Kërko

Papa me Komisionin Papnor për Amerikën Latine Papa me Komisionin Papnor për Amerikën Latine

Papa, Komisionit për Amerikën Latine: ndërtoni ura pajtimi

Françesku pret anëtarët e organizmit papnor përgjegjës për studimin e çështjeve, që kanë të bëjnë me jetën dhe zhvillimin e Kishës së Amerikës Latine dhe i nxit të promovojnë një stil sinodal në mendime, ndjenja e veprime, si edhe të "frymëzojnë, të motivojnë dhe të nxisin lirinë, që çdo realitet kishtar dhe shoqëror ta kuptojë rrugën e vet, duke ndjekur Shpirtin Shenjt, në bashkim me Kishën universale"

R.SH. – Vatikan

         Çfarë duhet të bëjmë për zhvillimin e Amerikës Latine që “të prekim korpin e munduar të Krishtit te njerëzit”? Si të ungjillëzohet shoqëria, duke promovuar vëllazërimin përballë fenomenit të polarizimit? Çfarë shërbimi duhet të bëjmë për Konferencat Ipeshkvnore, Celam-in dhe Dikasteret e Selisë së Shenjtë? Këto janë pyetjet, të cilave po përpiqet t'u përgjigjet Komisioni Papnor për Amerikën Latine (CAL), i mbledhur këto ditë në asamblenë e përgjithshme e pritur sot, 27 qershor, nga Papa, në Vatikan.

         “Komisioni – u tha Papa anëtarëve - duhet të promovojë me të gjithë bashkëbiseduesit e tij, si në Selinë e Shenjtë, ashtu edhe në Celam, Ceama, Clar dhe në të gjitha organet kishtare, të cilat, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i shërbejnë Kishës në Amerikën Latine, një stil sinodal në mendime, ndjenja e veprime”.

Sinodaliteti në historinë e Shenjtit Juan Diego

Papa mori si shembull për sinodalitetin e bashkimin, historinë e shenjtit Juan Diego, "vendas jashtëzakonisht modest dhe i thjeshtë", cilësi, për të cilat e zgjodhi Shën Maria Virgjër. Kur u bë i vetëdijshëm për dashurinë dhe afërsinë, që i dëshmoi Zoja e Bekuar, bujku indios shkoi të kërkojë ipeshkvin, i cili e ndihmoi me dëshirë të realizojë ç’i kërkonte Nëna e Zotit. Ipeshkvi i kërkon një shenjë që të mund ta besojë e Juan Diego bindet dhe e gjen shenjën në kodrën Tepeyac. Pra, sintetizoi Papa, "besimtari laikë shpall lajmin e mirë", por beson "në përmasën kishtare dhe mbinatyrore të misionit të tij e jo aq shumë në forcat e veta", duke na dhënë kështu një shembull "kthese sinodale". Tjetër aspekt sinodal është fakti se “imazhi i mrekullueshëm i ngulitur në tilmën” e Juan Diego-s tregon “fillimin e procesit të pajtimit vëllazëror ndërmjet popujve armiq”.

“Sinodaliteti ‘ad intra’ jep fryte të vëllazërimit ‘ad extra’. Ky është stili frymëzues që Komisioni për Amerikën Latine duhet të promovojë në të gjithë rajonin dhe, kur është e nevojshme, edhe përtej kufijve të tij. Të frymëzojë, jo të imponojë. Të frymëzojë, të motivojë dhe të provokojë lirinë në mënyrë që çdo realitet kishtar dhe shoqëror ta kuptojë rrugën e vet, duke ndjekur Shpirtin Shenjt, në bashkim me Kishën universale. Komisioni duhet të ndërtojë ura pajtimi, përfshirjeje, vëllazërimi! Ura, që sigurojnë "ecjen së bashku" jo thjesht si shprehje retorike, por si përvojë autentike baritore!”

Mesazhi i shpresës së shën Marisë

Së fundi, me vështrimin drejt Jubileut të vitit 2025, Françesku vuri në dukje se në bulën për shpalljen e tij “Spes non confundit”, përmenden fjalët që shën Maria i tha Juan Diego-s, “mesazh shprese, që edhe sot ua përsërit të gjithë shtegtarëve dhe besimtarëve: 'A nuk jam këtu unë, nëna jote?'”. Papa uroi që anëtarët e Komisionit Papnor për Amerikën Latine ta amplifikojnë atë, duke e ftuar "popullin e Zotit të shtegtojë e të kumtojë mesazhin e shpresës", të cilin rajoni i Amerikës Latine "duhet urgjentisht ta dëgjojë dhe ta rizbulojë".

27 qershor 2024, 15:07