Kërko

INDIA-POLITICS-PROTEST

Indi, për dalitët kristianë e myslimanë vijon plaga e diskriminimit

Të shfuqizohet neni 3 i Dekretit Presidencial, në fuqi që nga 10 gushti 1950, që mohon statusin e njohur të kastës së të dy komuniteteve. Është kërkesa që i bëhet përsëri qeverisë së New Delhit në përvjetorin e trishtuar të sotëm, ditë e quajtur Dita e Zezë për të fundmit, për "të paprekshmit" në shoqërinë indiane

Vatican News

"10 gushti është ende 'ditë e zezë', ditë kur rihapet plaga e diskriminimit dhe e përjashtimit. Kërkesa që po i paraqesim qeverisë sot është të shfuqizojë Nenin 3 të dekretit presidencial të 10 gushtit 1950, që u mohon statusin e "kastës së njohur" të krishterëve dhe myslimanëve Dalit”. Këtë kujtoi në një bisedë me mediat vatikanase françeskani Nithiya Sagayam, i Urdhrit të fretërve të vegjël kapuçinë, sekretar i Komisionit për tributë dhe kastat e njohura (SCST, përkufizimi zyrtar i grupeve të ndryshme etnike a shoqërore, historikisht në disavantazh) në Këshillin e Ipeshkvijve Katolikë të Tamil Nadusë, duke  përsëritur thirrjen e bërë nga komuniteti i krishterë indian me rastin e një dite të quajtur Black Day - Dita e Zezë për dalitët, domethënë, për më pak të rëndësishmit, "të paprekshmit" në shoqërinë indiane.

  (AFP or licensors)

Ditë pikëllimi të madh për të krishterët dhe myslimanët

10 gushti, shpjegon atë Nithiya, "është ditë pikëllimi të madh për të krishterët dhe myslimanët Dalit në Indi". Në këtë ditë të vitit 1950, Presidenti i atëhershëm i Indisë lëshoi ​​një dekret që u jepte të drejta të veçanta dalitëve, segmenteve më të pafavorizuara të shoqërisë, për t'i ndihmuar të përparonin në zhvillimin e tyre njerëzor. Dekreti, raporton ai, "u lejonte të merrnin kuota të veçanta dhe pranim të privilegjuar në arsim, punësim dhe mirëqenie". Por më pas, vazhdon Sagayam, "përmes një akti diskriminimi fetar, dalitët e krishterë dhe myslimanë u përjashtuan nga këto përfitime. Për këtë arsye, për më shumë se shtatëdhjetë e pesë vjet, komunitetet e krishtera organizuan demonstrata dhe takime për të rritur ndërgjegjësimin, duke kërkuar të drejta dhe mundësi të barabarta".

Në vitin 2026, bashkësia e krishterë në Tamil Nadu, një nga shtetet indiane me përqendrimin më të lartë të dalitëve, planifikoi tubime publike në vende të ndryshme. Ipeshkvij katolikë dhe të tjerë, udhëheqës fetarë, përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile po marrin pjesë së bashku me priftërinjtë, rregulltarët dhe laikët, të cilët do t'u paraqesin autoriteteve civile një memorandum.

Një histori e lashtë

Ngjarja është e rrënjosur në një histori edhe më të lashtë. Sistemi i kastave, i cili u zhvillua gjatë shekujve në nënkontinentin indian përmes stratifikimit kompleks shoqëror, prodhoi forma të thella mënjanimi. Me pavarësinë dhe Kushtetutën e vitit 1950, India nisi politikën për mbrojtjen e komuniteteve historikisht të lëna mbas dore, duke i lidhur me Hinduizmin. Në vitin 1956, mbrojtjet u shtrinë edhe në Dalitët Sikh, ndërsa në vitin 1990, në Dalitët Budistë, ndërsa të krishterët dhe myslimanët u përjashtuan. Kjo pabarazi kundërshtohet nga Kisha: kthimi në krishterim ose në islam, siç vihet re, nuk e zhduk rolin shoqëror dhe ekonomik, të trashëguar nga origjina e dikujt. Një organ i pavarur, Komisioni Ranganath Misra, në vitin 2007 rekomandoi që ordinanca të rishikohej dhe përfitimet të bëheshin të pavarura nga feja, por qeveria indiane deri tani nuk i ka ndjekur këto sugjerime.

Ndërmjet ripërtëritjes e drejtësisë

Për katolikët indianë, çështja ka të bëjë drejtpërdrejt me fenë: "Është përgjegjësia jonë të punojmë për përtërijtën dhe drejtësinë", vëren Ati Sagayam, "duke kujtuar se Zoti është Atë që i do të gjithë bijtë e tij në mënyrë të barabartë, pavarësisht nga kasta, ngjyra ose klasa". Diskriminimi, vijon frati françeskan, nganjëherë mund të vazhdojë edhe brenda bashkësive të krishtera ku, në disa raste, ndarja në vendet e kultit, zonat në varreza, më pak mundësi në shkolla dhe përfaqësimi i ulët i dalitëve në pozicione udhëheqëse, është i dukshëm. Festimi i 10 gushtit bëhet kështu edhe shqyrtim i ndërgjegjes. Në Eukaristi - pohon prifti - Kisha është e thirrur ta tregojë veten si familje, "dhe parimi i Shën Palit, 'të gjithë janë një në Krishtin Jezus', të bëhet udhë konkrete për t'u ndjekur". Nga kjo perspektivë, Ati Nithiya kujton thirrjen e Papës Leoni XIV "Të mos ndahet besimi, nga dashuria për të varfrit". I frymëzuar nga fjalët e Papës - përfundon ai - le të themi me guxim: “nuk mund të ndahet feja nga dashuria për dalitët".

10 gusht 2026, 15:09