Kërko

Papa në Engjëllin e Tënzot Papa në Engjëllin e Tënzot  (Vatican Media)

Françesku: familja model flet, dëgjon, kupton

Në luten e Engjëllit të Tënzot kremtuar sot Sheshin e Vatikanit, kur Kisha kujton festën e Familjes Shenjte, Papa u ndalua tek përshkrimi i marrëdhënieve prind-fëmijë, duke i ftuar prindërit të mendojnë me kujdes për këtë (Lk 2, 41-52) e duke u bërë thirrje: “Dëgjoni fëmijët tuaj: ata kanë nevojë!”.

R. SH. - Vatikan

Sot festojmë Familjen e Shenjtë të Nazaretit - ishin fjalët e para të Papës në Lutjen e Engjëllit zë Zotit, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit- që e nisi duke përshkruar shkurtimisht ngjarjen ungjillore të humbjes së Jezusit dymbëdhjetëvjeçar, në fund të shtegtimit vjetor në Jerusalem. Maria dhe Jozefi e gjetën më vonë në Tempull duke diskutuar me doktorët (shih Luka 2,41-52). Luka Ungjilltar zbulon gjendjen shpirtërore të Marisë, e cila e pyet Jezusin: “Bir, pse na e bëre këtë? Babai yt dhe unë po të kërkonim me ankth” (v. 48). Ndërsa Jezusi i përgjigjet: “Pse më kërkuat? A nuk e dinit se unë duhet të merrem me punët e Atit tim?" (v. 49).

Një familje që nuk komunikon, nuk mund të jetë e lumtur

Është një përvojë, do të thosha thuajse e zakonshme - kujtoi në vijim Papa - ndodh në çdo familje ku ka çaste të qeta e dramatike: duket si historia e një krize familjare, e një krize të kohëve tona, e një adoleshenti të vështirë dhe dy prindërve që nuk e kuptojnë dot.

Prej këndej, ftesa e Françeskut drejtuar turmës, që e ndiqte nga Sheshi:

“Le të ndalemi e të shohim këtë familje. A e dini pse Familja e Shenjtë e Nazaretit është model? Sepse është familje që flet, që dëgjon njëri-tjetrin, që kupton. Dialogu është elementi më i rëndësishëm për një familje! Një familje që nuk komunikon nuk mund të jetë familje e lumtur”.

Prindër, dëgjojini fëmijët tuaj: ata kanë nevojë  

Është bukur kur nëna nuk fillon me qortim, por me pyetje - shpjegoi në vijim Papa - Maria nuk akuzon e as nuk gjykon, por përpiqet të kuptojë se si ta mirëpresë këtë Bir shumë të ndryshëm, përmes dëgjimit. Pavarësisht nga kjo përpjekje, Ungjilli thotë se Maria dhe Jozefi "nuk e kuptuan atë që ai u kishte thënë" (v. 50), duke treguar se në familje është më e rëndësishme të dëgjosh, sesa të kuptosh.

Prej këndej, porosia e Papës drejtuar prindërve:

“Të dëgjosh do të thotë t'i japësh rëndësi tjetrit, t'i njohësh të drejtën për të ekzistuar dhe për të menduar në mënyrë të pavarur. Fëmijët kanë nevojë për këtë. Mendoni me kujdes ju prindër. Dëgjoni fëmijët tuaj: ata kanë nevojë”.

Çaste të përshtatshme për bisedë në familje

Çasti më i privilegjuar i dialogut dhe i dëgjimit në familje është gjatë ngrënies:

“Është mirë të ulemi bashkë në tryezë dhe të flasim. Kjo mund të zgjidhë shumë probleme dhe mbi të gjitha t’i bashkojë brezat: fëmijët që flasin me prindërit, nipërit që flasin me gjyshërit... Mos rrini kurrë të mbyllur në veten tuaj dhe, aq më keq, me kokën në celular. Kjo nuk funksionon... kurrë, kurrë. Duke folur, duke dëgjuar njëri-tjetrin, ky është dialogu që ju bën mirë dhe ju ndihmon të rriteni!”.

Ja çka mësojmë sot nga Familja Shenjte

Familja e Jezusit, Marisë dhe Jozefit është e shenjtë - kujtoi në përfundim të lutjes Papa - Megjithatë, ne kemi parë se edhe prindërit e Jezusit nuk e kuptonin gjithmonë atë. Mund të reflektojmë për këtë dhe të mos çuditemi nëse ndonjëherë në familjen tonë nuk kuptohemi. Kur na ndodh kjo, le të pyesim veten: a kemi dëgjuar njëri-tjetrin? A ndeshemi me probleme duke dëgjuar njëri-tjetrin, apo heshtim - dëgjojmë apo heshtim? – ndonjëherë nga inati, nga krenaria? A duhet të marrim pak kohë për të folur? Ajo që mund të mësojmë nga Familja e Shenjtë sot është dëgjimi i anasjelltë:

“T'ia besojmë Virgjërës Mari dhe të kërkojmë për familjet tona dhuratën e këtij dëgjimi”.

Në postimin Angelus, mendimet  e Papës shkuan tek familjet që vuajnë

Pas Engjëllit, përshëndetja e veçantë e Papës shkoi për familjet. “Familja është qeliza e shoqërisë”. Mendimet e Françeskut iu drejtuan veçanërisht, "familjeve në Korenë e Jugut" që vajtojnë për rrëzimin e avionit, duke i nxitur të gjithë të luten edhe për familjet që vuajnë nga luftërat në Palestinë, Ukrainë, Izrael, Mianmar, Sudan dhe Kivu Veriore.

29 dhjetor 2024, 13:10