Papa: të ndërtojmë një Kishë e një shoqëri “me porta të hapura”
R.SH. / Vatikan
Në qendër të festës së sotme, Pajtorët Qiellor të Romës, Apostujt Pjetër dhe Pal: peshkatari nga Galilea, të cilin Jezusi e bëri peshkatar njerëzish e farizeu, persekutuesi i Kishës, i shndërruar nga Hiri në ungjillëzues të popullit - këto, fjalët e para të homelisë së Françeskut, në Altarin e Katedrës. Në vijim ftesa e Papës që, në dritën e Fjalës së Zotit, të frymëzohemi nga historia e tyre, nga zelli apostolik në gjithë rrugën e jetës së tyre. Duke takuar Zotin, ata jetuan një përvojë të vërtetë Pashkësh: u çliruan, e para tyre u hapën dyert e një jete të re.
Kështu i kujtoi Papa Kryeapostujt në fillim të homelisë, për të kaluar sakaq tek ngjarja e madhe, që e pret me padurim mbarë bota e krishterë e gjithë njerëzit vullnetmirë.
Meditim, pranë Portës së Shenjtë
Papa Françesku e vijoi homelinë me ftesën drejtuar gjithë besimtarëve në prag të vitit jubilar, për t’u ndalur te Porta Shenjte, simboli kryesor i këtij viti të jashtëzakonshëm:
“Jubileu do të jetë kohë hiri, në të cilën do të hapim Portën Shenjte, në mënyrë që të gjithë të mund të kalojnë pragun e asaj shenjtëroreje të gjallë, që është Jezusi dhe, në Të, të jetojnë përvojën e dashurisë së Zotit që rigjallëron shpresën dhe rikrijon gëzimin. E madje edhe në historinë e Pjetrit dhe Palit ka dyer që hapen. Le të meditojmë për këtë”.
Zoti e çliron gjithnjë Kishën e tij, të lidhur me zinxhirë
Duke vijuar homelinë, Papa u ndalua tek Leximi I, tek historia e çlirimit të Pjetrit nga burgu. Kjo histori - kujtoi Ati i Shenjtë - ka shumë pamje, që na kujtojnë përvojën e Pashkëve: episodi ndodh gjatë festës së bukëve të pambrume; Herodi kujton figurën e faraonit të Egjiptit; çlirimi ndodh natën siç ndodhi për izraelitët; engjëlli i jep Pjetrit të njëjtat udhëzime që iu dhanë Izraelit: ngreju shpejt, lidh rripin e mbath sandalet (shih Veprat e Apostujve 12,8; Da 12,11). Çka na kujton kjo skenë, është heksod i ri:
“Zoti e çliron Kishën e tij, popullin e tij të lidhur me zinxhirë e duket edhe një herë si Zoti i mëshirës, që e mbron rrugën e tyre”.
Zoti na paraprin, gjithnjë
E në atë natë çlirimi, fillimisht dyert e burgut hapen mrekullisht; më pas thuhet për Pjetrin dhe engjëllin që e shoqëron se gjenden përballë «portës së hekurt që të çon në qytet; e ajo hapet vetvetiu para tyre” (Veprat 12,10). Nuk e hapin ata, hapet vetvetiu.
“Është Zoti që i hap dyert, është Ai që çliron dhe ia hap rrugën Pjetrit. Jezusi ia kishte besuar çelësat e Mbretërisë; por ai e shikon me sytë e tij se është Zoti ai, që i hap edhe dyert i pari. Sepse gjithmonë na paraprin”.
Rruga e Shën Palit, përvojë e Pashkëve
Edhe rruga e Apostullit Pal – kujtoi në vijim Papa - është para së gjithash përvojë e Pashkëve. Fillimisht ai shndërrohet nga i Jezusi Ngjallur në rrugën për në Damask dhe më pas, në soditjen e vazhdueshme të Krishtit të Kryqëzuar, zbulon hirin e ligshtisë:
“Kur jemi të ligësht, pikërisht atëherë jemi të fortë, sepse nuk kapemi më pas vetes, por pas Krishtit (shih 2 Kor 12,10)”. I rrëmbyer nga Zoti dhe i kryqëzuar me Të, Pali shkruan:
"Nuk jetoj më unë, Është Krishti ai, që jeton në mua" (Gal. 2:20). Por qëllimi i gjithë kësaj nuk është besim intim dhe ngushëllues; përkundrazi, takimi me Zotin ndez në jetën e Palit zellin për ungjillëzimin. Siç e dëgjuam në Leximin II, në fund të jetës së tij, ai deklaroi: ‘Zoti ishte pranë meje dhe më dha forcë, që të mund të plotësoja shpalljen e Ungjillit e ta dëgjonin gjithë njerëzit " (2 Tim. 4,17).
Pikërisht për të treguar se si Zoti i dha atij kaq shumë mundësi për të shpallur Ungjillin, Pali përdor figurën e dyerve të hapura. Kështu, për mbërritjen e tij në Antioki së bashku me Barnabën, shkruhet se "sapo mbërritën, ata mblodhën Kishën dhe treguan gjithçka që Hyji kishte bërë me anë të tyre dhe se si ua kishte hapur derën e fesë paganëve". Veprat e Apostujve 14:27). Po kështu, duke iu drejtuar bashkësisë së Korintit, thotë:
“M’u hap një derë e madhe dhe e favorshme” (1 Kor 16,9); e, duke u shkruar kolosianëve, i nxit kështu: ‘Lutuni edhe për ne, që Hyji të na hapë derën e Fjalës, për të shpallur misterin e Krishtit" (Kol 4,3).
Porta Shenjte, takim me Zotin
Vëllezër dhe motra - vijoi të kujtonte Papa në homelinë e Meshës së kremtuar në këtë ditë të madhe, në zemër të Romës në festë - dy Apostujt Pjetër dhe Pal patën këtë përvojë hiri. Ata e prekën me dorë veprën e Zotit, i cili hapi së pari dyert e burgut ‘të shpirtit’ të tyre, e më pas, edhe ato të burgjeve të vërteta ku ishin mbyllur për shkak të Ungjillit. E, për më tepër, ai hapi dyert e ungjillizimit para tyre, në mënyrë që të përjetonin gëzimin e takimit me vëllezërit dhe motrat e bashkësive të sapolindura dhe të mund t'ua çonin të gjithëve shpresën e Ungjillit:
“E kështu, ndërsa përgatitemi të hapim Portën Shenjte, ky është mesazh edhe për ne. Edhe ne kemi nevojë që Zoti t’i hapë dyert e zemrave tona, ndonjëherë të penguara nga frika, të mbyllura nga egoizmi, të vulosura nga indiferenca a nga dorëheqja, në mënyrë që të mund të takohemi me Të”.
Roma, qytet i dyerve të hapura e i ëndrrave të harmonisë
Duke parë shenjtorët mbrojtës të këtij qyteti - vijoi Papa - jemi thirrur edhe ta ëndërrojmë Romën si "qytet me dyer të hapura". Në shekujt e kaluar u ndërtuan shumë dyer, njëheresh me muret rrethuese, për t'u mbrojtur nga rreziqet dhe armiqtë, por sot duhet të kultivojmë dëshirën për një qytet që nuk ka nevojë për mbyllje mbrojtëse, por për dyer që hapen drejt shpresës, drejt së ardhmes, drejt harmonisë, zhvillimit integral që i përfshin të gjithë:
“Ne e ëndërrojmë dhe e ndërtojmë Romën - dhe kështu çdo qytet dhe gjithë shoqërinë - si vend me dyer të hapura; vend që nuk gllabërohet nga betoni dhe trafiku, por ku hapësirat janë më të jetueshme dhe më të pranueshme për të gjithë; vend mikpritës, ku të gjithë mund të ndihen si në shtëpinë e tyre dhe askush nuk është i përjashtuar apo i harruar; një vend, që inkurajon takimet ndërmjet njerëzve, miqësinë shoqërore, solidaritetin falas; një vend që i hap rrugën kulturës, artit, bukurisë, një thesar që jemi thirrur ta rizbulojmë për t'i dhënë frymë jetës sonë”.
Barinj, sipas shembullit të Krishtit
Vëllezër dhe motra, - kujtoi Papa në përfundim të homelisë – e në fillim t, një kremtimi tjetër - sot kryeipeshkvijtë Metropolitë të emëruar në vitin e fundit marrin Paliumin. E Papa kujtoi në këto çaste pikërisht si duhet të jetë bariu:
“Në bashkësi me Pjetrin dhe duke ndjekur shembullin e Krishtit, dera e deleve (shih Gjoni 10:7), ata thirren të jenë barinj të zellshëm që hapin dyert e Ungjillit dhe që, me shërbesën e tyre, kontribuojnë në ndërtimin e një Kishe dhe një shoqërie me dyer të hapura”.
Së fundi, përshëndetja e dëshiruar e Papës, ajo drejtuar anëtarëve të delegacionit të ardhur nga Stambolli:
“Me dashuri vëllazërore përshëndes Delegacionin e Patriarkanës Ekumenike: faleminderit që erdhët për të shprehur dëshirën e përbashkët për bashkim të plotë të Kishave tona. Shenjtorët Pjetër dhe Pal na ndihmofshin t'ia hapim derën e jetës sonë Zotit Jezus, të ndërmjetësojnë për ne, për qytetin e Romës dhe për mbarë botën. Amen”.