Papa: Putini të ndalojë luftën, Zelensky të mbajë qëndrim të matur

Françesku, thellësisht i shqetësuar nga kërcënimi bërthamor dhe shkallëzimi ushtarak i konfliktit, ia kushtoi gjithë Engjëllin e Tënzot një thirrjeje të fuqishme, përmes së cilës kërkoi ndalimin e menjëhershëm të zjarrit. Dënoi pushtimet, kërkoi të respektohet tërësia territoriale e çdo vendi si dhe të drejtat e pakicave. Shprehu edhe dhimbjen e thellë për viktimat, “posaçërisht për fëmijët”

R.SH. - Vatikan

I jashtëzakonshëm, Engjëlli i Tënzot sot! Papa Françesku ia kushtoi gjithë reflektimin, para lutjes  së Engjëllit të Tënzot, situatës në Ukrainë, ku lufta  vijon të krijojë shqetësime gjithnjë më të frikshme  e kërcënuese. Ndaj edhe fjalët e Papës nuk mund të mos ishin të ngarkuara me shqetësim e kërkoi me forcë të përdoren të gjitha mjetet diplomatike, për t'i dhënë fund kësaj tragjedie të tmerrshme. 

Situata në Ukrainë, plagë e tmerrshme

Situta në Ukrainë - kujtoi Françesku - është bërë aq serioze, shkatërruese dhe kërcënuese, sa të shkaktojë një shqetësim të madh. Kjo plagë e tmerrshme dhe e pakonceptueshme e njerëzimit, në vend që të shërohet, vazhdon të rrjedhë gjithnjë e më shumë gjak, duke rrezikuar të bëhet përherë më e rrezikshme – vijoi me shqetësim në rritje Papa:

“Lumenjtë e gjakut dhe të lotëve, derdhur muajt e fundit, më mundojnë thellë. Më vjen keq për mijëra viktima, veçanërisht për fëmijët dhe për shkatërrimet e panumërta, të cilat kanë lënë shumë njerëz dhe familje të pastrehë dhe kërcënojnë me të ftohtë dhe uri territore të gjera”.

Këtë nënvizoi me shqetësim të dukshëm Papa, që nuk u mjaftua të përshkruajë situatën e frikshme, por mbajti edhe qëndrim përballë kësaj situate:

“Disa veprime nuk mund të justifikohen kurrë! Është shqetësuese që bota po e mëson gjeografinë e Ukrainës përmes emrave të tillë si Bucha, Irpin, Mariupol, Izium, Zaporizhzhia dhe vende të tjera, të cilat janë bërë vende vuajtjesh dhe frike të papërshkrueshme. E çfarë të themi, pastaj, lidhur me faktin se njerëzimi ndodhet rishtas përballë kërcënimit atomik? Është absurde!”.

Çfarë pritet të ndodhë akoma?

Çfarë do të ndodhë akoma? Sa gjak duhet të rrjedhë akoma, mbasi ne e kuptojmë se lufta nuk është kurrë zgjidhje, por vetëm shkatërrim? Këto pyetje që bëri Papa e që kërkojnë përgjigje të ngutshme, u pasuan nga një lutje e ngarkuar me shqetësimin e tmerrshëm të atit për bijtë:

“Në emër të Zotit dhe në emër të ndjenjës njerëzore që banon në çdo zemër, përsëris thirrjen për armëpushim të menjëhershëm. Të heshtin armët dhe të kërkojmë kushtet për fillimin e negociatave të afta për të çuar drejt zgjidhjeve jo të imponuara me forcë, por të pranuara nga të gjitha palët, të drejta dhe të qëndrueshme”.

Bota para rrezikut të konfliktit bërthamor!

E  - vijoi me besim Papa - të tilla do të jenë nëse bazohen në respektimin e vlerës së shenjtë të jetës njerëzore, të sovranitetit dhe integritetit territorial të çdo vendi, si dhe të drejtave të pakicave dhe shqetësimeve legjitime:

“Ndjej keqardhje të thellë për situatën e rëndë krijuar ditët e fundit, me veprime të mëtejshme në kundërshtim me parimet e së drejtës ndërkombëtare. E kjo thellon rrezikun e konfliktit bërthamor deri në atë pikë, sa të druhemi për pasojat e pakontrollueshme dhe katastrofike që mund të ketë në mbarë botën”.

Të ndalohet kjo spirale dhune!

Në vijim Papa i drejton Presidentit të Federatës Ruse një thirrje të fuqishme, ngarkuar me shqetësim e dhimbje njëherësh,  duke iu lutur ta ndalojë, edhe për dashurinë e popullit të vet, këtë spirale dhune dhe vdekjeje. Nga ana tjetër, thellësisht i pikëlluar nga vuajtjet e pafundme të popullatës ukrainase pas agresionit të pësuar, i drejton një thirrje po aq të përgjëruar Presidentit të Ukrainës, që të mbajë qëndrim të matur ndaj propozimeve serioze për paqen. Më pas Papa ia drejton thirrjen edhe gjithë liderve të botës:

“Të gjithë protagonistëve të jetës ndërkombëtare dhe liderëve politikë të kombeve, u kërkoj me ngulm të bëjnë gjithçka varet prej tyre për t'i dhënë fund luftës  në vijim, pa u përfshirë në shkallëzime të rrezikshme, por duke  nxitur e duke mbështetur nismat e dialogut”.

E pas thirrjes drejtuar liderve, një mendim i dalë nga zemra e Atit për bijtë:

“Ju lutemi, lërini brezat e rinj të thithin ajrin e shëndetshëm të paqes, jo ajrin e ndotur të luftës, që është çmenduri!”.

Të përdoren të gjitha mjetet për t’i dhënë fund luftës!

Pas shtatë muajsh armiqësi, duhet të përdoren të gjitha mjetet diplomatike, edhe ato të pashfrytëzuara deri tani, për t'i dhënë fund kësaj tragjedie të tmerrshme. Lufta në vetvete është gabim dhe  tmerr!

Zoti mund t’i ndryshojë zemrat!

Të besojmë - kujtoi Papa në përfundim të kësaj lutjeje të jashtëzakonshme të Engjëllit të Tënzot - në mëshirën e Zotit, që mund t’i ndryshojë zemrat! E edhe në ndërmjetësimin e Marisë, Mbretëreshë e Paqes, në çastin kur Zojës së Rruzare të Pompeit i lartohet lutja, të bashkuar shpirtërisht me besimtarët e mbledhur rreth Marisë në Shenjtëroren e Saj  dhe në të katër anët e botës.

02 tetor 2022, 15:09