Shtegtarët polakë Shtegtarët polakë

Polakët dhe bukuria e shtegëtimit drejt Zojës Mari në Jasna Górës

Mijëra shtegtarë, qindra kilometra dhe breza të tërë që ecin në të njëjtën rrugë. Më 15 gusht, sezoni i shtegtimeve në këmbë arrin kulmin në Jasna Góra, duke dëshmuar se kjo traditë mbetet një shprehje e gjallë e fesë dhe e bashkësisë në Poloni.

Vatican News

“Shtegtarët janë si një familje”, thotë Grzegorz nga Augustów, i cili ka bërë 14 herë shtegtimin drejt Jasna Górës. Për të, shtegëtimi është para së gjithash një përvojë bashkësie: njerëzit ndihmojnë njëri-tjetrin, i japin zemër njëri-tjetrit dhe, kur lodhja bëhet e madhe, vazhdojnë të ecin së bashku. Kjo frymë bashkësie shkon përtej vetë grupit të pelegrinëve. Në qytetet dhe fshatrat përgjatë rrugës, banorët përgatisin ushqim, ujë dhe vende ku mund të pushohet. “Ti vazhdon të ecësh dhe pastaj gjen dikë që të pret: të ofron një vend për të pushuar, një fjalë të mirë dhe një buzëqeshje”, tregon Grzegorz. Disa shtegtarë takohen me të njëjtat familje pritëse prej dhjetëra vitesh.

Shtegtarët në Jasna Góra
Shtegtarët në Jasna Góra

Nga prindërit te fëmijët

Teresa nga Lipnica Wielka, në rajonin e Orawës, kishte marrë pjesë në pelegrinazh para se të martohej. Pas 23 vitesh, ajo u kthye sërish në këtë rrugë, këtë herë së bashku me vajzën e saj 15-vjeçare. Tani kanë tre vjet që ecin së bashku. Për Terezën, shtegtimi është një mundësi për të ngadalësuar ritmin e jetës, për ta parë jetën nga një këndvështrim tjetër dhe për të rizbuluar gjëra që shpesh humbasin në nxitimin e përditshëm.

Edhe historia e Krzysztofit nga Granowo, pranë Poznanit, është e ngjashme. Ai e bëri shtegtimin e parë kur ishte adoleshent. Sot është 50 vjeç, ka bërë 19 shtegtime dhe tani ecën së bashku me familjen. Vajza e tij nisi të merrte pjesë që në moshën shtatëvjeçare dhe tashmë e ka bërë shtegtimin 12 herë. “E presim gjatë gjithë vitit”, thotë ai. Ka mijëra histori të tilla. Julia nga Pelplin pranon se pelegrinazhi do të thotë dhimbje, djersë, lodhje dhe ndonjëherë edhe mot i keq. E megjithatë ajo kthehet përsëri. “Nuk ka vend më të mirë për të përjetuar mirësinë dhe bujarinë njerëzore”, thotë ajo.

Shtegtarët në Jasna Góra
Shtegtarët në Jasna Góra

Një traditë shekullore

Tradita e shtegtimeve në Poloni daton që nga Mesjeta. Grupet e organizuara drejt Jasna Górës udhëtonin që në shekullin XV. Disa prej këtyre shtegtimeve vazhdojnë të mbajnë një histori prej shekujsh. Këtë vit, shtegtarët nga Kalisz e bënë udhëtimin për herën e 389-të. Shtegtimi në këmbë nga Varshava zhvillohet pa ndërprerje çdo vit që prej vitit 1711 dhe tashmë është pjesë e Listës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Polonisë. Pelegrinazhi i Pabianicës ka numrin më të lartë: këtë vit u nis për herën e 558-të.

Sezona e shtegtimeve arrin kulmin në mes të gushtit. Vetëm më 13 gusht, rreth 21 mijë persona mbërritën në Jasna Góra në 11 shtegtime të mëdha në këmbë dhe një grup ndërkombëtar. Shtegtarët nga Pustków kishin përpara rrugën më të gjatë, rreth 650 kilometra. Në një botë ku gjithçka kërkohet të bëhet gjithnjë e më shpejt, ata zgjedhin një udhëtim që zgjat shumë ditë. Ecën me hapa të ngadaltë, me lodhje, lutje dhe solidaritet, deri sa më 15 gusht arrijnë në destinacion. Dhe shumë prej tyre e dinë tashmë se vitin e ardhshëm do të nisen përsëri në këmbë drejt Jasna Górës.

Nga At Łukasz Bankowski

Shtegtarë në Jasna Gora
Shtegtarë në Jasna Gora
15 gusht 2026, 16:51