Marshimi drejt Asizit në emër të Shën Françeskut, duke pritur Papën
Vatican News
Të rinj nga Italia dhe nga e gjithë Evropa janë mbledhur këto ditë në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve në Asizi, për Takimin ndërkombëtar të të Rinjve Françeskanë "SHKO!". Për shumë prej tyre, lutja në kishëzën e Shën Françeskut, brenda Bazilikës, në Porziuncola, është etapa e fundit e Marrshimit Françeskan në këmbë, traditë shumëvjeçare. Siç shpjegon për median e Vatikanit frati Gianfranco Rollo, i cili shoqëron të rinjtë e Toskanës, “këtë vit, ngjarja është e veçantë, sepse përkon me 800-vjetorin e vdekjes së Shën Françeskut dhe me takimin me Papën Leoni XIV. Marshimi – shpjegon ai – të mëson thelbin e jetës. Secili ecën me një çantë shpine, duke u zhvendosur në një vend të ndryshëm çdo mbrëmje, prandaj, është e rëndësishme të kesh me vete vetëm pak gjëra. Disa ndërresa, një mushama në rast shiu, një dyshek nga ata që palosen, për të fjetur. Edhe etapat nuk dihen të gjitha më parë. I besohemi Provanisë Hyjnore; bukuria e këtyre ditëve qëndron pikërisht këtu: të dalim nga e zakonshmja e jetës dhe t'i besohemi Zotit, që të kthehemi të ripërtërirë".
Të ecim së bashku për ta bërë mundimin më të lehtë
Të rinjtë janë entuziastë edhe për takimin e nesërm me Papën Leoni XIV. "Mezi pres të dëgjoj fjalët e tij", thotë Francesca Ticciati, një vajzë e re nga Piza që mori pjesë në marshim. "Jam e sigurt se do të na thotë diçka të çmuar, diçka që mund të përfshijmë më pas në jetën tonë të përditshme dhe ta përçojmë tek miqtë, që s’arritën të vinin". Vetë Francesca jo vetëm që mori pjesë në marrshim, por u ofrua si vullnetare për të ndihmuar personat në vështirësi gjatë rrugës. "Ky është marshimi im i katërt", tregon ajo, "dhe këtë vit doja ta përjetoja ndryshe. Ne vullnetarët shkonim përpara marshuesve dhe u siguronim ushqim e ujë nëse kishin nevojë, ose i ndihmonim nëse kishin ndonjë problem fizik. Të ndash vështirësitë, dhimbjen, por edhe gëzimet dhe shpresat me ata që nuk i ke njohur kurrë", shpjegon vajza, "është diçka që të mbetet në shpirt dhe ta hap zemrën ndaj të tjerëve në një mënyrë, që ndoshta, mendoja se s’ishte e mundur. Ndoshta ky është sekreti që më bën të kthehem në Marshimin Françeskan çdo vit".