Papa: kultivues dhe jo grabitqarë të Krijimit, duhen kufij etikë
R.SH. – Vatikan
Shpresa është rruga e Papës Françesku për të rizbuluar harmoninë me natyrën, në Mesazhin e tij për Ditën Botërore të Lutjes për Ruajtjen e Krijimit, e cila kremtohet më 1 shtator. Jo rastësisht tema e edicionit 2024 të saj është "Shpreso dhe vepro bashkë me Krijimin e Zotit". Shpresë, për të mos u shtypur nën "të keqen e botës", nën padrejtësitë, nën "luftërat e shumta vëllavrasëse, që shkaktojnë vdekjen e fëmijëve, shkatërrojnë qytetet, ndotin ambientin jetësor të njeriut". Shpresë është për “tokën mëmë të përdhunuar e të shkatërruar", sepse na bën të vetëdijshëm për faktin se "i gjithë kozmosi dhe çdo krijesë rënkon dhe dëshiron me padurim" të kapërcehet gjendja e tanishme dhe të rivendoset ajo e zanafillës, pra, ajo para mëkatit të Adamit.
Edhe Krijimi vuan nga skllavëria e korrupsionit
Edhe Krijimi i Zotit "është subjekt i shpërbërjes dhe i vdekjes, rënduar nga abuzimi njerëzor me natyrën", thekson Françesku në dokumentin e publikuar sot, më 27 qershor. Por, vijon ai, "Krijimi do të çlirohet nga skllavëria e korrupsionit për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Hyjit", pra, "në shëlbimin e Krishtit" mund të "mendojmë me shpresë lidhjen e solidaritetit ndërmjet qenieve njerëzore dhe të gjitha krijesave të tjera".
Rreziku i pushtetit të njeriut
Është shpresë për t'u kultivuar, nënvizon më tej Papa, duke kuptuar rreziqet, që mund të vijnë nga njeriu, sepse, siç është përsëritur tashmë në Nxitjen Apostolike “Laudate Deum”, pavarësisht nga "progresi teknologjik", "jemi bërë shumë të rrezikshëm, të aftë për të vënë në rrezik jetën e shumë qenieve dhe vetë mbijetesën tonë". Vërtet, pushteti i njeriut është bërë "i pakontrollueshëm, bën të lindin përbindësha e kthehet edhe kundër vetvetes". Për këtë arsye, shkruan Françesku, "sot është urgjente t’i vendosen kufij etikë Inteligjencës Artificiale, e cila me aftësinë e saj në llogaritje e simulim mund të përdoret për të dominuar mbi njeriun dhe natyrën" dhe jo në "shërbim të paqes dhe të zhvillimit të gjithanshëm”.
Shpirti Shenjt udhëheq hapat e njeriut
Duhet ta kuptojmë se “Shpirti Shenjt na shoqëron në jetë”, siç “e kuptuan mirë fëmijët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për Ditën e tyre të parë Botërore”, vazhdon Papa, duke shpjeguar se Zoti “është Atë i dashur, Bir miqësor dhe shëlbues i çdo njeriu”. “Shpirti Shenjt na i drejton hapat në rrugën e dashurisë”, prandaj bindja ndaj tij e çon njeriun në ndryshime "rrënjësore", e bën "kultivues të kopshtit" dhe jo "grabitqar". “Toka i është besuar njeriut, por ajo mbetet e Zotit. Ky është antropocentrizmi teologjik i traditës hebraiko-kristiane”, sqaron Françesku, duke shtuar se kur njeriu “pretendon ta zotërojë e ta dominojë natyrën, duke e manipuluar atë sipas dëshirës, kjo është një formë idhujtarie”, me të cilën ai “i dehur nga pushteti i tij teknokratik”, me arrogancë, “e privon” tokën “nga hiri i Tënzot”.
Mbrojtja e Krijimit është çështje etike dhe teologjike
Por "sot, edhe falë zbulimeve të fizikës bashkëkohore, lidhja e materies me shpirtin" nuk është krejtësisht e panjohur për ne. Kjo na ndihmon të kuptojmë se "mbrojtja e Krijimit" është "çështje, përveçse etike, edhe kryesisht teologjike: ka të bëjë, në fakt, me ndërthurjen e misterit të njeriut me atë të Zotit”, thekson Papa. Ndërthurje, që “lidhet me aktin e dashurisë me të cilin Zoti krijoi qenien njerëzore në Krishtin”, prandaj, “kemi një motivacion transhendental (teologjiko-etik), që e angazhon të krishterin në promovimin e drejtësisë dhe të paqes në botë, edhe nëpërmjet destinacionit universal të pasurive” natyrore.
Të jetojmë shpresën në dramat e njerëzimit dhe në dhimbjen e natyrës
Mesazhi i Françeskut na fton ta jetojmë konkretisht shpresën. Besimtarët duhet të dëshmojnë për të "në tragjeditë e të vuajturve", "të frymëzuar nga dashuria, vëllazërimi, miqësia dhe drejtësia për të gjithë", duke u siguruar që "shëlbimi i krishterë" të hyjë "në thellësinë e dhimbjes së botës”, si të njeriut, ashtu edhe të natyrës, ku vetë njeriu banon. Sepse, me shpresën, ai "e di se çdo gjë priret drejt lavdisë së Zotit, drejt horizontit të fundmë në paqen e tij", pavarësisht se në kohën që jetojmë "ndajmë dhimbje dhe vuajtje". Edhe Krijimi, megjithëse rënkon, ka besim në Hyjin, në realizimin e planit të Tij, që është gëzimi, dashuria dhe paqja.
Interpretim alternativ i historisë
Praktikisht, vëren Papa, "shpresa është mundësi për të qëndruar të palëkundur në mes të fatkeqësive, për të mos u shkurajuar në kohë mundimesh, ose përballë barbarisë njerëzore. Shpresa "është interpretim alternativ i historisë dhe i ngjarjeve njerëzore", jo iluzor, por me realizmin e fesë, “që sheh të padukshmen", është "pritje plot durim". Në këtë pritje, Papa nxit atë "frymë të miqësisë shoqërore dhe të vëllazërimit universal", propozuar në enciklikën “Fratelli tutti”, duke shpresuar që "kjo harmoni ndërmjet njerëzve" të shtrihet edhe "mbi Krijimin". Kjo, thekson Françesku, është përgjegjësi për çdo njeri, i cili duhet të përpiqet për ekologjinë e gjithanshme, rrugë shpëtimi për shtëpinë tonë të përbashkët dhe për njerëzit, që banojnë në të.
Njeriu të rivendosë marrëdhëniet me Zotin, me të tjerët dhe me gjithësinë
Për t’i bërë ballë realitetit aktual, "në pritjen shpresëdhënëse" të kthimit të Krishtit, na vjen në ndihmë Shpirti Shenjt, i cili "e mban vigjilente bashkësinë e besimtarëve dhe e udhëzon vazhdimisht", përfundon Papa. Pikërisht Shpirti i Zotit frymëzon "kthesën në stilin e jetës", në mënyrë që të zhduket “arroganca e atyre, të cilët duan të dominojnë mbi të tjerët dhe mbi natyrën”. Duhet të rivendosim marrëdhënie "me Zotin", "me veten dhe me qeniet e tjera njerëzore, por edhe me gjithësinë" e shkatërruar nga mëkati i Adamit, kërkon Papa. Të gjitha këto marrëdhënie duhet të rilidhen e të ruhen, përfundon Françesku, pasi kur mungon njëra, “gjithçka dështon”.