëndarjes dhe vëllazërisë", në një botë të prekur nga dhuna dhe konflikti, duke kapërcyer lodhjen, krizat dhe ankthet.

R.SH. - Vatikan

Papa dhe e gjithë Kisha “mbështetën” tek të rinjtë dhe kanë besim tek ata. “Shpresoni përtej shpresës”, në atë shpresë që kapërcen lodhjen, krizat dhe ankthet, është ftesa drejtuar brezave të rinj, edhe më urgjente në një botë të karakterizuar nga dhuna dhe konflikte, ku njerëzit vuajnë nga “trajtimi çnjerëzor” duke u gjetur “të çorientuar” nga pabarazitë dhe rreziqet e diktuara nga ndryshimet klimatike.

Kështu iu drejtua Françesku pjesëmarrësve në takimin evropian të të rinjve të organizuar nga komuniteti i Taizé-së në Talin të Estonisë, nga 28 dhjetor 2024 -deri më 01 janar 2025. Papa e bën këtë në një mesazh të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, duke udërguar "përshëndetjet e tij të ngrohta" të gjithë udhëheqësve të komuniteteve të ndryshme të krishtera të pranishme në vendin e Evropës Veriore.

"Të shprehim atë që mendojmë dhe duam"

Papa kujton Udhëtimin e tij Apostolik në vendet Baltike, në vitin 2018, dhe takimin me të rinjtë e Kishës Luterane të Kaarlit, gjithnjë në Talin. Me atë rast, pati shprehur bukurinë e bashkimit për të “bashkëndarë dëshmitë e jetës, për të shprehur atë që mendojmë dhe duam”.

"Sprovat e mëdha" me të cilat përballet bota

Takimi, i 47-ti, i udhëhequr nga komuniteti ekumenik i krishterë i Taizé-së me qendër në Francë, promovon një "frymë të bashkëndarjes dhe vëllazërisë" që rezulton edhe më e nevojshme kur shikon "sprovat e mëdha" me të cilat është thirrur të përballet komuniteti global. Papa Françesku kujton shumë vende "të prekura nga dhuna dhe lufta" dhe njerëzit që vuajnë pasojat e drejtpërdrejta.

Shpresa që kapërcen lodhjen, krizën dhe ankthin

“Të shpresosh përtej shpresës” është mesazhi që rezonon nga Talini. Një temë e zgjedhur nga Vëllai Matthew, Epror i komunitetit ekumenik të Taizé-së, e cila i përmban temën e Jubileut të inauguruar nga Papa këtyre ditëve, Natën e Krishtlindjes,më 24 dhjetor në Bazilikën e Vatikanit. Në lidhje me këtë, Papa citon një pasazh nga mesazhi i tij për Ditën XXXIX Botërore të Rinisë.

Ecni me shpresë! Shpresa mposht çdo lodhje, çdo krizë dhe çdo ankth, duke na dhënë një motiv të fortë për të ecur përpara, sepse është një dhuratë që marrim nga vetë Zoti: Ai na mbush kohën me kuptim, na ndriçon rrugën, na tregon drejtimin dhe qëllimin e jetës”.

"Të dashur të rinj, Ati i Shenjtë ka besim tek ju"

“Të dashur të rinj, Ati i Shenjtë mbështetet tek ju”, siguron Papa Françesku. Një besim e amanet që shtrihet në të gjithë Kishën, në nevojën për të "shpallur lajmin e mirë të dashurisë së Zotit sot". Një objektiv që është pjesë e "procesit sinodal" të ndërmarrë nga komuniteti kishtar, i aftë të bëjë "përparime të madh në miqësinë ekumenike me vëllezërit dhe motrat tona të besimeve të ndryshme të krishtera".

28 dhjetor 2024, 11:18