Kërko

Papa Françesku Papa Françesku

Papa: lufta është e keqe, lufta shkatërron. Tepër fëmijë të pafajshëm të vdekur

Në fund të audiencës së përgjithshme, Papa kërkoi edhe një herë lutje për paqen në vendet e prekura nga konfliktet. “Lufta është disfatë njerëzore”- theksoi - duke kujtuar, më pas, nismën e episkopatit polak kushtuar Ditës së Lutjes dhe Ndihmës Materiale për Kishën e Lindjes: faleminderit për ofertat në ato territore, veçanërisht në Ukrainë. Ndërsa me rastin e leximit të parë të katekizmit në gjuhën kineze, Françesku i dërgoi bekimin popullit të Kinës

R.SH. - Vatikan

“Lufta është humbje njerëzore… Lufta nuk i zgjidh problemet, lufta është e keqe, lufta shkatërron”.

Ishte pothuajse litani kundër tmerrit të konflikteve që godasin popujt dhe kombet e Evropës Lindore, Lindjes së Mesme, Azisë Juglindore dhe Afrikës, kjo që Françesku e shqiptoi nga skena e Sheshit të Shën Pjetrit. Në fund të audiencës së përgjithshme sot, 4 dhjetor, Papa, pasi përfundoi përshëndetjet në gjuhë të ndryshme, ngriti sytë nga letra e shkruar dhe shikoi turmën e besimtarëve, duke u kërkuar të gjithëve të bashkohen në një lutje korale për botën e dërmuar nga dhuna, që duket se po shumëfishohet, e jo të pakësohet:

“Ju lutemi, të vazhdojmë lutjen për paqe…” 

Mendimi për fëmijët, viktimat e luftërave

Si çdo të mërkurë dhe të dielë në Lutjen e Engjëllit, Papa renditi territoret e martirizuara, duke nisur me Ukrainën, pastaj Palestinën, Izraelin, Mianmarin. Mendimet tona janë me viktimat, mbi të gjitha - dhe këtu fytyra e Papës zymtohet - me fëmijët: "Kanë vdekur kaq shumë njerëz të pafajshëm". Sipas Unicef-it, numri i fëmijëve të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë ka arritur në pothuajse 40% këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar; i njëjti organ i OKB-së, pak muaj më parë, jepte alarmin për shtimin e viktimave civile, përfshirë fëmijët, për shkak të përdorimit të minave dhe mjeteve të tjera shpërthyese të përdorura nga palët e ndryshme në shkallëzimin e Mianmarit. E bëhet fjalë për mbi 3 mijë fëmijë, përfshirë ata nën moshën pesë vjeç, vrarë në Rripin e Gazës.

“Tepër fëmijë të vdekur, tepër të pafajshëm të vdekur. Të lutemi që Zoti të na sjellë paqen. Të lutemi gjithnjë për paqe".

Audienca e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit
Audienca e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit

Dita e lutjes dhe e ndihmës materiale për Kishën e Lindjes

Papa Françesku shprehu një mendim për Ukrainën në përshëndetjen drejtuar besimtarëve polakë, gjatë së cilës kujtoi kremtimin, të dielën e ardhshme, 8 dhjetor, të Ditës XXV të Lutjes dhe Ndihmës Materiale për Kishën e Lindjes. Nisma, aktive prej 24 vitesh, është e ipeshkvijve polakë: në bashkëpunim me organet, famullitë, kongregatat rregulltare, komunitetet apo donatorët individualë, organizon dhe dërgon ndihma të shumta humanitare për të mbështetur si refugjatët e luftës, që banojnë në Poloni, ashtu edhe njerëzit që jetojnë në territore të prekura nga efektet e luftërave. Falenderoj të gjithë ata që e mbështesin Kishën në ato territore me lutje dhe oferta, veçanërisht në Ukrainën e munduar nga lufta. E ju bekoj nga thellësia e zemrës sime – theksoi Papa.

Leximi në gjuhën kineze
Leximi në gjuhën kineze

Leximi në gjuhën kineze i përmbledhjes së katekizmit

 Një bekim i veçantë i Papës Françesku edhe për popullin kinez, me rastin e fillimit të leximit, për herë të parë, të përmbledhjes së katekizmit të së mërkurës në gjuhën kineze. Në fund të leximit nga përkthyesi dhe duke parë grupin e djemve dhe vajzave nga Kina në rreshtin e parë në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa i dërgoi përshëndetjet e tij vendit të madh lindor, për të cilin  e ka përsëritur gjithmonë nderimin dhe dashurinë e tij:

“Dëshiroj t’i drejtoj përshëndetjet e mia të përzemërta njerëzve që flasin gjuhën kineze, të pranishëm këtu, dhe atyre që janë të lidhur përmes mediave. Për të gjithë ju dhe familjet tuaja  kërkoj gëzim dhe paqe. Zoti ju bekoftë!”

04 dhjetor 2024, 13:03