Kërko

Papa përshëndet anëtarët e Confindustria Italiane Papa përshëndet anëtarët e Confindustria Italiane

Papa, sipërmarrësve: mos u bëni mercenarë, pagimi i taksave është formë pjesëmarrjeje në paktin shoqëror

Françesku priti në audiencë Confindustria-n: “Sistemi tatimor të mos jetë i korruptuar”. Jo, “çdo forme të shfrytëzimit njerëzor dhe neglizhencës në siguri”, veçanërisht për emigrantët. E, pastaj, ftesa për biznesmenët që të mos humbin “kontaktin” me jetën e ndërmarrjes dhe të krijojnë vende pune për të rinjtë. Së fundi, kritika për ndryshimin ndërmjet pagave: “Nëse hendeku është tejet i madh, shoqëria sëmuret”

R.SH. – Vatikan

Tridhjetë monedhat e Judës dhe dy monedhat e Samaritanit të Mirë: para, që përdoren për të tradhtuar, ose për të shpëtuar. E, pastaj, sipërmarrësit “mercenarë” dhe ata të ngjashëm me “bariun e mirë”; pakti fiskal dhe taksat si formë e ndarjes së pasurisë; hendeku tejet i madh i pagave ndërmjet drejtuesve të lartë dhe punonjësve; krijimi i vendeve të punës. Akoma, roli i ndërmarrjeve për integrimin e emigrantëve, shfrytëzimi dhe neglizhenca në sigurinë e punëtorëve, shembulli i sipërmarrësve italianë Alberto Balocco dhe Adriano Olivetti. E, edhe një paralajmërim: “Pa sipërmarrës të rinj, toka nuk do t'i rezistojë ndikimit të kapitalizmit dhe do t’u lëmë brezave të ardhshëm një planet tepër të lënduar, ndoshta të pabanueshëm”. Fjalët e sotme të Papës Françesku në audiencën me Confindustria (Konfederata e përgjithshme e industrisë italiane) përfshinë një gamë të gjerë tematikash. Të pranishëm, në Sallën Pali VI, në Vatikan, rreth 4600 vetë, që përfunduan me takimin e paradites asamblenë e tyre vjetore.

Ndërmarrjet në krizë ndërmjet luftës dhe pandemisë

 Duke u bazuar në pjesë ungjillore, në Doktrinën Shoqërore të Kishës e në magjisterin personal për temën e punës, Papa u foli sipërmarrësve italianë, por fjalët e tij kanë vlerë për gjithë sipërmarrësit e botës.  Ati i Shenjtë pranoi se pandemia krijoi vështirësi për sistemin ekonomik. Lufta në Ukrainë e kriza energjitike, që rrjedhin prej saj, i sjell pengesa edhe afaristit të mirë, që mban përgjegjësi për ndërmarrjen e për punonjësit e saj. Ati i Shenjtë vuri në dukje se bota e punës ka dy lloj sipërmarrësish: “mercenarët” dhe ata, që ngjajnë me “bariun e mirë”, vuajnë njëlloj si punëtorët e “nuk ikin para ujqërve të shumtë, që u sillen përreth”.

“Njerëzit dinë t’i njohin sipërmarrësit e mirë. E pamë këtë kohët e fundit, me vdekjen e Alberto Balocco-s: e gjithë bashkësia e ndërmarrjes dhe ajo civile u pikëlluan dhe shprehën respekt e mirënjohje”.

Para për të tradhtuar a për të shpëtuar?

Në Kishë, kujtoi Françesku, ka pasur gjithnjë njerëz, që janë marrë me aspektin ekonomik. Përmendi kështu, “dy monedhat” e Samaritanit të Mirë, dhënë bujtinarit për ta shpëtuar njeriun e plagosur, gjetur në rrugë; por edhe 30 monedhat e Judës, me të cilat u shpërblye apostulli, që shiti Krishtin. Edhe sot, vërejti Papa, paratë përdoren për të tradhtuar një mik, ose për të shpëtuar një viktimë.

“E shohim çdo ditë këtë, kur paratë e Judës dhe ato të Samaritanit të Mirë bashkëjetojnë në të njëjtat tregje, në të njëjtat bursa, në të njëjtat sheshe. Ekonomia zhvillohet dhe bëhet njerëzore kur paratë e samaritanëve bëhen më të shumta se ato të Judës”.

Tri këshillat e Papës

Papa u dha sipërmarrësve tri këshilla për të qenë si Samaritani i Mirë: ta ndajnë pasurinë me të tjerët; të krijojnë vende pune, sidomos për rininë; të sigurojnë barazinë në punë. Pasuria, vuri në dukje Françesku, të ndihmon në jetë, por edhe e ndërlikon atë, pasi përmban në vetvete përgjegjësinë për ta administruar si duhet. Pastaj, “pasuria krijon përreth zili, thashetheme, jo rallë, edhe dhunë e keqdashje. Vetë Jezusi thotë se është shumë e vështirë për një të pasur të hyjë në Mbretërinë e Zotit”. Por jo e pamundur, nënvizoi Ati i Shenjtë, i cili dha shembuj njerëzish të pasur, që e ndoqën Ungjillin në mënyrë shembullore. “Për të hyrë në Mbretërinë e Qiellit, - theksoi Papa - jo të gjithëve u kërkohet të zhvishen si tregtari, që u bë më pas shën Françesku i Asizit; disave që kanë pasuri u kërkohet t'i ndajnë ato me të tjerët. Bashkëndarja është emri tjetër për varfërinë ungjillore”.

Taksat nuk janë uzurpim

Një nga mënyrat për ta bërë këtë është “filantropia”, pohoi Françesku, duke falënderuar ata, që ndihmojnë popullin ukrainas. Por, edhe taksat e tatimet janë rrugë për ta ndarë pasurinë me të tjerët, pasi vihen në dispozicion të gjithë shoqërisë, për t’u përdorur në shkolla, shëndetësi, shkencë, kulturë, etj..

Natyrisht, vuri në dukje Ati i Shenjtë, taksat duhet të jenë të drejta, përcaktuar mbi bazën e aftësisë së secilit për të kontribuar në shoqëri.

“Sistemi dhe administrimi i taksave duhet të jetë i frytshëm dhe jo i korruptuar. Por taksat nuk duhet të konsiderohen si uzurpim. Ato janë formë e lartë e ndarjes së pasurisë, janë qendra e paktit shoqëror”.

Të krijohen vende pune për të rinjtë

 Një rrugë tjetër për ta ndarë pasurinë me të tjerët është krijimi i vendeve të punës, sidomos për të rinjtë, vijoi Papa. Ndërmarrjet pa rininë humbasin energjinë dhe entuziazmin, përveçse risitë e tregut. “Çdo vend i ri pune është një fetë pasurie e ndarë me të tjerët”, pohoi Françesku, duke kërkuar mbështetje për familjet dhe për zgjidhjen e problemit të lindjeve të pakta, të cilat jo vetëm shkaktojnë uljen e numrit të krahut të punës, por edhe rritjen e shpenzimeve shtetërore për pensionet. Gjithashtu, e ngriti zërin në favor të grave, të cilat nuk duhet të hiqen nga puna kur mbeten shtatzënë e duhet të kenë lehtësira kur janë me fëmijë të vegjël. Ati i Shenjtë nuk harroi rolin e ndërmarrjeve në integrimin e emigrantëve, duke bërë thirrje kundër shfrytëzimit të tyre dhe neglizhencës në sigurinë e tyre.

Mos harroni “erën” e punës

Edhe vetë sipërmarrësi është punëtor, vërejti së fundi Papa, pasi edhe ai punon dhe e njeh punën, sidomos zejtari.

“Një nga krizat e rënda të kohës sonë është humbja e kontaktit të sipërmarrësve me punën: ndërsa zhvillohen, u kalon jeta nëpër zyra, takime, udhëtime, konferenca dhe nuk shkojnë më në punishte a në fabrika. Harrohet “era” e punës, nuk njihen më produktet me sy mbyllur, duke i prekur; e kur sipërmarrësi nuk i prek më produktet e tij, e humbet kontaktin me jetën e ndërmarrjes dhe shpesh fillon të bjerë edhe ekonomikisht”.

Hendeku ndërmjet pagave

“Barazia” është këshilla e fundit e Papës për sipërmarrësit, të cilëve u vë në dukje se për punë të ndryshme pagat janë natyrisht të ndryshme, por nuk duhet të ketë hendek të madh ndërmjet tyre.

“Sot, kuota e vlerës që i shkon punës është shumë e vogël, sidomos nëse e krahasojmë me atë, që shkon për të ardhurat financiare dhe pagat e drejtuesve të lartë. Nëse hendeku ndërmjet pagave më të larta dhe më të ulëta bëhet shumë i madh, bashkësia e ndërmarrjes sëmuret e, shpejt, sëmuret edhe shoqëria”.

Modeli Olivetti

Ati i Shenjtë Bergoglio përmendi afaristin italian të shekullit të kaluar, Adriano Olivetti, i cili pati vendosur një kufi në diferencën ndërmjet pagave, pikërisht për të shmangur humbjen e ndjenjës së përkatësisë dhe të solidaritetit në bashkësinë e punonjësve të vet, gjë që do ta pengonte atë të përgjigjej si duhet në kohë krizash. “Sipërmarrësi varet nga punonjësit e tij, nga krijimtaria, nga zemra dhe shpirti i tyre: varet nga “kapitali” i tyre shpirtëror”, përfundoi ipeshkvi i Romës, i cili ftoi për guxim, krijimtari, ndryshim dhe risi. “Sfidat e mëdha të shoqërisë nuk mund të kapërcehen pa sipërmarrës të mirë”.

12 shtator 2022, 14:45