Kërko

Delegacioni Ekumenik i Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës Delegacioni Ekumenik i Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës   (Vatican Media)

Papa: dëshiroj të shkoj në vitin 2025 në Niké, me Bartolomeun, për 1700 vjetorin e Koncilit

Në pritjen e delegacionit të Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës me rastin e festës së Shën Pjetrit dhe Shën Palit, Françesku kujtoi përvjetorin e Koncilit të Parë Ekumenik vitin e ardhshëm dhe falënderoi Bartolomeun për ftesën që ta kremtojnë së bashku, atje ku u zhvillua. Thirrja për Tokën e Shenjte: “Është e nevojshme dhe urgjente të lutemi së bashku që kjo luftë të marrë fund. Liderët dhe palët në konflikt të gjejnë rrugën e harmonisë dhe të gjithë ta ndjejnë veten vëllezër!”.

R. SH. - Vatikan

Një shtegtim, që e dëshiron dhe "ia kënda" ta bëjë, "me gjithë zemër", që kur "vëllai i tij i dashur" Patriarku Bartolomeu e ftoi në Nikea, vendi i Koncilit të parë Ekumenik, që më 2025 mbush 1700 vjet. Papa Françesku e shprehu këtë dëshirë personale në audiencën e sotme me delegacionin e Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës, pritur sot, më 28 qershor, në Vatikan, si pjesë e shkëmbimit tradicional për festat e shenjtorëve pajtorë të Kishës së Romës, Apostujve Pjetër e Pal (kujtojmë se një delegacion nga Selia e Shenjtë e shkëmben këtë vizitë duke shkuar në Fanar më 30 nëntor, për festën e Shën Andreut).

Përvjetori i Koncilit të Parë Ekumenik

Përveç mirënjohjes dhe dashurisë për Bartolomeun, inkurajimit për të ecur përpara në dialogun e përbashkët që "nuk përfshin asnjë rrezik për integritetin e fesë", thirrjes për Tokën Shenjte të plagosur nga dhuna dhe kujtimit të teologut të ndjerë Zizoulas, në përfundim të fjalës së tij, Papa Françesku kujtoi 1700 vjetorin e Koncilit të Parë Ekumenik të Nikesë:

“Uroj që kujtimi i kësaj ngjarjeje shumë të rëndësishme të mund ta shtojë tek të gjithë besimtarët në Krishtin Zot dëshirën për ta dëshmuar së bashku fenë dhe ëndrrën për një bashkim më të madh”.

Në veçanti, Françesku pohoi se është i lum që Patriarkana Ekumenike dhe Dikasteri për Nxitjen e Unitetit të Krishterë filluan të reflektojnë se si ta përkujtojnë këtë përvjetor së bashku: “Unë - shtoi Papa duke folur lirisht    - kam dëshirën të shkoj; dhe e falënderoj Shenjtërinë e Tij Bartolomeun që më ftoi ta kremtoj pranë vendit, ku u mblodh Koncili”:

“Është shtegtim, që dua ta bëj, me gjithë zemër!”.

Koncili I Ekumenik i Nikesë
Koncili I Ekumenik i Nikesë

Lutuni së bashku për paqen në Tokën Shenjte dhe në trojet e luftës

Kjo do të ishte një mundësi tjetër për të kryer misionin, të cilin janë thirrur ta kryejnë Kishat sot, "në një epokë kur kaq shumë burra dhe gra  janë të burgosur nga frika e së ardhmes". Kjo do të thotë, "ta shpallim Jezu Krishtin, shpresën tonë: gjithmonë, kudo, për të gjithë". E edhe të lutemi së bashku. Në lidhje me këtë, Papa kujtoi çastet e lutjes në Kopshtet e Vatikanit - përvjetorin e të cilit e festoi më 7 qershor - së bashku me Bartolomeun dhe Patrikun ortodoks grek të Jeruzalemit, Theophilus III, me Presidentin e ndjerë të Shtetit të Izraelit Shimon Peres dhe presidentin e Shtetit të Palestinës, Abu Mazen, për t’u lutur që në Tokën Shenjte, në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën të rikthehet paqja aq e dëshiruar: “Dhjetë vjet më vonë, historia aktuale na tregon në mënyrë tragjike nevojën dhe urgjencën e lutjes së përbashkët për paqen, në mënyrë që kjo luftë të përfundojë, krerët e kombeve dhe palët në konflikt të gjejnë rrugën e harmonisë dhe të gjithë ta ndjejnë njëri-tjetrin vëllezër”.

Është thirrje për paqen, që Papa e shtrin për të gjitha konfliktet në vazhdim: "Veçanërisht për luftën, që po bëhet në Ukrainën e martirizuar ".

Takimi  i Palit VI me Athenagorën në Jeruzalem

Me shikimin ende në Jerusalem, Françesku kujton takimin, gjashtëdhjetë vjet më parë, në Qytetin e Shenjtë, të Palit VI me patriarkun ekumenik Athenagoras; i njëjti takim, i cili i dha shtysë "rrugës së afrimit dhe paqësimit" që vazhdoi që atëherë e sot "drejt rivendosjes së unitetit në të cilin vetëm Shpirti Shenjt mund të na drejtojë, atë të bashkimit në larminë  e ligjshme":

“Me shekuj pas largimit të ndërsjelltë, ai takim ishte shenjë e madhe shprese, e cila nuk pushon s’i frymëzuari zemrat dhe mendjet e shumë burrave dhe grave që sot,  me ndihmën e Zotit, dëshirojnë të arrijnë ditën kur të mund të marrim pjesë së bashku në gostinë eukaristike”.

Pali VI dhe Athenagora në udhëtimin e tyre në Jerusalem në 1964
Pali VI dhe Athenagora në udhëtimin e tyre në Jerusalem në 1964

Miqësia me Bartolomeun

Ende në fillin e kujtimeve, Papa u ndalua tek shtegtimi i majit 2014 në Tokën Shenjte, edhe në atë kohë me Bartolomeun në krah: pikërisht atje, "ku Zoti ynë Jezu Krishti vdiq, u ringjall dhe u ngjit në qiell", "ne përsëritëm angazhimin tonë për të vazhduar të ecim së bashku drejt unitetit për të cilin Krishti Zot iu lut Atit që të gjithë të jenë një”. Papa ruan kujtimin e gjallë të atij shtegtimi dhe thekson se është mirënjohës që krijoi   "miqësi vëllazërore" me patriarkun nga ai udhëtim i mbajtur vitet e fundit dhe "i ushqyer me takime të shumta, në shumë raste të bashkëpunimit konkret ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse lidhur me çështje tejet të rëndësishme për Kishat dhe për botën, si kujdesi për krijimin, mbrojtja e dinjitetit njerëzor, paqja”.

Së bashku në jubile

Më pas vëmendja e Papës kaloi tek Jubileu i vitit 2025, i cili do të ketë si moto “Shtegtarë të Shpresës”. Ashtu si tashmë në Bulën e Shpalljes  Spes non confudit (Shpresa nuk të zhgënjen), Jorge Mario Bergoglio përsërit ftesën drejtuar Patriarkanës Ekumenike që "ta shoqërojë dhe ta mbështesë këtë vit hiri me lutje, e të mos mungojnë frytet e begata shpirtërore".

“Edhe me praninë tuaj: do të jetë shumë i bukur”

Të vazhdojë dialogu drejt unitetit, të kapërcehen mosmarrëveshjet akademike

Prej këndej, një ftesë e re për të vazhduar dialogun ndërmjet kishave tona: “Nuk krijon asnjë rrezik për integritetin e besimit”- vëren Papa - përkundrazi, “është nevojë që lind nga besnikëria ndaj Zotit dhe na çon në të vërtetën e plotë, nëpërmjet shkëmbimit të dhuratave, nën drejtimin e Shpirtit Shenjt". Për këtë arsye, inkurajon punën e Komisionit të Përbashkët Ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse për studimin e çështjeve delikate historike dhe teologjike:

“Uroj që pastorët dhe teologët e përfshirë në këtë proces të shkojnë përtej mosmarrëveshjeve thjesht akademike dhe të dëgjojnë me dëshirë atë që Shpirti Shenjt e thotë për jetën e Kishës, e ajo që ishte objekt studimi dhe marrëveshjeje të gjejë pranim të plotë në bashkësitë dhe vendet tona të formimit. Për këtë do të ketë gjithmonë rezistencë, kudo, por ne duhet të ecim përpara me guxim”.

Papa me delegacionin e Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës
Papa me delegacionin e Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës

Kujtimi i peshkopit Zizioulas

Në fund të audiencës, një kujtim tejet i përzemërt për peshkopin Ioannis Zizioulas, teologun ortodoks, kryemitropolitin e Pergamos, i cili u nda nga jeta në vitin 2023. “Ishte ironik, por i mirë, e desha shumë”. Papa kujton një deklaratë të mençur, të thënë prej tij me shaka:

"Unë e di se kur do të jetë dita e unitetit të plotë: dita e Gjyqit të mbram! Por, ndërkohë, le të ecim së bashku, të lutemi së bashku dhe të punojmë së bashku”.

28 qershor 2024, 12:52