Papa, motrave rregulltare të Nazaretit: bashkësitë tuaja qofshin strehë paqeje
R.SH. / Vatikan
Lutje dhe vepra bamirësie, për t'i bërë bashkësitë fetare "pragje" përmes të cilëve “familjet e shkatërruara nga lufta dhe nga dhuna" mund të gjejnë strehë, shpresë dhe paqe në Krishtin Shpëtimtar".
Me këtë urim Papa Françesku përshëndeti Motrat Rregulltare të Familjes Shenjte të Nazaretit, duke i pritur sot në audiencë, 4 dhjetor, në Sallën e Vogël të Palit VI, në Vatikan. Rasti është 150-vjetori i Kongregatës, çast historik që Papa e quan "arsye mirënjohjeje" për hiret e marra, por edhe "mundësi" për përtëritje shpirtërore në emër të "shërbimit të gëzueshëm ndaj Zotit".
Pritje durimtare e plot shpresë
Përvjetori, që bie në fillim të kohës së Ardhjes, "me pritjen e tij durimtare, plot shpresë në premtimet e Zotit", është model “për të pasur gjithnjë më shumë besim në provaninë hyjnore". Prandaj Françesku kërkon bashkëpunim ndërmjet misioneve të ndryshme të kongregatës së Motrave të të Familjes Shenjte të Nazaretit, të bashkuara nga soditja e Jezusit, "veçanërisht në të Shenjtnueshmin Sakrament të Eukaristisë dhe në njerëzit të cilëve u shërbejnë".
Bashkësi, "prag" për familjet
Përvjetori - thekson më tej Papa - përkon edhe me Jubileun 2025, çast i çmuar "për të bërë bilancin e jetës sonë", si individë dhe si anëtarë të një bashkësie. Një kohë, që është gjithashtu edhe mundësi për të reflektuar dhe për të dëgjuar "atë që na thotë Shpirti Shenjt sot". E edhe një meditim, që kërkon zemër të hapur për "takimin e vërtetë e personal me Zotin Jezus, "derën" e shpëtimit tonë":
“Bashkësitë tuaja qofshin gjithmonë “pragje” përmes të cilave familjet, që janë në qendër të karizmës suaj, të mund të gjejnë strehë, të gjejnë shpresë dhe paqe në Krishtin Shëlbues”.
Hiri, që bëhet gëzim
Papa Françesku kujton edhe familjet “e shumta”, “të shpërngulura nga shtëpitë e tyre, apo të ikura nga vendi i tyre”, duke u bërë thirrje besimtarëve të punojnë “për ata që jetojnë të gjitha llojet e vështirësive”.
“Kërkoj me gjithë zemër bekimin e Zotit mbi ju të gjitha, përfundon Papa, Hiri i tij qoftë gëzimi juaj”.