Kërko

Papa hap Portën Shenjte dhe kremton Meshën në burgun romak Rebibbia Papa hap Portën Shenjte dhe kremton Meshën në burgun romak Rebibbia   (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Papa hap Portën Shenjte në burgun Rebibbia: "Mbahuni tek shpresa"

Pas Bazilikës së Shën Pjetrit, Françesku kremtoi sot ritin e Jubileut në Kishën e Atit tonë, në burgun romak të Rebibbia-s. Papa hyn i shoqëruar nga ipeshkvi Ambarus, nga të burgosur dhe nga punonjës të institutit. Në Meshë, ftesa “për t’i hapur portat e zemrës", sepse "zemrat e mbyllura dhe të ngurtësuara nuk na ndihmojnë të jetojmë" e as të kapemi pas shpresës, që është si "spirancë": "nuk të zhgënjen kurrë "

R. SH. - Vatikan 

“Portën e parë Shenjte e hapa për Krishtlindje në Shën Pjetër, por desha që Porta e dytë Shenjte të ishte këtu, në një burg. Desha që secili prej nesh që jemi këtu, brenda dhe jashtë, të kishim mundësinë të hapim portat e zemrave tona dhe të kuptojmë se shpresa nuk të zhgënjen”.

Papa Françesku është ulur, me paramente të kuqe, përpara derës prej bronzi në anën e djathtë të Kishës së Atit tonë, brenda burgut romak Rebibbia Kompleksi i Ri. Më pas ngrihet në këmbë dhe troket gjashtë herë në portat prej bronzi e, me hapa të ngadaltë kalon pragun e stolisur për këtë rast me lule e gjethe. Për herë të parë në histori Papa hap një Portë të Shenjtë brenda një burgu. Donte ta bënte atë sot, 26 dhjetor 2024, për të çuar dhuratën e shpresës - temë e gjithë Vitit të Shenjtë - në një vend izolimi dhe vështirësie, ku është e lehtë për ta humbur.

Por, ta ndjekim  fjalën e Papës, në këto çaste të pashoqe:

Në Ungjillin që dëgjuam, luftojnë urrejtja me shpresën, që shoqëron historinë e të gjithë njerëzve, deri në fund të fundit të kohës. Nga njëra anë Jezusi e pranon me dhimbje se "vëllai do ta bëjë të vdesë vëllanë" (Mt 10,21), nga ana tjetër, siguron se "kush do të ngulmojë deri në fund, do të shpëtohet" (Mt 10,22). Përballë dhunës dhe së keqes, shpresa e ka gjithnjë fjalën e fundit. Ja pse pohimet e Zotit janë lajm i mirë për ne, veçanërisht kur jemi duke vuajtur.

Shën Shtjefni, të cilin sot e kujtojmë në liturgji, është martiri i parë, domethënë, dëshmitari i parë i kësaj shprese. Pikërisht kur vritet nga vëllezërit e tij, nga anëtarët e popullit të tij, ai shpall: "Ja, po kundroj qiellin e hapur" (At 7,56). Ndërsa gurët që godasin Shtjefnin ia mbyllin sytë përmbi dhe, ai sheh portën e qiellit të hapur. Mizoria e njerëzve mposhtet nga mëshira e Zotit, i cili na mirëpret dhe na shpëton, duke na shpenguar nga çdo e keqe”.

Edhe ne sot, në këtë burg, po hapim një portë. Është porta e Jubileut, domethënë e një ngjarjeje që i bashkon të gjithë të krishterët në gëzim. Në një vend të mbyllur, shpresa hap një rrugë të re: po ku na çon? Tek falja e tek liria. Porta që po e hapim në këtë burg është shenjë e Krishtit, vëllait e Shëlbuesit tonë, i cili ia hap jetën tonë Zotit. Duke e nisur së bashku Jubileun, të reflektojmë për këto dy caqe: falja e liria!

Para së gjithash, falja. Ndërsa po mbytej, Shën Shtjefni "bërtiti me sa zë që kishte: "Zot, mos ua ngarko këtë mëkat!" (At. 7.60). Me martirizimin e tij, ai e dëshmoi kështu dashurinë e Jezusit që, duke vdekur mbi kryq, pati thënë: "O Atë, fali" (Lk 23,34). Kjo është dhurata më e madhe: falja, me të cilën Zoti na çliron nga çdo faj.

E kështu, falë këtij akti dashurie, ne e rigjejmë lirinë. Kjo fjalë ka kuptimin e forcës për të bërë çka është e drejtë: jemi të lirë, kur jemi të aftë për të qenë vërtet vetvetja, në të mirë. Meqë ra fjala, Jubileu që sapo filloi na jep guxim e na forcon, sepse Zoti Jezus i njeh mundimet tona, duke ecur me ne gjatë rrugës.

Të dashur, të kërkojmë ndërmjetësimin e Shën Shtjefnit, për ta dëshmuar çdo ditë, kudo që jemi, shpresën që na vjen nga Zoti. Falja e Zotit është për të gjithë: ta kapërcejmë me këtë fe portën e re!

26 dhjetor 2024, 11:10