Piktura e atë Jacques Hamel, bërë nga një mysliman e dhuruar Kishës Katolike Piktura e atë Jacques Hamel, bërë nga një mysliman e dhuruar Kishës Katolike

Vrasja e Atë Jacques Hamel: tragjedi që tronditi të krishterë e myslimanë

Dhjetë vjet më parë, më 26 korrik 2016, Atë Jacques Hamel, famullitari i Kishës së Saint-Étienne-du-Rouvray në Francën veriore, u vra ndërsa po kremtonte meshën. Dy terroristë të të ashtuquajturit Shtet Islamik ISIS e prenë në fyt. U plagos rëndë edhe një nga anëtarët e bashkësisë, që po merrte pjesë në Meshë

Vatican News

Franca kujton këto ditë 10-vjetorin e vrasjes së Aë Jacques Hamel, famullitarit të Kishës së Saint-Étienne-du-Rouvray, i cili u pre në fyt nga dy terroristë të Isisit, ndërsa po kremtonte Meshën, më 26 korrik 2016. Janë organizuar nisma ndërfetare për të nxitur mirëkuptimin e ndërsjellë midis të krishterëve dhe myslimanëve, si edhe ekspozita, lutje e takime, veçanërisht në fshatin verior francez. Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Franceze, kardinali Jean-Marc Aveline, do të kryesojë një meshë, që do të transmetohet të dielën nga kanalet televizive publike të Francës.

Ruajtja e kujtesës së këtyre ngjarjeve është e rëndësishme për brezat e rinj, por është e nevojshme edhe të vihet në dukje se marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve në Francë janë përmirësuar vazhdimisht gjatë dhjetë viteve të fundit, edhe pse mbetet ende shumë për të bërë, për shkak të mosbesimit, që vjen nga manipulimet politike dhe ideologjike. Mediat e Vatikanit intervistuan domenikanin, atë Jean-François Bour, drejtor i Shërbimit Kombëtar për Marrëdhëniet me Myslimanët.

Ai reflekton së pari mbi etapat historike dhe reagimet, që shënuan evolucionin e dialogut dhe të ndërgjegjësimit ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve.

Dialogu islamo-kristian në Francë ka rrënjë të thella, nisur që nga vitet '50 dhe institucionalizuar nga Kisha në vitin 1973, duke i ndihmuar të krishterët të kuptojnë më mirë fenë dhe historinë islame. Çasti i parë i kthesës shpirtërore dhe i reflektimit mbi këto marrëdhënie ndodhi në vitin 2001, me sulmin në World Trade Center, në Nju Jork, i cili imponoi një meditim të thellë mbi arsyet e dhunës terroriste. Në vitet rreth 2010-ës, shkallëzimi i sulmeve shkaktoi te myslimanët një tronditje të thellë shpirtërore, pasi zbuluan ekzistencën e rrymave xhihadiste, të cilat ishin të huaja për mësimet fetare që kishin marrë. Pas vrasjes së atë Hamel, delegacione myslimane të nivelit të lartë, duke përfshirë përfaqësues të traditave rigoroze si Lidhja Botërore Myslimane, u bashkuan me ipeshkvijtë dhe me bashkësinë e krishterë në lutje, duke e dënuar publikisht gjestin, pasi e kuptonin nevojën e domosdoshme për të përcjellë një mesazh të ndryshëm fetar.

Si i bashkoi të dyja bashkësitë kundër ekstremizmit, figura e atë Hamelit dhe vlera e lutjes?

Pas tragjedive si këto, shohim njerëz të zakonshëm, që ngrihen dhe thonë se një dhunë e tillë nuk i përfaqëson. Ajo, që i tronditi dhe i bashkoi thellësisht besimtarët e të dyja feve, ishte tmerri i një martirizimi, që ndodhi gjatë aktit më të shenjtë: kremtimit të meshës. Shumë myslimanë shprehën indinjatën për përdhosjen e një momenti lutjeje, duke treguar afërsinë e tyre me gjeste konkrete dhe shpirtërore, si vendosja e luleve mbi varrin e atë Hamelit dhe dhurimi i një portreti të meshtarit ndërsa predikonte. Nga ana tjetër, përgjigjja e Kishës franceze — e bazuar në vlerat ungjillore të dialogut, faljes dhe pajtimit — bëri të mundur që të mos fajësohej e gjithë bota islame për ideologjinë vdekjeprurëse të disave. Ky qëndrim dëshmie të krishterë i befasoi dhe i qetësoi institucionet, duke theksuar se dhuna ekstremiste nuk përfaqëson ndjenjën e vërtetë fetare të besimtarëve.

Cilat janë sot sfidat edukative dhe rreziqet shpirtërore për të ardhmen e dialogut ndërfetar?

Pengesa më e madhe për dialogun ndërfetar sot është bindja se ka çështje më urgjente - se po jetojmë në një kohë me kaq shumë sfida, saqë dialogu ndërfetar nuk është më përparësi. Sfida kryesore qëndron në edukimin e brezave të rinj, të cilët jetojnë në një atmosferë të përgjithshme ankthi e pasigurie dhe ka rrezik ta shohin tragjedinë e atë Hamelit si ngjarje abstrakte. Në nivelin shpirtëror, rreziku vjen nga prirja për t'u mbyllur në vetvete. Ka rrezik të shndërrohet jeta e krishterë dhe ungjillëzimi në një lloj "muri mbrojtës", ose në një kundërvënie identitare kundër myslimanëve. Për të kapërcyer këtë mosbesim dhe për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme, është i domosdoshëm një angazhim i ri besimi, dialogu dhe mirëkuptimi të ndërsjellë.

24 korrik 2026, 13:53