Papa Françesku, Kanosianeve: jini gra që i duan pa masë Zotin dhe të varfërit
R.SH. - Vatikan
Gra të fjalës, të dashurisë së pakufishme, të dëgjimit të Shpirtit Shenjt, të përkushtimit ndaj të varfërve dhe të braktisurve, jo gra të aktivizmit. Të shumta, shprehjet e përdorura nga Papa në fjalimin e tij drejtuar Bijave Kanosiane të Bamirësisë, mbledhur deri më 30 gusht, në Kapitullin e Përgjithshëm, ku po diskutojnë pikërisht mbi temën e dashurisë pa masë dhe rrugës së sotme drejt shenjtërisë. “Shenjtëria dhe misioni - pohon Françesku – janë përmasa të jetës së krishterë, të pandashme nga njëra-tjetri”.
“Sekreti është gjithmonë i njëjtë: ta lësh Shpirtin Shenjt të të prijë për të dashur Zotin dhe të varfërit. Sot! ‘E sotmja’ është e sotmja e Kishës, e sotmja e shoqërisë, ose më mirë, e shoqërive të ndryshme në të cilat jeni të pranishme. Me varfëritë, me ato fytyra, që kërkojnë afërsi, dhembshuri dhe butësi”.
E, sidomos, me stilin e Zotit - theksoi Papa - i cili na afron, na fal, na përkëdhel. Gjithë kohes. Stili i Zotit është afërsia, dhembshuria, butësia.
Jo aktivizmi, por Fjala
Françesku kujtoi, në vijim, Marinë, dishepulle dhe grua që di ta mbajë fjalën e që nuk ka të bëjë fare me “gratë llafazane”. E edhe murgeshat e moshuara, dëshmitare të një mahnitjeje, që nuk mungon kurrë; të rejat përplot me entuziazmin e zbulimeve; moshën e mesme, së cilës i kërkon të jetë e kujdesshme, sepse ndërsa merr përsipër përgjegjësitë, rrezikon të kalojë në aktivizëm.
“E atëherë ne nuk jeni më gratë e Fjalës, por gratë e kompjuterit, gratë e telefonit, gratë e rendit të ditës, e kështu me radhë. Pra, kjo moto ka vlerë për të gjithë! Për t’u kthyer në shkollën e Marisë, përqendrohuni te Fjala dhe jini gra ‘që duan pa masë’. Fjala, jo aktivizmi, jo ... në qendër”.
Gratë e Shpirtit
Çelësi për të jetuar një jetë të përkryer, është dashuria pa masë, “aftësi, që vjen nga Shpirti Shenjt”, nga Zoti-me-ne. E “durimi i Zotit-me ne - kujton Papa - më prek thellë në shpirt:
“Atëherë është e mundur të duam pa masë duke i lënë vend Shpirtit Shenjt dhe veprimit të Tij në jetën tonë. E kjo është shenjtëria. Gra të Shpirtit, si Maria. Lëreni Shpirtin t’ju prijë. Hapjani zemrat Shpirtit”.
Françesku kujton, më pas, themeluesen, Magdalena e Kanosës, që ia dhuroi veten Zotit, por edhe të varfërve në zonat periferike të Veronës:
“Kujdes! Është Shpirti që e drejton atë, në situata konkrete, dhe ajo pranon të udhëhiqet; kërkon rrugën e saj, por gjithmonë e bindur. Bindja nuk ka të bëjë me tekat, me kokëfortësinë: unë dua ta bëj këtë ... Jo, bindje ndaj Shpirtit. Ky është sekreti! E kështu dashuria hyjnore e Krishtit e formon zemrën e saj, e plazmon jetën e saj”.
Në ndihmë të familjeve
Me shikimin e ngulur tek e sotmja, Papa kujton numrin e rëndësishëm të noviceve kanosiane, shenjë fekonditeti, që do t’i shërbente Evropës, gjithnjë e më shumë të burgosur në dimrin demografik. Njerëzit e sotëm - theksoi Papa - duan më shumë qentë, sesa fëmijët. E flet, më pas, për “dashurinë e programuar”:
“E kjo është gjë e keqe: ju lutemi ndihmoni familjet të kenë fëmijë. Është problem njerëzor, por edhe problem atdhetar”.
Zemërhapur për të tjerët
Guximi dhe bujaria janë karakteristikat që theksoi më shumë Papa e që i pa në fytyrat e motrave. Gëzim, për t’u jetuar bashkërisht, duke shmangur tundimin e përgojimit e të ankimit. Së fundi, nxitja për të “jetuar e për punuar me të tjerët”, për rritjen shpirtërore por edhe për t’i përballuar me besim vogëlsitë e përditshme në familje, mbasi pikërisht aty shihet më mirë dashuria e krishterë.
Papa vuri theksin edhe mbi lutjen e adhurimit:
“Lëvizja e shpirtit që decentralizohet nga vetevetja, për t’u përqendruar në Krishtin - ky është adhurimi: decentralizimi, që e bën të mundur shërbimin ndaj të afërmit e që nuk është devocion, as asistencializëm, por hapje e zemrës, afërsi, ndarje e përbashkët; me një fjalë: bamirësi. Shën Pali do të thoshte: ‘Dashuria e Krishtit na nxit kur mendojmë se njëri vdiq për të gjithë… Ai vdiq për të gjithë, në mënyrë që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq dhe u ngjall për ta”.