2018.08.20 Meeting Rimini Santa Messa in fiera

Takimi i Riminit, Scholz: Magnifica Humanitas, frymëzim për të gjithë ne

Më 21 gusht, fillon në Rimini, Mitingu vjetor i lëvizjes kishtare “Bashkim e Çlirim”, në të cilin do të marrë pjesë edhe Papa Leoni XIV. Kreu i Fondacionit: "Afirmimi i madhështisë së njeriut dhe të dinjitetit të tij, vetëdija se kufizimet nuk e mbytin, por përkundrazi e shtyjnë atë në një dialog me amshimin, reflektimet mbi domethënien e punës dhe të kërkimit, urgjenca e komunikimit, që nxit përmasën relacionale të njeriut" janë tema që na takojnë

Vatican News

 "Vizita e Papës Leoni XIV do të jetë në qendër të Takimit të Riminit 2026. Pjesëmarrja e tij është burim gëzimi të madh": kështu pohon Bernhard Scholz, presidenti i Fondacionit të Takimit, i cili paraqiti në Romë edicionin e këtij viti, të 47-tin, që mbahet nga 21 deri më 26 gusht. Titulli do të jetë "Dashuria që lëviz diellin dhe yjet e tjera", vargu i fundit i Komedisë Hyjnore të Dante Alghieri-t. Kalendari i ngjarjeve përfshin debate, ekspozita, shfaqje artistike, veprimtari kulturore, turne sportive dhe ngjarje për të rinjtë, me transmetim të drejtpërdrejtë në platformat ëeb në gjuhë të ndryshme. Konkretisht, do të ketë më se 150 konferenca me afërsisht 500 relatorë italianë dhe ndërkombëtarë. Programi kulturor përfshin edhe 13 ekspozita dhe 13 shfaqje.

Papa do të takohet me popullin e Takimit të Riminit

Sipas Scholz, Papa do të takohet me "të gjithë pjesëmarrësit në Takim: fëmijë, të rinj, studentë, familje të rinj dhe të moshuar. Të gjithë do të kenë mundësinë ta përshëndesin përgjatë rrugës përmes pavioneve të Panairit". Prandaj, "qëllimi i shprehur në titullin e këtij Takimi - “Dashuria që lëviz diellin dhe yjet e tjera” - ka gjetur vendin, reflektimin dhe zgjerimin e horizontit në enciklikën Magnifica Humanitas të Atit të Shenjtë. Disa tema, që Papa Leoni XIV i thekson në enciklikë, do të lidhen me ngjarje të ndryshme në Takim, si: pohimi i madhështisë së njeriut dhe i dinjitetit të tij, vetëdija se kufizimet e tij nuk e mbytin atë, por përkundrazi e shtyjnë në një dialog me amshimin, reflektime mbi kuptimin e punës dhe të kërkimit, si edhe urgjenca e komunikimit, që nxit përmasën relacionale të njeriut".

Një takim për të shëruar plagët e terrorizmit

Pra, në qendër do të jenë çështjet kryesore ndërkombëtare, politike, ekonomike dhe kulturore, si edhe dialogu ndërfetar. Takimi i parë do të mbahet më 21 gusht në orën 12.00 dhe do të paraqesë dëshminë e dy grave – në dy fronte të kundërta – që u prekën nga tragjedi të mëdha, por zgjodhën rrugën e dialogut. Dhimbja e tyre u shndërrua kështu në një udhëtim të përbashkët vëllazërimi dhe shprese. Roseline Hamel përjetoi humbjen e të vëllait meshtar, Jacques, në atentatin tragjik në Saint-Étienne-du-Rouvray në vitin 2016, ndërsa Nassera Kermiche është nëna e njërit prej atentatorëve.

Një sallë me 10.000 vende për të dëgjuar Leonin XIV

Por momenti më i pritur do të jetë përqafimi me Papën, më 22 gusht, duke filluar nga ora 15.00. Një sallë madhështore me 10.000 vende është përgatitur për këtë rast e Papa Leoni XIV do të flasë në orën 16.00, duke u dëgjuar njëkohësisht në të gjitha sallat dhe sektorët e Panairit. Papa do të vizitojë edhe pavionet e Takimit, duke u dhënë mundësi të gjithëve ta përshëndesin.

Shifrat e Takimit të Riminit

Për të gjitha këto, do të jetë themelor kontributi i vullnetarëve, të cilët janë shtylla kurrizore e vërtetë e Takimit të Riminit. Do të mblidhen më se tre mijë vullnetarë nga Italia dhe jashtë saj, një forcë rinore e përbërë në masën prej 58% nga të rinj nën moshën 30 vjeç. Për Mitingun do të zihet një sipërfaqe prej mbi 140.000 metrash katrorë në Panairin e Riminit, 16% më shumë në krahasim me vitin 2025. Një rritje edhe më e rëndësishme do të shihet në hapësirën e ekspozitës, e cila do të arrijë në 12.000 metra katrorë (50% më shumë krahasuar me vitin 2025). Vendet, ku do të shërbehet ushqimi do të shtohen me 20%, ndërsa libraria do të zërë një hapësirë ​​prej 1.000 metrash katrorë. Takimi do të mbetet i hapur çdo ditë deri në mesnatë, plotësisht falas.

09 korrik 2026, 16:21