Ndjesa e Asizit, shenjë e paqes së paarmatosur e çarmatosëse
Vatican News
Nga 29 korriku deri më 3 gusht, në Bazilikën Papnore të Shën Marisë së Engjëjve, vijon të kremtohet Solemniteti i Faljes së Asizit. Pasi nisi më 29 korrik, ndjesa e plotë dhënë kishave famullitare dhe kishave françeskane në mbarë botën, do të vijojë deri nesër.
Zemra e solemnitetit është Porziuncola, vendi ku Françesku deshi të vdiste e ku, sipas traditës, në vitin 1216, mori nga Papa Honorius III faljen e plotë të të gjitha ndëshkimeve të përkohshme për mëkatet e falura tashmë në rrëfim.
Falja e Asizit në Vitin Jubilear françeskan
Porziuncola, shpjegon Atë Massimo Fusarelli, Epror i Përgjithshëm i Fretërve të Vegjël, në një intervistë me mediat e Vatikanit, është vendi që Shën Françesku e zgjodhi të vdiste. "Ne e dimë - tregon Fusarelli - se në muajin e fundit të jetës së tij tokësore, Françesku ishte në Pallatin e Ipeshkvit, në Asizi, për t’u mjekuar, por ai vetë, para se të lindte në Parajsë, kërkoi të zbriste në Porziuncola, vendi ku kishte nisur jeta e tij shpirtërore. Në tetëqindvjetorin e vdekjes së tij, kalimi i pragut të këtij vendi të Mëshirës e të Faljes merr një rëndësi unike. E këtu Shenjti duket sikur këndon ende për takimin e tij me Motrën Vdekje - e vdes si njeri i pajtuar"- përfundon rregulltari në këtë pikë.
Falja e Paqja
Kërkesa për të fituar faljen e mëkateve për të gjithë, sipas vullnetit të Varfanjakut të Asizit, është premtim i Parrizit. Pajtimi që vjen nga Falja është i lidhur me kërkesën e Papës Leoni për një paqe "të çarmatosur" dhe "çarmatosëse" që fillon në zemrën njerëzore. "Duke u nisur nga fjalët e Papës" - vijon të shpjegojë atë Fusarelli - do të paraqisja një kategori më specifike françeskane: Françesku kërkoi të varrosej lakuriq në dhe; e lakuriq është shumë më tepër sesa i paarmatosur" - sqaron Ministri i Përgjithshëm. "Françesku kaloi vijën e betejës ndërmjet Kryqëzatave dhe Saracenëve lakuriq dhe i paarmatosur, i pambrojtur, pa garanci. Kjo e ekspozoi atë ndaj armikut, por e lejoi të takohej me një shok njerëzor, Sulltanin. Duke ecur drejt vdekjes lakuriq, vazhdoi rrugën e shpronësimit dhe të thjeshtimit që kishte zgjatur një jetë të tërë".
Në përfundim, Fusarelli pyet: "Si është e mundur të synojmë paqen, nëse jemi të armatosur me armë e të armatosur edhe me të gjitha idetë, keqkuptimet dhe dhunën, që na pushtojnë? Na e tregon rrugën Françesku".