Papa: Jubileu të na shndërrojë në "shtegtarë të shpresës së krishterë"

Në ndjetin e tij për dhjetorin, Papa na fton të lutemi "që ky Jubile të na forcojë në fe, duke na ndihmuar ta njohim Krishtin e ringjallur në mesin e jetëve tona, si edhe të na shndërrojë në shtegtarë të shpresës së krishterë"

R.SH. – Vatikan

“Për shtegtarët e shpresës”: atyre u drejtohet ndjeti i lutjes së Papës Françesku për muajin dhjetor. Një thirrje e veçantë, në prag të Jubileut të ardhshëm 2025. Papa na fton të lutemi “që ky Jubile të na forcojë në fe, duke na ndihmuar ta njohim Krishtin e ringjallur në mesin e jetëve tona, si edhe të na shndërrojë në shtegtarë të shpresës së krishterë”. Tema e videos, që përhapet, si zakonisht, nga Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës, pasqyron një nga shtyllat themelore të kësaj papnie. Françesku i fton besimtarët të jenë dëshmitarë të "shpresës së krishterë" në një botë ku mbizotëron dëshpërimi dhe mosbesimi. “Shpresa e krishterë është dhuratë e Zotit, që e mbush jetën tonë me gëzim. E sot, kemi kaq shumë nevojë për të. Bota ka shumë nevojë për të!”, shprehet ai në videomesazh.

Barka dhe spiranca

Në kohën e pandemisë, gjatë Statio Orbis në Sheshin e Shën Pjetrit, krejt shkretë, Papa pati përdorur metaforën ungjillore të barkës në mes të stuhisë, për të kujtuar brishtësinë dhe çorientimin e njerëzimit përballë sprovave të mëdha. Në një farë kuptimi, në ndjetin e lutjes së këtij muaji, Ati i Shenjtë na kthen përsëri në atë barkë, por për të nënvizuar rëndësinë e spirancës: "Shpresa – pohon ai, duke i shoqëruar fjalët me gjeste qartësisht të kuptueshme - është një spirancë, që e hedh me litar dhe zhytet në rërë. Duhet të qëndrojmë të lidhur me litarin e shpresës. Të kapur fort pas tij”.

Në gjurmët e Abrahamit

“Virtyti i shpresës na jep kaq shumë forcë për të ecur në jetë”, pati thënë Françesku në audiencën e përgjithshme të 28 dhjetorit 2016 kushtuar figurës së Abrahamit, i cili, nga njëra anë, nuk ka “frikë ta shohë realitetin ashtu siç është” dhe, nga ana tjetër, është në gjendje "të shkojë përtej arsyetimit njerëzor, urtisë dhe maturisë së botës, për të besuar në të pamundurën". Ashtu si Abrahami, edhe protagonistët e videos së Papës të këtij muaji nisen për një udhëtim, bashkë me vështirësitë e tyre: shqetësimet e një gruaje para dollapit pa ushqime, dyshimet e një studenteje për të ardhmen e saj…

“Ta mbushim jetën tonë të përditshme me dhuratën e shpresës, që na jep Zoti dhe t’i japim mundësi që, nëpërmjet nesh, të arrijë tek të gjithë ata, që e kërkojnë”, thekson Papa në mesazhin, që shoqëron ndjetin e lutjes. E pikërisht kjo ndodh me dy protagonistet e videos: të dyja gjejnë, përgjatë udhës së tyre të jetës, “shtegtarë të shpresës”, që i mirëpresin dhe i ngushëllojnë, duke i ftuar të bashkohen në rrugëtimin e tyre metaforik drejt Portës Shenjte, e cila do të mbetet e hapur për gjithë Jubileun.

Ja teksti i plotë i videos së Papës:

Shpresa e krishterë është dhuratë e Zotit, që e mbush jetën tonë me gëzim. E sot, kemi kaq shumë nevojë për të. Bota ka shumë nevojë për të! Kur nuk e dini nëse nesër do të jeni në gjendje t’i ushqeni fëmijët, ose nëse studimet tuaja do t’ju sigurojnë një punë të denjë, është e lehtë të shkurajoheni.

Ku ta kërkojmë shpresën? Shpresa është një spirancë. Një spirancë që e hedh me litar dhe zhytet në rërë. E duhet të qëndrojmë të lidhur me litarin e shpresës. Ta mbajmë fort. Ta ndihmojmë njëri-tjetrin për ta zbuluar këtë takim me Krishtin, që na jep jetë dhe të nisemi si shtegtarë të shpresës për të festuar jetën. E në jetë, hyn si etapë edhe Jubileu i ardhshëm. Ta mbushim jetën tonë të përditshme me dhuratën e shpresës, që na jep Zoti dhe t’i japim mundësi që, nëpërmjet nesh, të arrijë tek të gjithë ata, që e kërkojnë. Mos harroni: shpresa nuk zhgënjen kurrë.

Të lutemi që ky Jubile të na përforcojë në fe, të na ndihmojë ta njohim Krishtin e ringjallur në mesin e jetëve tona, si edhe të na shndërrojë në shtegtarë të shpresës së krishterë.

03 dhjetor 2024, 16:02