Papa pret në audiencë Presidenten e Parlamentit Evropian Metsola
R.SH. / Vatikan
Papa Françesku priti dje paradite në audiencë, Presidenten e Parlamentit Evropian Roberta Metsola, pak pas orës 9 të mëngjesit, në Bibliotekën e Pallatit Apostolik të Vatikanit. Takimi zgjati rreth 30 minuta. Në fund të bisedës, Papa i dhuroi mysafires së tij skulpturën prej terrakote “Tenderness and Love”, një kopje e Mesazhit të këtij viti për Paqen dhe vëllime me dokumente papnore.
Presidentia Metsola i ofroi Papës një tabaka qeramike të zbukuruar me partiturën e "Odës së Gëzimit" të Ludwig van Beethoven, himn zyrtar i Bashkimit Evropian.
Skulptura “Tenderness and Love”, vepër e Silvia Ghirlanda, me drejtimin artistik të Michele Palazzettit, shpreh mesazhin e dashurisë dhe të mbrojtjes së krijimit, frymëzuar nga mësimet e Françeskut. Në veçanti, nga fjalët e predikimit të 19 marsit 2013, në Meshën e fillimit të papnisë:
"Ta ruaj krijimin çdo burrë dhe çdo grua me një vështrim butësie e dashurie, do të thotë të hapë horizontin e dritës e, me një çarje drite në mes të shumë reve, të sjellë ngrohtësinë e shpresës". Skulptura portretizon në njërën anë figurën e Shën Françeskut të Asizit, simbol i paqes dhe respektit për njerëzimin dhe natyrën, e nga ana tjetër, pamjen e një bote të kërcënuar nga ndotja.