Kërko

Papa me katër gratë, nëna dhe gra ukrainase të luftëtarëve të Azov-it, dënuar me burgim të përjetshëm Papa me katër gratë, nëna dhe gra ukrainase të luftëtarëve të Azov-it, dënuar me burgim të përjetshëm

Nënat dhe gratë e të burgosurve ukrainas tek Papa: "Na ndihmoni të lirojmë djemtë dhe burrat tanë"

Tetyana, Tamara, Alla, Vialyetta, të pranishme në audiencën e përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit, për t'i treguar Françeskut vuajtjet për të afërmit e tyre, luftëtarë të Azovit, të dënuar me burgim të përjetshëm: "Është i vetmi që mund të na ndihmojë, do të dëshironim të kërkojë që të mund të lirohen të gjithë të burgosurit”. Kontaktet e fundit me të afërmit datojnë vite e muaj më parë: “Nuk marrim as letra, as telefonata, as nuk na thonë se ku janë, kemi informacion vetëm nga mediat”

Herën e fundit që Tetyana e pa djalin e saj, ishte 6 dhjetori 2021. Ia dëgjoi zërin më 9 maj 2022, ndërsa mesazhi i fundit që mori nga ai daton 17 maj 2022. Më 22 mars 2024 nga një kanal televiziv rus mësoi se ishte gjykuar dhe dënuar me njëzet e dy vjet burgim. Tamara ka më shumë se dy vjet që e pret burrin e saj. Gjithçka që di për të, është se ai ndodhet në Siberi, në koloninë "Severny Volk" ku u prangos edhe disidenti Navalny. Alla nuk e ka parë burrin e saj që nga 21 shkurti 2022, pasi foli me të më 18 maj 2022 dhe ai i tha se ishte plagosur në krah, ndërsa po largohej nga fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol. Nga një shok burgu, i liruar, ajo mësoi se krahu i tij funksiononte 30% për shkak të një infeksioni. Vialyetta, Violetta në italisht, jeton çdo ditë me frikën e vazhdueshme të lajmit për vdekjen e të shoqit, burgosur prej dy vitesh, me një tumor në kokë. Ajo u informua për të dhe për dënimin që mori përmes telegrameve nga kanalet ruse dhe nga Republika e vetëshpallur e Donetskut.

Papa, i vetmi që mund të na ndihmojë

Tetyana, Tamara, Alla dhe Vialyetta shkuan të ngarkuara me një barrë të rëndë vuajtjesh dhe shqetësimesh në Sheshin e Shën Pjetrit për publikun e gjerë sot, më 26 qershor. Bënë ç’është e mundur për të qenë atje, sepse donin të takonin Papën Françesku, i vetmi - thonë ata - i aftë për të zhbllokuar këtë situatë të ndërlikuar dhe shumë delikate të djemve dhe burrave të tyre, luftëtarë të batalionit Azov, të bllokuar fillimisht në fabrikën e çelikut Azovstal, në Mariupol dhe tani të burgosur dhe të dënuar nga Rusia me burgim të përjetshëm - “padrejtësisht” dhe “ilegalisht”, thonë ata – së bashku me 101 ukrainas të tjerë. “Pse Papa? Sepse është shansi i fundit, e njeriu i vetëm që mund t’i ndihmojë. Besoj se do të na ndihmojë” - thonë katër gratë në mikrofonin e Svitlana Dukhovich të seksionit ukrainas të Radio Vatikanit - Vatican News. Në mendje gratë kanë fiksuar data, orë dhe rrethana shumë të sakta sa herë kanë parë a kanë dëgjuar të afërmit e tyre a informacionin e mbledhur nga media dhe kolegët e burgosur, për atë që po përjetojnë. “Kryqi i Kuq na premtoi se do të kishim kontakte me ta, por nuk marrim letra, as telefonata dhe as nuk na thonë se ku janë”.

Frika se nuk do të kthehen më në shtëpi

“Janë 101 vetë nga Azov të dënuar ilegalisht dhe do të dëshironim shumë që Papa t'i kërkojë Putinit t'i lirojë të gjithë, sepse ata mund të shkëmbehen vetëm me amnisti ose falje” - thonë. - Frika është se të afërmit e tyre, si të gjykuar, nuk do të përfshihen në shkëmbimin "të gjithë për të gjithë", të kërkuar nga Rusia. "Kemi gjithnjë më pak mundësi" – shpjegojnë idhshëm - “Ata mund të hiqen nga lista e shkëmbimeve e… mjafton…! E  nuk do të kthehen kurrë më në shtëpi”.

"Si të afërm, jemi të pafuqishëm"

 “Dënimi i përjetshëm është i tmerrshëm”, nënvizon Alla, 23 vjeçare, deri në shpërthimin e konfliktit, menaxhere e një dyqani teknologjie. “Përpiqemi me të gjitha mënyrat e trokasim në të gjitha portat e mundshme. Përpiqemi t’ua përcjellim dhimbjen tonë të dashurve e t’i kërkojmë ndihmë kujtdo që mund të na ndihmojë. Po sot për sot, si familjarë, jemi krejt të pafuqishëm. Nëse doni të dini se çfarë është historia, duhet të dini historinë tonë e vuajtjet tona”. Oleksiy i saj, 26 vjeç, u dënua dy herë pasi u largua nga Azovstal. “Nuk kam pasur kontakt me të për një kohë të gjatë”, thotë Alla. “Më 6 maj 2023, kur u shkëmbyen të burgosurit e Azovit, shoku i burgut i tim shoq u lirua e më tregoi se kishte vuajtur në të njëtën qeli. E pyeta për krahun e tij të lënduar dhe ai më gjegji se ishte gjithmonë i infektuar dhe se funksiononte vetëm 30%.

Takimi i Papës me Tetianën, Tamarën, Allën dhe Vialjetën
Takimi i Papës me Tetianën, Tamarën, Allën dhe Vialjetën

Në burg me një tumor në kokë

Edhe burri i Vialjetës, studente, quhet gjithashtu Oleksiy; gjendja e tij shëndetësore vijon të jetë e keqe, për shkak të një tumori, që është “beninj”, por që “duhet të kontrollohet çdo katër muaj për t’u operuar me kohë”. Në shkurt të vitit 2024, Oleksiy u dënua me burgim të përjetshëm nga një gjykatë e Donetsk; në gjykatë u paraqit në apel në qershor, por dënimi mbeti. Ai është në burg prej më shumë se dy vjetësh. “Më 17 maj 2022, u arrestua me urdhër të Komandës së Lartë të Ukrainës dhe tani nuk kam më asnjë kontakt me të. I vetmi informacion që mund të gjej, ashtu si e mësova edhe dënimin e tij, janë telegramet nga kanalet ruse dhe nga Republika e vetëshpallur e Donjeckut, ku e pashë për herë të parë pas dy vitesh. Ai dukej absolutisht i tmerrshëm! Kishte humbur të paktën 15 kg, nga sa mund të shihja. Nuk ka asnjë kujdes mjekësor atje, askush nuk mund ta kontrollojë tumorin e tij, ndonëse të gjithë e dinë se vuan prej tij”.

Në një nga kolonitë më të ashpra në Siberi

Tamara, edukatore dhe përkthyese nga anglishtja para luftës, thotë se e vetmja gjë që di për Serhiy-n, bashkëshortin e saj 26-vjeçar, është se ai u dënua me burgim të përjetshëm dhe se sot ndodhet në koloninë siberiane Severnyj Volk. "Një nga më të vështirat në Rusi". “Kohët e fundit kam mësuar nga media se gjatë të ashtuquajturës “pritje” (ardhja e një të burgosuri të ri) ai ka pësuar dhunë e cila i ka shkaktuar tronditje, thyerje të brinjëve, mavijosje dhe stres të rëndë”. Fjalët e fundit të dëgjuara nga bashkëshorti i saj datojnë në 16 maj 2022, kur ai i tha: “Mos u shqetëso, gjithçka do të jetë mirë. Së shpejti do të shihemi. Do të përgatitemi për një martesë të vërtetë”. Të dy u martuan online në mars 2022 (në Ukrainë gjatë luftës është e mundur të martohen me ushtarë nga distanca, red.), kur ai ishte tashmë në Azovstal. Edhe ata do të donin të martoheshin “me të vërtetë”, por Tamara nuk i ka të gjitha këto shpresa. I humbi kur e pa Serhiy-n në gjykatë në një faqe interneti: “Nuk e njoha sepse kishte humbur shumë peshë, kishte një pamje të zbehtë dhe boshe. Aty dëgjova dënimin me burgim të përjetshëm”. Qava për tri ditët rresht: “Pas gjyqit, me sa di unë, Serhiy hoqi dorë, humbi shpresën. Është shumë e vështirë edhe për mua të vazhdoj të shpresoj”.

Gratë i japin Papës dhuratat e tyre
Gratë i japin Papës dhuratat e tyre

Një nënë, që lufton dhe do të luftojë

Tetyana, një ish shitëse dyqani, shpreson kundër çdo shprese për kthimin e djalit të saj Artem. Djali i saj i vetëm. “Në kohën e pushtimit ai ishte 21 vjeç. Më 19 qershor festoi ditëlindjen e tij të tretë në robëri”. I riu u bashkua me të në Azov, në vitin 2019. Kontaktet e fundit virtuale datojnë dy vjet më parë. Edhe ajo e pa djalin në TV: u gjykua dhe u dënua me 22 vjet. "Askush nuk më njoftoi" - thotë. “Vetëm një herë, një muaj pas sulmit në Olenivka (një vend në territoret e republikës së vetëshpallur të Donetsk, ku vdiqën dhjetëra njerëz të burgosur lufte, red.), mora një telefonatë nga Kryqi i Kuq. Më pyetën nëse di ndonjë gjë për djalin tim. Por unë nuk e dija as nëse ishte gjallë”. “Djali im - shton ajo - e di se nëna e tij nuk do të qëndrojë indiferente, e di se nëna e tij do të luftojë. Dhe kjo më jep forcë të luftoj për të, sepse unë jam e lirë dhe ai jo”.

Mbështetje reciproke

Çdo të dielë në orën 15:00, katër gratë takohen në demonstratat në Kiev: "Ka shumë njerëz që marrin pjesë dhe na japin forcën për të vazhduar luftën." “Për ne është shumë e rëndësishme - përgjigjet Tamara - ngaqë e kuptojnë që nuk jemi vetëm, se kjo dhimbje nuk është vetëm e jona... Kuptohemi, mund të qajmë dhe të qeshim bashkë”.

Nga takimi i grave ukrainase me Papën
Nga takimi i grave ukrainase me Papën

Dhurata për Papën

Sot ata qanë para Papës, të cilit i dhanë disa dhurata: një vizatim që përfaqëson gjendjen e të burgosurve ukrainas, një broshurë fotografike që përmban historinë e secilit prej tyre, me foto të kohës kur ishin të lumtur së bashku me të dashurit e tyre dhe më pas, në situatën tragjike aktuale, e sidomos, një skulpturë allçie me dy duar të lidhura me litar, që Papa e mbajti në duar, duke qëndruar për disa çaste i heshtur.

26 qershor 2024, 14:17