Kërko

VENEZUELA-EARTHQUAKE-AFTERMATH

"Vazhdoni të luteni për Venezuelën": thirrja e një famullitari nga La Guaira

Pas tërmetit shkatërrimtar, që goditi vendin më 24 qershor, atë Antonio Rella, famullitar i kishës së Zemrës së Papërlyer të Marisë, përshkruan një situatë plot dhimbje, pasiguri, por edhe plot solidaritet. Ndërsa bashkësia e tij është bërë qendër grumbullimi dhe shpërndarjeje për ndihma në zonat më të prekura, meshtari thekson se rindërtimi, si material, ashtu edhe shpirtëror, do të kërkojë kohë, këmbëngulje dhe lutje

Vatican News

Ndërmjet ndërtesave të shembura e familjeve, që ende presin lajme për të afërmit e tyre, Kisha e La Guaira-s vazhdon ta mbështesë popullsinë e prekur nga tërmeti i dyfishtë, që tronditi Venezuelën të mërkurën, më 24 qershor. Atë Antonio Rella, famullitar i kishës së Zemrës së Papërlyer të Marisë, shpjegon se është ende e vështirë të përcaktohet me saktësi shkalla e tragjedisë, si për shkak të vështirësive në lëvizje, ashtu edhe për shkak të dëmit të madh. "Shkatërrimi ishte i jashtëzakonshëm", pohon ai: "Ka vende që duken si zona lufte dhe të tjera, që më sjellin ndërmend pamje apokaliptike, me ndërtesa të rrënuara plotësisht".

Ndërmjet shpresës dhe zisë

Pesëmbëdhjetë ditë pas tërmetit, shumë familje vazhdojnë të shpresojnë se të afërmit e tyre të zhdukur do të gjenden gjallë. Të tjerëve u është dashur të përballen me dhimbjen e vdekjes. "Ende ka shpresë të madhe në shumë familje", nënvizon meshtari, duke kujtuar shpëtimin e dy motrave, nxjerrë gjallë nga rrënojat. Pasiguria, shpjegon ai, ka të bëjë jo vetëm me sferën emocionale, por edhe me nevojat më themelore, siç janë ato për ujë të pijshëm, ushqim dhe stabilitet ekonomik. Edhe pse disa dyqane janë rihapur, kthimi në normalitet është ende shumë larg. "Situata është e ndërlikuar", thekson ai në një intervistë me mediat e Vatikanit.

Famulli e shndërruar në qendër ndihme

Famullia e Zemrës së Papërlyer të Marisë pësoi relativisht pak dëme krahasuar me anët e tjera të dioqezës. Ranë disa fugure dhe altari u dëmtua, por struktura e kishës mbeti në këmbë. Situata në famullitë fqinje është e ndryshme. Katedralja pësoi dëme serioze dhe disa kisha duhet të shemben, për shkak të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti. Pikërisht sepse kisha e tij rezistoi, u bë pikë strategjike për administrimin e emergjencës. "Famullia u shndërrua në vend takimi për meshtarët dhe në qendër shpërndarjeje për ndihmat", shpjegon atë Rella.

Solidaritet nga Venezuela dhe bota

Meshtari vë në dukje solidaritetin e jashtëzakonshëm nga e gjithë Venezuela dhe nga shumë vende të tjera. "Nuk më kujtohet të kem përjetuar ndonjëherë një tragjedi me këto përmasa", pohon ai, duke falënderuar për ndihmën humanitare. Megjithatë, ai pranon se në ditët e para, reagimi ishte i çorganizuar, gjë e pashmangshme nëse mbahet parasysh shkalla e emergjencës dhe mbërritja e njëkohshme e organizatave dhe e institucioneve të shumta. Në këtë kuadër, atë Rella nënvizon rolin e Karitasit të Venezuelës, të rrjetit famullitar dhe dioqezan, që mundësoi mobilizimin e shpejtë të fondeve e të vullnetarëve. "Organizata e parë që ndërmori menjëherë veprime ishte Karitasi", thekson ai.

  (Leonardo Fernandez Viloria)

Sfida më e vështirë: afërsia me të prekurit nga tërmeti

Përveç shpërndarjes së ushqimeve dhe të ilaçeve, një nga sfidat më të vështira për meshtarët e dioqezës është afërsia shpirtërore me të prekurit nga tërmeti. "Nuk është e lehtë të mos identifikohesh me vuajtjet e të tjerëve. Është praktikisht e pamundur të mos ndiesh empati", rrëfen atë Rella. Ndër shumë histori që e kanë prekur, kujton atë të një gjysheje, që kërkonte me dëshpërim mbesën e saj të humbur nën rrënoja. Përmend edhe funeralet e mbajtura ditët e fundit për disa viktima të tërmetit, përfshirë një fëmijë njëvjeçar. "Të gjesh fjalët e duhura për ta shndritur këtë realitet në dritën e fesë nuk është e lehtë", pranon ai.

Rindërtimi i kishave dhe shpresa

Famullitari e krahason situatën aktuale me përmbytjen shkatërrimtare, që goditi shtetin e Vargas në vitin 1999, përvojë që dëshmoi për qëndrueshmërinë e madhe të popullit venezuelian. "Nuk është hera e parë që jam përballur me tragjedi të ngjashme", vëren ai. Ndër përparësitë e Kishës lokale është rindërtimi i kishave, të cilat konsiderohen jo vetëm ndërtesa, por vende takimi, ngushëllimi dhe lutjeje për bashkësitë. "Gjithmonë u them besimtarëve se kjo është shtëpia e tyre", pohon atë Rella. "Mund të vijnë këtu sa herë të duan për të lëvduar Zotin, për ta falënderuar Atë, ose edhe për të diskutuar me Të". Krahas rindërtimit të vendeve të kultit, atë Rella mendon se duhet forcuar mbështetja shpirtërore dhe psikologjike si për besimtarët ashtu edhe për punonjësit baritorë – edhe ata, të prekur nga tragjedia - përmes shërbimit të barinjve të Kishës e të laikëve të impenjuar në bashkësi.

Uji dhe ushqimi mbeten emergjencat kryesore

Në nivelin material, nevojat më urgjente vazhdojnë të jenë ushqimi dhe furnizimi me ujë të pijshëm. Shumë banorë varen nga veprimtaria ekonomike e lidhur me Aeroportin Ndërkombëtar Maiquetía, me portin e La Guaira-s, ose me bizneset e vogla, që tani janë mbyllur, ose shkatërruar. "Ka njerëz që nuk i kanë humbur shtëpitë, por kanë humbur vendet e punës", shpjegon famullitari. Atë Antonio kërkon, së fundi, që solidariteti të mos zbehet sapo vëmendja e medias të zhvendoset diku tjetër. "Kur ndihma të fillojë të pakësohet, ende do të kemi nevojë për atë shtytje të vogël, që do të na japë mundësinë të ngrihemi përsëri në këmbë dhe të fillojmë rindërtimin", nënvizon ai, duke u folur me shpresë edhe venezuelianëve jashtë vendit, që ndjekin me ankth lajmet nga atdheu. Thirrja e tij është prekëse: “Mos pushoni së luturi për Venezuelën. Ndoshta jo të gjithë mund të na ndihmojnë materialisht, por lutja e përditshme është jashtëzakonisht e vlefshme për ne, sepse arrin në fronin e Zotit dhe jep fryte”. “Feja – shprehet ai me bindje - nuk i bën gjërat të lehta; i bën ato të mundura, sepse i jep shpirtit tonë forcën për të ecur përpara”.

10 korrik 2026, 16:02