Françesku: të mbështesim fëmijët që vuajnë nga uria dhe lufta
R.SH. - Vatikan
Papa i kujton "të gjithë fëmijët që vuajnë nga shfrytëzimi, uria dhe lufta", në një postim të botuar në platformën X në faqen @ Pontifex, sot kur Kisha katolike përkujton Shenjtorët Martirë të Pafajshëm, ata të mitur "nga dy vjeç e poshtë" të vrarë në Betlehem me urdhër të mbretit Herod, siç na thotë Mateu ungjilltar, në mënyrë që të vdiste i porsalinduri"Mbreti i Judenjve".
Jezusi "Dera e hapur" edhe për fëmijët
Fatkeqësisht “masakra e të pafajshmëve” sot vazhdon të marrë forma të reja bashkë me ato të shkaktuara nga konfliktet. Në mesazhin e tij social, Papa Françesku na nxit t'u kushtojmë vëmendje "të vegjëlve" dhe i lutet Zotit që, shkruan Ati i Shenjtë, të "na ndihmon t'i mbrojmë dhe mbështesim ata". Një ftesë e përsëritur shpesh nga Papa edhe ditët e fundit së bashku me thirrjen për paqe në vendet e torturuara nga lufta.
Herodët e ditëve tona
Në shumë raste Papa ka denoncuar edhe persekutorët e sotëm, si në predikimin e shqiptuar në solemnitetin e Epifanisë së vitit 2022, kur theksoi se në shoqërinë e sotme "shumë Herodë mbjellin vdekje dhe masakrojnë të varfërit dhe të pafajshmit, në indiferencën e shumë njerëzve". Ndërsa në vitin 2016, pikërisht në ditën e Shenjtorëve Martirë të Pafajshëm, Papa iu drejtua me një letër ipeshkvijve duke u kërkuar atyre që “të dëgjojnë vajtimin e shumë nënave, të shumë familjeve, për vdekjen e fëmijëve të tyre, të fëmijëve të tyre të pafajshëm”, si ata që humbën jetën nga "tirania" e Herodit dhe "epshi i shfrenuar për pushtet".
“Një rënkim – shkroi Papa – që edhe sot ne mund të vazhdojmë ta dëgjojmë, që na prek shpirtin dhe që nuk mund dhe nuk duam ta injorojmë apo ta heshtim”. Nga këtu ftesa e Papës drejtuar prelatëve nga e gjithë bota për të mbrojtur pafajësinë e fëmijëve "nga Herodët e rinj të ditëve tona", të cilët e gëlltisin dhe e thyejnë atë "nën peshën e punës klandestine dheskllavëruese, nën peshën e prostitucionit dhe të shfrytëzimit. Pafajësia e shkatërruar nga luftërat dhe emigracioni i detyruar”.