Papa Françesku: përdorimi i energjisë atomike në luftë është krim
R.SH. - Vatikan
Përdorim kriminal! Papa e dënon haptas përdorimin e energjisë bërthamore për qëllime jopaqësore. Nga faqja e tij e internetit @Pontifex, në mëngjes vonë, e përmbledh mendimin e tij në një Twitter:
“Ritheksoj se përdorimi i energjisë atomike për qëllime lufte, sot më shumë se kurrë, është krim jo vetëm kundër njeriut dhe dinjitetit të tij, por kundër çdo mundësie të së ardhmes në shtëpinë tonë të përbashkët”. #Pace #DisarmoNucleare#TempodelCreato”.
Mesazhi i Papës Françesku i kushtohet Ditës ndërkombëtare për zhdukjen e plotë të armëve bërthamore dhe nënvizon edhe një herë urgjencën e një zgjidhjeje alternative dhe të menjëhershme për parandalimin e prodhimit të këtij lloj armatimi, nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Lufta në Ukrainë e ashpërsoi sistemin, në të cilin armët bërthamore luajtën dhe vazhdojnë të luajnë rol udhëheqës në “fushën globale gjeopolitike të shahut”. Rrugë, kjo, që mund ta çojë njerëzimin në humnerën e vetëshkatërrimit. Dita e sotme, që kremtohet me dëshirën e Kombeve të Bashkuara çdo 26 shtator, që nga viti 2013, është nxitje e mëtejshme për të shpejtuar reflektimin.
Aktualitet çarmatosës
Problemi i çarmatimit bërthamor nuk ka qenë kurrë më aktual se në vitin 2022! Dy ditë më parë kujtuam muajin e shtatë që nga fillimi i luftës në Ukrainë - një vend i cili në vitin 1994 hoqi dorë nga arsenali i tretë më i madh bërthamor. Një konflikt në të cilin, pas referendumit të kërkuar nga Kremlini në rajonet e pushtuara të Ukrainës dhe të panjohur nga shumica e bashkësisë ndërkombëtare, Moska nisi sërish këcënimet për përdorimin e armëve bërthamore. Në një botë ku burrat dhe gratë jetojnë “nën presion”, ndërsa flitet për një ardhmëri me makina dhe robotë që krijojnë iluzionin e “rinisë së përjetshme”, po lind ideja “e një katastrofe përfundimtare, që do të na shuajë nga faqja e dheut”, sepse “kjo është pasoja e një lufte të mundshme atomike” kujtoi Papa gjatë katekizmit në audiencën e përgjithshme të 16 marsit të kaluar, duke kujtuar kërcënimet e përsëritura bërthamore, që në javët e para të konfliktit në Ukrainë. Në atë të nesërme – nëse do të ketë ende ditë dhe qenie njerëzore - do të duhet të fillojmë nga e para. “Ta shkatërrojmë gjithçka - për të filluar nga e para”, shtoi Françesku. “Por a do të ketë më njerëz, që jetojnë? E ku do të jetojnë?”.
Çarmatimi nuk është ligështi
Tre muaj më vonë, më 21 qershor 2022, Papa e përsëriri thirrjen në një mesazh drejtuar ambasadorit Alexander Kmentt, president i takimit të parë të vendeve anëtare të Traktatit për Ndalimin e Armëve Bërthamore, që po zhvillohej ato ditë në Vjenë. Me atë rast, Françesku kërkoi edhe një herë që të “heshtin të gjitha armët dhe të zhduken shkaqet e konflikteve përmes vijimit të palodhur të bisedimeve”. “Ata që bëjnë luftë, e harrojnë njerëzimin”, përsëriti, duke nënvizuar se “paqja është e pandashme e, për të qenë vërtet e drejtë dhe e qëndrueshme, duhet të jetë universale. Arsyetim mashtrues dhe vetëshkatërrues, të mendosh se siguria dhe paqja e disave, është e shkëputur nga siguria dhe paqja kolektive e të tjerëve”. Për Papën, fuqia bërthamore mund të përkufizohet fare mirë si “shumëfishim rreziqesh” që “siguron vetëm iluzionin e paqes: përpjekje për të mbrojtur dhe për të garantuar stabilitetin dhe paqen përmes ndjenjës të rreme të sigurisë dhe ekuilibrit të terrorit, mbështetur nga mendësia e frikës dhe mosbesimit, në mënyrë të pashmangshme përfundon duke helmuar marrëdhëniet ndërmjet popujve dhe duke penguar çdo formë të mundshme të dialogut të vërtetë”. Grumbullimi i armëve atomike nxit lehtësisht edhe kërcënimin e përdorimit të tyre: prandaj bëhet “një lloj shantazhi - kujton Françesku - i neveritshëm për ndërgjegjet e njerëzimit”.
T’i lutemi Marisë për paqe
Kohët e fundit, në fjalimin e tij drejtuar pjesëmarrësve në seancën plenare të Akademisë Papnore të Shkencave, Papa kujtoi thirrjen e Shën Gjon Palit II drejtuar Virgjërës Mari, që planeti të mos e provonte tmerrin e konfliktit bërthamor.
“Hije të reja shqetësuese, të cilat dukeshin të destinuara të shpërbëheshin - kujtoi - e mbështjellin botën sot. Pata thënë se ishte lufta e tretë botërore ‘copaz-copa’. Sot ndoshta mund të themi se është përgjithshme dhe se rreziqet për njerëzit dhe për planetin janë gjithnjë e më të mëdha. Shën Gjon Pali II falënderoi Zotin sepse, me ndërmjetësimin e Marisë, bota ishte ruajtur nga lufta atomike. Fatkeqësisht, ne duhet të vazhdojmë të lutemi për këtë rrezik, i cili duhet të ishte shmangur prej kohe”.
Përdorimi paqësor i energjisë bërthamore
Të panumërta rastet, në të cilat Selia e Shenjtë ka mbajtur qëndrim të prerë kundër përdorimit dhe pasjes së armëve bërthamore. Më pak se një vit më parë, për shembull, Sekretari i Shtetit të Papës, kardinali Pietro Parolin, kujtoi se pandemia “po na jep një mësim të çmuar” domethënë, po na mëson se “duhet ta rishikojmë konceptin tonë mbi sigurinë”, i cili "nuk mund të bazohet mbi kërcënimin e shkatërrimit të ndërsjellët dhe mbi frikën, por duhet ta ketë themelin mbi drejtësinë, zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, respektimin e të drejtave të njeriut, kujdesin për krijimin, promovimin e strukturave arsimore e shëndetësore, dialogun e solidaritetin”.
I shqiptoi këto fjalë nësa hapte konferencën, titulluar “Shndërrimi i armëve bërthamore? Ia vlen!”, organizuar nga “Komiteti për qytetërimin e dashurisë”, mbajtur në sallën e shtypit të Kuvendit të Shenjtë të Asizit. Akademia Papnore e Shkencave publikoi, në prill 2022, një deklaratë të gjatë për parandalimin e luftës bërthamore, duke renditur rreziqet që mund të sjellë për mbarë njerëzimin. Nëntë pika veprimi dhe katër thirrje drejtuar udhëheqësve kombëtarë dhe fetarë, shkencëtarëve dhe burrave e grave nga e gjithë bota për të ndihmuar që shkenca të jetojë në paqe e ta frenojë çoroditjen e arritjeve të saj. Kohët e fundit, Vatikani bëri thirrje që shtetet të bashkëpunojnë në përdorimin paqësor të energjisë bërthamore. Duke folur më 8 gusht në Nju Jork, në konferencën e OKB-së lidhur me rishikimin e Traktatit për mospërhapjen e armëve bërthamore, Kryepeipeshkvi Gabriele Caccia, kreu i delegacionit të Selisë së Shenjtë, përsëriti bindjen se energjia atomike duhet të përdoret vetëm qëllime paqësore!
Thirrjet e vazhdueshme të Françeskut
“Përdorimi i energjisë atomike për qëllime lufte është imoral, ashtu siç është imoral grumbullimi i armëve atomike, siç e thashë dy vjet më parë. Ne do të gjykohemi për këtë”. Ky është sigurisht një nga pasazhet më të forta të fjalimit të Papës në Memorialin e Paqes në Hiroshima. Ndërsa në audiencën me pjesëmarrësit në konferencën “Perspektiva për një botë pa armë bërthamore dhe për çarmatimin e plotë”, më 2017, Papa nënvizoi se përdorimi i pajisjeve bërthamore si dhe “posedimi i tyre duhet të dënohen vendosmërisht”. Fjalë që i përsëriti po atë vit, në konferencën për shtyp gjatë fluturimit të kthimit nga udhëtimi apostolik në Mianmar dhe Bangladesh. Me rastin e 53-të Ditës Botërore të Paqes, kremtuar më 1 janar 2020, Françesku e kujtoi përsëri rrezikun e armëve bërthamore: “Nuk mund të pretendojmë ta ruajmë stabilitetin në botë, përmes frikës së asgjësimit, në një ekuilibër më të paqëndrueshëm se kurrë, të varur pezull buzë greminës bërthamore e të mbyllur brenda mureve të indiferencës, ku merren vendimet-ekonomike, që u hapin rrugën dramave të shkatërrimit të njeriut dhe të krijimit, në vend që ta ruajmë njëri-tjetrin”.