Kërko

 Françesku në audiencë me rregulltarët pasionistë në Kapitullin e Përgjithshëm të Kongregatës së Mundimeve të Jezu Krishtit Françesku në audiencë me rregulltarët pasionistë në Kapitullin e Përgjithshëm të Kongregatës së Mundimeve të Jezu Krishtit  (Vatican Media)

Françesku: lufta është humbje e njerëzimit - dashuria, shpresë

Në audiencën me rregulltarët pasionistë, me rastin e Kapitullit të tyre të 48-të të përgjithshëm, Papa dënoi konfliktet dhe varfërinë, "dinamizma perverse", që prodhojnë ndarjen ndërmjet njerëzve dhe "refuzimin e të ligshtit": "Nëse asgjë nuk mund ta mbysë në qenien njerëzore aftësinë për të dashur, atëherë asgjë nuk është e humbur"

R. SH. - Vatikan

Të gjithë kanë nevojë për "dritën e Ungjillit", prandaj "është i nevojshëm një mision" që arrin "numrin më të madh të mundshëm të njerëzve": Françesku ua theksoi këtë pjesëmarrësve në kapitullin e 48-të të përgjithshëm të Kongregatës së Mundimeve të Krishtit - pritur në audiencë sot, 25 tetor, në Sallën Klementinë të Pallatit Apostolik – duke uruar të hapen "shtigje të reja" dhe të krijohen "mundësi të reja për të lehtësuar takimin ndërmjet njerëzve dhe me Zotin":

“Duhet, prandaj, të dilni rrugëve, shesheve dhe rrugicave të botës, për të mos u ngurrosur, as për t’u mykur, por si provë e fesë gazmore e të frytshme. Mirëpo, kjo dalje mund të jetë e frytshme vetëm nëse buron nga  dashuria e pafundme për Zotin dhe njerëzimin, e jetuar në jetën kundruese, në marrëdhëniet vëllazërore të bashkësisë dhe në mbështetjen e anasjelltë -  jetë soditëse dhe marrëdhënie me bashkësinë. Mos e braktisni, prandaj, jetën soditëse: ju keni një traditë të pasur të jetës soditëse - atë për të ecur së bashku, duke  jetuar praninë e Zotit mes jush”.

Vazhdimisht të rrënjosur në lutje

Na duhen "ngjarje ungjillizimi" që paraqesin "bukurinë sublime të Personit të Krishtit, së bashku me fytyrën e një Kishe tërheqëse, mikpritëse, të aftë për t'u angazhuar", ishte këshilla e Papës, i cili e konsideron të domosdoshme "rrënjosjen e vazhdueshme në lutje dhe në Fjalën e Zotit”, veçanërisht për pasionistët, “tërheqja për lutje dhe kundrim, herë për disa muaj e herë ditë për ditë a në pjesë të ndryshme të ditës”.

Kumtojeni Krishtin në vuajtjet e sotme

Shën Pali i Kryqit, i cili e përkufizoi vdekjen e Jezusit si "derë për të hyrë në intimitetin e lutjes dhe të bashkimit me Të, shkollë për të mësuar të gjitha virtytet, energji që e bën njeriun të aftë për të përballuar çdo dhimbje", "shprehja më e lartë e dashurisë së Zotit” - kujton Papa - donte të mblidhte shoqërues “të zhytur në kundrimin” e kësaj dashurie të panjohur dhe të pavlerësuar, e edhe të gatshëm “për ta shpallur”. Prej këndej, ftesa e Françeskut për rregulltarët, që të angazhohen në këtë drejtim në botën e sotme:

“Pasionistët duhet të dinë ta shpallin praninë e Krishtit të Ngjallur në vuajtjet e ditëve tona. E njohim mirë gjerësinë dhe katandisjen në varfëri, në luftëra, në rënkimet e krijimit, në dinamizmat e çoroditura, që prodhojnë ndarjen ndërmjet njerëzve dhe flakjen e të ligshtëve. Të bëhet gjithçka është e mundur për të shmangur që dhimbja e vëllezërve tanë të mbetet e pakuptimtë dhe të përfundojë në humbje dhe në dëshpërim të njerëzimit”.

Aftësia për të dashuruar nuk mund të mbytet

Duke i kushtuar vëmendje Jubileut, hapja e të cilit është fare pranë, Papa   preku edhe temën e shpresës, e cila "ka një marrëdhënie të veçantë me karizmën e pasionistëve", sepse "arsyeja teologjike e saj është vdekja dhe ringjallja e Krishtit". Françesku theksoi se "gjaku dhe uji që rrjedhin nga zemra e Krishtit na kujtojnë se jeta vazhdon edhe përtej vdekjes" dhe se "dashuria gurron mbi njerëzimin në dhuratën e Shpirtit, duke komunikuar me një fuqi që askush nuk mund ta zhdukë". Pikërisht drejt gjithë kësaj orientohet shpresa:

“Nëse asgjë nuk mund t’ia zërë frymën aftësisë së njeriut për të dashuruar, atëherë asgjë nuk humbet, gjithçka rigjen kuptim dhe vlerë, gjithçka shpëtohet. Në këtë siguri feje rrënjoset shpresa”

Urgjenca e dashurisë

Së fundi Papa u vuri në dukje pasionistëve "kujdesin e Virgjërës Mari" dhe i nxiti të jetojnë "kushtimin dhe misionin e tyre, të vetëdijshëm për urgjencën e përhapjes së lajmit të shpëtimit".

“Nuk është nxitimi i orës, krónos, por ajo e hirit, kairós, e dashurisë që vrapon për të arritur qëllimin, si vala e detit nxiton të prekë bregun”.

25 tetor 2024, 13:14