Pjesëmarrësit në Kapitullin e Përgjithshëm të Shoqërisë së Fjalës Hyjnore (Verbiti) në audiencë me Papën Françesku (Vatican Media) Pjesëmarrësit në Kapitullin e Përgjithshëm të Shoqërisë së Fjalës Hyjnore (Verbiti) në audiencë me Papën Françesku (Vatican Media)  (Vatican Media)

Papa-Verbitëve: mbajtës të shpresës e ndërtues të paqes, jetojeni sinodalitetin

“Shndritët drita juaj para njerëzve: dishepuj besnikë dhe krijues në një botë të plagosur”: kjo është tema e Kapitullit të Përgjithshëm të Shoqërisë së Fjalës Hyjnore (Verbitët), pjesëmarrësit e së cilës Françesku i priti sot paradite në Vatikan. Në fjalimin që u drejtoi, nxitja e besimtarëve që të reflektojnë "si ta ndajnë gëzimin e Ungjillit sot, si ta ndjejnë nevojën e njerëzve për paqe e ta respektojnë çdo kulturë dhe çdo popull"

R. SH. - Vatikan

Thirrja juaj misionare lind nga njohja me Fjalën e Zotit, e cila "përfton, jep jetë, frymëzon, motivon", është burimi nga i cili mund të shuani etjen për të qenë "dishepuj besnikë" dhe "misionarë krijues". Këto, fjalët që u drejtoi Papa Françesku Verbitëve, të cilët i priti në Sallën e Klementine, duke kujtuar temën "prekëse" të Kapitullit të tyre të Përgjithshëm. Besnikëria dhe fryma krijuese ishin fjalët që Papa i nënvizoi si të nevojshme për t’ua çuar Ungjillin gjithë popujve, të plagosur nga konfliktet e nga dhuna, ashtu si dhe praktikimin e sinodalitetit "në të cilin të gjithë ndihen të përfillur dhe të mirëpritur".

Audienca e Papës me verbitët
Audienca e Papës me verbitët

"Dishepulli besnik - theksoi në vijim Papa - shihet nga gëzimi i Ungjillit që ia shndrit  fytyrën, nga mënyra e jetesës, me të cilën u transmeton të tjerëve Dashurinë që e mori i pari dhe e merr çdo ditë", si dhe fryma krijuese, që nuk buron nga vetja, por vjen nga Shpirti Shenjt, sepse është Ai - nënvizoi - “që i tërheq zemrat, nuk jemi ne!”:

“Ju veproni në 79 vende: jeni atje për të shpallur Ungjillin dhe për ta bërë të pranishme Mbretërinë e Zotit në botë. Veprimtaritë krijuese misionare lindin nga dashuria për Fjalën e Hyjit; krijimtaria lind nga kundrimi dhe shqyrtimi. E edhe nëse veprimi krijues personal është i mirë, veprimi i bashkësisë është edhe më i mirë për unitetin dhe forcën e Kishës”.

Disa urgjenca aktuale

Në një botë të përçarë dhe të plagosur si kjo e sotmja, dalin në pah disa urgjenca, që Françesku i vuri në dukje. E para është “të jesh ndërtues i paqes”, ta dëgjosh britmën e njerëzve.

“T’ua çojmë të gjithëve paqen e Krishtit, e posaçërisht të varfërve, mërgimtarëve, grave të nëpërkëmbura, fëmijëve, të përjashtuarve nga radhët e shoqërisë. Zoti e ka dëgjuar britmën e popullit të robëruar; të mos i mbyllim veshët para britmave të skllevërve të sotëm dhe të jemi krijues në  sigurimin e paqes”.

Audienca e Papës me verbitët
Audienca e Papës me verbitët

E dyta, është " të japësh shpresë" ose më mirë të themi "të jesh shpresë" për të gjithë. “Në prag të Vitit Jubilar, në një botë të plagosur, bashkësitë tona duhet të bëhen simbole shprese” - nënvizoi Papa - e kjo është dëshmia që duhet të japë Verbiti kudo, kudo që jeton,  për të krijuar një kulturë të re dashurie”, të frymëzuar nga e vërteta e sjellë nga Krishti. Këtë theksoi Papa e vijoi:

“Të jesh shpresë profetike për çdo kulturë. Çfarë sfide! Vetëm Kisha Katolike mund t'ju përgjigjet, sepse që në fillim ajo është gjallëruar nga Shpirti i Rrëshajëve. Ju jeni specialistë të ndërkulturitetit. Me kalimin e viteve, u mësuar ta jetoni misionin duke respektuar çdo kulturë dhe çdo popull”.

Misioni është gjithnjë sinodal

Më pas Françesku preku temën e sinodalitetit, në të cilin thirret Kisha që, në dëgjimin dhe dialogun me të gjithë, duhet të dallojë "në Shpirtin Shenjt cili është misioni i saj". E duke cituar Mesazhin e tij për Ditën Botërore të Misionit 2024, Papa saktësoi:

“Sinodaliteti nuk është modë, është në vetvete misionar dhe, anasjelltas, misioni është gjithmonë sinodal. Prandaj, ju inkurajoj ta jetoni sinodalitetin në çdo aspekt të jetës suaj: lëreni të rritet çdo bashkësi dhe të gëzojë stilin sinodal, në atmosferën e të cilit të gjithë dëgjohen dhe mirëpriten”.

Audienca e Papës me verbitët
Audienca e Papës me verbitët
28 qershor 2024, 11:27