Efektet e një bombardimi izraelit në fshatin Khiam, në Libanin jugor, pranë kufirit Efektet e një bombardimi izraelit në fshatin Khiam, në Libanin jugor, pranë kufirit  (AFP or licensors)

Papa: t’ua besojmë Shenjtorëve Pjetër e Pal paqen në Ukrainë, në Tokën Shenjte e në Mianmar

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Françesku i ftoi besimtarët t’i luten Apostujve Pajtorë të Romës, solemnitetin e të cilëve Kisha do ta kremtojë të shtunën e ardhshme, në mënyrë që "popullatat e vuajtura nga lufta", të gëzojnë paqen. Gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, kërkoi të ndihmohen dhe të shoqërohen ata që janë në morsën e varësisë nga droga.

Me dëshirën për paqen gjithmonë në zemër Papa, në përfundim të audiencës së përgjithshme, mbajtur sot, 26 qershor, duke përshëndetur besimtarët, ua besoi ndërmjetësimit të shenjtorëve Pjetër e Pal, solemnitetin e të cilëve Kisha do ta kremtojë të shtunën, më 29, "popullatat që vuajnë nga lufta, Ukrainën e martirizuar, Palestinën, Izraelin dhe Mianmarin, në mënyrë që të mund të gëzojnë së shpejti paqen".

E, më pas, i ftoi të gjithë që, duke ndjekur shembullin e Shenjtorëve Apostuj, të jenë “dishepuj misionarë, duke e dëshmuar kudo bukurinë e Ungjillit”.

Në përshëndetjen drejtuar shtegtarëve që flasin portugalisht, i nxiti të vazhdojnë ta ushqejnë besimin e ta jetojnë me gëzim dashurinë e Krishtit në bashkësitë e tyre. Entuziazmi juaj - vijoi - u frymëzoftë nga shenjtorët Pjetër dhe Pal".

T’i ndihmojmë të rinjtë të mos bien në varësinë nga droga

Pak më parë, në përshëndetjen drejtuar shtegtarëve polakë, duke kujtuar temën e katekizmit, Ditën Botërore kundër abuzimit dhe trafikut të paligjshëm të drogës, Françesku kujtoi se periudha e pushimeve, që do t’i fillojmë, është "çast në të cilin shumë të rinj e provojnë drogën për herë të parë”. Prej këndej  uroi që Dita Botërore, e cila kremtohet sot, t'u kujtojë të gjithëve se duhet "t'u kushtojnë vëmendje të veçantë sigurisë së fëmijëve dhe të rinjve".

Duke folur me besimtarët frëngjishtfolës, Papa u besoi një mandat të veçantë:

“Si shërbëtorë të Ungjillit të mëshirës, ​​ne mund t’i lehtësojmë, mund t’i mjekojmë e t’i shërojmë dhe vuajtjet e shkaktuara nga droga, në mënyrë që  kush është në kthetrat e varësisë, të ndjehet i ndihmuar dhe i shoqëruar”.

Shtegtarëve gjermanishtfolës Papa u kujtoi se "abuzimi me drogën u shkakton shumë njerëzve të kohës sonë vuajtje të madhe shpirtërore". E në vijim, i ftoi të gjithë të jenë "më të vëmendshëm ndaj fqinjit, në mënyrë që të mund ta kuptojnë me kohë se ndihma jonë është e nevojshme".

Besimtarëve arabë u kujtoi se "lufta kundër shpërdorimit të drogës është  betejë për dinjitetin njerëzor dhe shpresë për një të ardhme më të mirë për të gjithë".

Përshëndetjet në italisht,

Papa përshëndeti, në veçanti, besimtarët e famullive të San Michele Arcangelo në Casagiove, Madonna dei Poveri në Seminara dhe Santa Maria delle Grazie në Ortona. Më pas, ushtarët e Shkollës së Policisë Ekonomiko-Financiare të Rojës së Financës.

Në fund, mirëpriti përzemërsisht fëmijët dhe të rinjtë e Shoqatës “Gabry Dance” të Poggiomarino, shoqëruar nga familjarët e tyre dhe edukatoret sportive.

Si zakonisht, urimet e fundit ishin për të rinjtë, të sëmurët, të moshuarit dhe të porsamartuarit.

26 qershor 2024, 12:18