Papa, i shqetësuar për zhdukjen e trashëgimisë shpirtërore të Lindjes
R.SH. – Vatikan
“Pikërisht aty ku jetojnë një pjesë e madhe e katolikëve lindorë, barbaria e luftës tërbohet urryeshëm”. Gjendje e trishtueshme, për të cilën Ati i Shenjtë shprehu sot, 27 qershor, keqardhje, gjatë audiencës me anëtarët e ROACO-s (Bashkimi i Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore), në fund të asamblesë së 97-të të përgjithshme, e cila u mbajt këto ditë në Romë. Gjaku vazhdon të rrjedhë dhe zemrat janë në zi, për shkak të konflikteve dhe luftërave, që nuk i kursejnë Kishat lindore, të cilat, “të shtypura nën një kryq të rëndë”, “janë bërë Kisha martire”.
Vuajtjet e të krishterëve lindorë
Njëlloj si korpi i Krishtit, i shporuar nga gozhdat dhe shtiza, edhe bashkësitë lindore janë plagosur e gjakosur, për shkak të konflikteve dhe të dhunës, denoncoi Papa, i cili kujtoi disa nga vendet ku banojnë ato, si: Tokën Shenjte, Ukrainën, Sirinë, Libanin, gjithë Lindjen e Mesme, Kaukazin dhe Tigray-n. Kishat Katolike të këtyre vendeve kanë nevojë për mbështetje. Françesku ftoi “të ndihmohen në këto kohë dramatike, për t'u rrënjosur fort në Ungjill. Me mbështetjen tuaj, - u tha ai anëtarëve të ROACO-s – Kishat Lindore mund të kontribuojnë për të kompensuar atë që pushteti civil duhet t'u japë më të brishtëve dhe më të mjerëve, por që nuk mundet, nuk di, ose nuk dëshiron t'ua sigurojë”.
Thirrja për veprim
Përballë një situate kaq tragjike, “nuk mund të qëndrojmë indiferentë”, nënvizoi Ipeshkvi i Romës, i cili prej disa muajsh vazhdon të bëjë thirrje për paqe. Me anëtarët e ROACO-s, Papa ishte i drejtpërdrejtë: “Ju jeni duar që sjellin ndihmë, që i lehtësojnë të vuajturit. Për këtë arsye mblidheni: jo për fjalime dhe teori, jo për analiza gjeopolitike, por për të gjetur mënyrat më të mira që lehtësojnë vuajtjet e vëllezërve dhe motrave tona lindore”. Ditët e fundit, ata reflektuan mbi situatën dramatike në Tokën Shenjte, “ku filloi gjithçka, ku Apostujt morën mandatin për të shkuar në botë e për të shpallur Ungjillin”. E Pasardhësi i Shën Pjetrit u bëri thirrje edhe një herë të gjithë besimtarëve në mbarë botën të jenë të afërt me të krishterët e Lindjes, në mënyrë që ata të bëhen më të fortë se tundimi për të braktisur tokat e tyre në konflikt.
Papa Françesku vuri në pah traditat unike shpirtërore të Kishave Lindore, duke filluar nga Etërit e parë të Kishës, Koncilet, traditën murgare, sinodalitetin, liturgjinë: thesare të paçmueshme për krishtërimin.
"Ndaluni, sepse dhuna nuk do të sjellë kurrë paqe"
Atyre, që nxisin spiralen e konflikteve dhe përfitojnë prej saj, Papa u përsëriti edhe një herë me ton të prerë: “Ndaluni! Ndaluni, sepse dhuna nuk do të sjellë kurrë paqe. Është urgjente të ndalet zjarri i armëve, është urgjent takimi dhe dialogu për bashkëjetesën ndërmjet popujve të ndryshëm, e vetmja rrugë e mundshme për një ardhmëri të qëndrueshme. Me luftë askush nuk do të fitojë: të gjithë do të munden”, ngriti zërin Ipeshkvi i Romës. Papa Françesku ftoi të dëgjohen britmat e të rinjve, njerëzve të thjeshtë dhe popujve, të cilët janë lodhur nga fjalimet luftënxitëse, nga refrenet shterpë, që gjithmonë akuzojnë të tjerët, duke e ndarë botën në të mirë dhe të këqinj, nga liderët që e kanë të vështirë të ulen rreth tryezës së bisedimeve për të gjetur zgjidhje.
Migrimi i shumë të krishterëve
Shumë të krishterë lindorë ikin nga konfliktet, ose emigrojnë në kërkim të punës dhe të kushteve më të mira të jetesës. Kështu, për disa Kisha, vuri në dukje Papa, shumica e besimtarëve jetojnë jashtë territorit të tyre tradicional, ku ndihma baritore është shpesh e paktë, për shkak të mungesës së meshtarëve, të objekteve të kultit, ose të njohurive. Ata që largohen nga atdheu i tyre ka rrezik të privohen nga identiteti i tyre fetar, duke bërë të humbasë ndër breza trashëgimia shpirtërore e Lindjes, pasuri themelore për gjithë Kishën Katolike, denoncoi Ati i Shenjtë.
Ukraina
Përsa i përket “Ukrainës së martirizuar, për të cilën lutem dhe nuk lodhem duke i ftuar njerëzit të luten”, Françesku uroi “të rrezatohet paqja për këtë popullsi të dashur, të burgosurit e luftës të lirohen dhe fëmijët të riatdhesohen”. U fol edhe për situatën humanitare të të zhvendosurve në rajonin e Karabakut: “Faleminderit për gjithçka që është bërë dhe do të bëhet për të ndihmuar ata që vuajnë”, u tha Ati i Shenjtë anëtarëve të ROACO-s.