Papa: Át Gustavo Gutiérrez ishte "njeri i madh i Kishës"
R.SH. – Vatikan
“Sot mendoj për Gustavin. Gustav Gutiérrez. Njeri i madh. Njeri i Kishës”. Këtë vë në dukje Papa Françesku në një videomesazh, që u shfaq gjatë funeralit të Át Gustavo Gutiérrez. I njohur gjerësisht si themeluesi i teologjisë çlirimtare, e cila i jep përparësi kujdesit të Kishës për të varfërit, eshtrat mortore të Át Gutiérrez u varrosën në Lima të Perusë, dje, 24 tetor. Në mesazhin e tij, Papa Françesku kujton se meshtari “dinte të heshtëte kur kishte nevojë të heshtëte; dinte të vuante kur duhej të vuante”.
Kongregata për Doktrinën e Fesë, udhëhequr në atë kohë nga kardinali Joseph Ratzinger (më vonë Papa Benedikti XVI), pati bërë një studim të thelluar mbi teologjinë e çlirimit. Pas këtij hetimi, u deklarua se shkrimet e Át Gutiérrez nuk kishin gabime doktrinore.
Át Gutiérrez, pohon Papa Françesku në mesazhin e tij, “arriti të çonte përpara kaq shumë fryte apostolike dhe një teologji tejet të pasur. U prehtë në paqe”. Në vitin 2014, Papa Françesku shkroi hyrjen e një libri, titulluar “Të varfërit për të varfërit: Misioni i Kishës”, ku meshtari peruvian pati kontribuar me dy kapituj.
Në qershor 2015, Át Gutiérrez pati folur në Radio Vatikan për teologjinë e çlirimit. Atëherë pati theksuar se parapëlqimi i Kishës për të varfërit nuk është ndonjë obsesion, por pranimi se varfëria “është realitet i botës, sepse varfëria po shkatërron njerëz dhe familje”. “Varfëria – pati thënë ai në intervistë - në analizë të fundit, është vdekje. Tashmë, Kisha e kupton këtë më mirë se në të kaluarën”.