Papa: në skenën e lindjes së Krishtit, mes paqes e refuzimit, ekziston Krishtlindja e vërtetë
R.SH. / Vatikan
Në këto ditë në të cilat Kisha po jeton kohën liturgjike të Krishtlindjes, skena e lindjes së Jezus Krishtit është shenja par excellence, siç e përcaktoi Papa Françesku në letrën apostolike Admirabile signum të vitit 2019. E pikërisht përballë skenës së lindjes së Krishtit, sot, më 30 dhjetor, Papa na fton me një postim në platformën sociale X të “shikojmë” “dritën dhe paqen, varfërinë dhe refuzimin” e ardhjes së Krishtit. Nga faqen @Pontifex, Ati i Shenjtë Françesku na nxit të hyjmë në "Krishtlindja e vërteta me barinjtë", t'i çojmë "Jezusit atë që jemi", sepse "në Jezusin" mund të shijojmë "shpirtin e vërtetë të Krishtlindjes: bukurinë e njeriut që Zoti e do".
Bij të historisë së shëlbimit
Skena e lindjes së Krishtit "është si një Ungjill i gjallë, që vërshon nga faqet e Shkrimit Shenjt", shkruan Papa Françesku në "Admirabile signum", e duke e kundruar "ftohemi të nisemi shpirtërisht në shtegtim, të tërhequr nga përvujtëria e Atij, që u bë njeri, për të takuar çdo njeri”.
Skena e lindjes së Jezusit, e cila “u shpik" nga Shën Françesku në Greccio, në vitin 1223 e që soditet ndër shtëpitë, Kishat dhe rrugët gjatë periudhës së Krishtlindjes, "ndihmon për të rijetuar historinë, që u jetua në Betlehem" dhe, me shtatoret e tij, mjediset e ndryshme, peizazhet dhe personazhet që e popullojnë "na fton të jetojmë ca çaste në historinë e shëlbimit, bashkëkohës të ngjarjes së gjallë dhe aktuale në kontekstet më të ndryshme historike dhe kulturore". E edhe "ta ndjejmë', 'e ta prekim' varfërinë që Biri i Hyjit - Jezu Krishti e zgjodhi për vete në mishërimin e tij" - shton Papa.
Nga Shpella e Betlehemit jehon thirrja për ta ndjekur Krishtin "në rrugën e përvujtërisë, të varfërisë, të lakuriqësisë, rrugë e cila nga grazhdi i Betlehemit - të çon në Kryq”, thekson më pas Françesku - e të bën thirrje për ta takuar dhe për t'i shërbyer me mëshirë në vëllezërit dhe motrat tona, që vijojnë të vuajnë në rrjedhë shekujsh”.
Çdo gjë në skenën e lindjes së Jezus Krishtit ka kuptimin e vet - kujton Papa në Letrën Apostolike që i kushtoi - si qielli me yje – kuptimin e natës që shpesh e "rrethon jetën tonë", por ku Zoti bëhet sakaq i pranishëm - "si rrënojat e shtëpive" dhe pallatet e lashta - "shenja të dukshme të njerëzimit të zvetënuar e të çdo gjëje që shndërrohet në rrenojë, që korruptohet e trishtohet" por që Jezusi "erdhi për ta shëruar dhe për ta rindërtuar" - ose të varfërit dhe lypësit - të cilët na kujtojnë “se Zoti bëhet njeri për ata që e ndiejnë më shumë nevojën për dashurinë e tij dhe e kërkojnë afërsinë e tij”.
E, pastaj, skena e lindjes së Krishtit… "Vend" për të bërë thirrje, vend për t'u takuar, për të reflektuar, për të medituar... Si thirrja e Papës Françeskut drejtuar punonjësve të Vatikanit, më 21 dhjetorin e kaluar, me urimin e Krishtlindjes e nxitjen që të "gjejnë disa çaste, në të cilat të mblidhen së bashku rreth skenës së lindjes së Krishtit, e ta falënderojnë Zotin për dhuratat e tij, për t'i kërkuar ndihmë, për t’iu lutur për të ardhmen. E edhe për t’u mbledhur rreth vendlindjes së Krishtit, për të ripërtërirë "dashurinë e njëri-tjetrit përballë Krishtit Fëmijë ".