Kërko

2024.08.15 Maria Assunta in Cielo (foto © Custodia di Terra Santa)

Në përgatitje për festën e Zojës së Ngjitur në Qiell

Maria na mëson të ecim në rrugën e fesë edhe kur nuk i kuptojmë gjithmonë planet e Zotit. Ajo e pranoi thirrjen hyjnore me fjalët: “Ja shërbëtorja e Zotit; u bëftë me mua sipas fjalës sate”. Kjo gatishmëri për t’i besuar Zotit e shoqëroi gjatë gjithë jetës së saj: në gëzimin e Betlehemit, në heshtjen e Nazaretit, në dhimbjen pranë kryqit dhe në gëzimin e Ngjalljes së Jezu Krishtit.

Vatican News

Ndërsa afrohemi drejt festës së madhe të Fjetjes a Ngjitjes së Virgjrës Mari - Zojës së Bekuar në Qiell, që kremtojmë më datën 15 gusht, Kisha katolike romake na fton të ndalemi te misteri i jetës së Marisë së Nazaretit, gruas që me fesë, përvujtërinë dhe dashurinë e saj u bë shembull i përsosur i besimit dhe bashkimit me Zotin.

Në Marinë shohim përmbushjen e premtimit të Hyjit për njeriun. Ajo që gjatë gjithë jetës së saj e mbajti zemrën të hapur ndaj vullnetit të Zotit, tani merret në lavdinë qiellore me shpirt e me trup. Ngjitja e saj në Qiell nuk është vetëm një privilegj i dhënë Nënës së Krishtit, por edhe një shenjë shprese për të gjithë ne: jeta jonë nuk përfundon në varr, por është e thirrur për bashkim të përjetshëm me Hyjin.

Maria na mëson të ecim në rrugën e fesë edhe kur nuk i kuptojmë gjithmonë planet e Zotit. Ajo e pranoi thirrjen hyjnore me fjalët: “Ja shërbëtorja e Zotit; u bëftë me mua sipas fjalës sate”. Kjo gatishmëri për t’i besuar Zotit e shoqëroi gjatë gjithë jetës së saj: në gëzimin e Betlehemit, në heshtjen e Nazaretit, në dhimbjen pranë kryqit dhe në gëzimin e Ngjalljes së Jezu Krishtit.

Në përgatitjen për këtë festë, jemi të ftuar të shikojmë zemrën tonë dhe të pyesim veten: a i lëmë vend Zotit të veprojë në jetën tonë? A dimë të besojmë edhe në sprova? A jemi bartës të shpresës dhe të dashurisë në familjet dhe bashkësitë tona?

Maria, e ngritur në lavdinë e Qiellit, vazhdon të ecë me Kishën dhe me secilin prej nesh. Ajo na drejton gjithmonë te Biri i saj, Jezu Krishti, dhe na kujton se rruga e përvujtërisë, e fesë dhe e dashurisë është rruga që çon drejt jetës së vërtetë.

Le të përgatitemi për këtë festë me lutje më të thellë, me pajtim në zemër dhe me një besim të ripërtërirë, duke ia besuar jetën tonë kujdesit amnor të Marisë.

O Mari, Nëna e Zotit dhe Nëna jonë, udhëhiqna drejt Birit tënd dhe na mëso të jetojmë gjithmonë me shpresën e Qiellit.

13 gusht 2026, 11:57