Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriarku i Jeruzalemit, gjatë vizitës së tij në Abacinë e Shën Benediktit në Monte në Norcia, Itali Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriarku i Jeruzalemit, gjatë vizitës së tij në Abacinë e Shën Benediktit në Monte në Norcia, Itali

Kard. Pizzaballa: të ndërtojmë së bashku paqen me metodën e Shën Beneditit

Patriarku latin i Jeruzalemit kard. Pizzaballa mori dje, më 11 korrik, në Norcia, Itali, Çmimin Ndërkombëtar Shën Benediti, nën patronazhin e Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian. Në fjalimin e tij ai kujtoi se në Lindjen e Mesme pojetohet një periudhë tranzicioni. "Në këtë pasiguri, nuk duhet të tërhiqemi në jetën private, por – pohoi ai – duhet të krijojmë themelet për rindërtimin" dhe për rilindjen e njerëzve në integritet të plotë.

Vatican News

Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriarku Latin i Jerusalemit, u nderua më 11 korrik në qytetin italian Norcia me Çmimin Ndërkombëtar “Shën Benedikti”, një vlerësim i mbështetur nga Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian. Ky çmim iu dha për angazhimin e tij të vazhdueshëm në promovimin e paqes, dialogut dhe pajtimit në Tokën e Shenjtë, e cila prej vitesh përballet me luftëra, dhunë dhe tensione të vazhdueshme.

Gjatë fjalës së tij, kardinali Pizzaballa përshkroi gjendjen dramatike në Lindjen e Mesme, duke theksuar se rajoni po kalon një periudhë të gjatë tranzicioni, të mbushur me pasiguri, konflikte dhe vuajtje. Ai bëri një krahasim mes shkatërrimit të Gazës dhe tërmetit që goditi Norcian në vitin 2016. Sipas kardinalit Pizzaballa, në Gaza rreth 80% e shtëpive janë shkatërruar, së bashku me infrastrukturën dhe jetën shoqërore. Megjithëse bombardimet mund të kenë rënë në intensitet, plagët e luftës vazhdojnë të ndikojnë çdo ditë në jetën e njerëzve.

Kard. Pizzaballa theksoi se në kohë krizash nuk duhet të mbizotërojë dorëzimi apo tërheqja në jetën private. Përkundrazi, është e domosdoshme të krijohen themelet për rindërtimin jo vetëm të qyteteve dhe institucioneve, por edhe të vetë njeriut dhe pastaj foli për nevojën e rikthimit të dinjitetit njerëzor, të marrëdhënieve të shëndosha dhe të besimit të ndërsjellë, duke e konsideruar këtë si kushtin kryesor për një paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme.

Patriarku Pizzaballa ftoi të gjithë të ndjekin atë që ai e quajti “metoda e Shën Benediktit”. Kjo metodë nënkupton ndërtimin e paqes me durim, përgjegjësi dhe përkushtim, duke mos u dorëzuar përballë vështirësive. Ashtu si Shën Benedikti kontribuoi në rindërtimin shpirtëror dhe kulturor të Evropës pas rënies së Perandorisë Romake, edhe sot nevojiten njerëz që të ndërtojnë ura mirëkuptimi dhe shprese në një botë të përçarë.

Sipas kardinalit Pizzaballa, dialogu nuk mund të kufizohet në thirrje të përgjithshme për harmoni, po ai duhet të bazohet në dëgjimin e sinqertë të tjetrit, në respektimin e vuajtjeve të çdo viktime dhe në kërkimin e drejtësisë. Vetëm një dialog i tillë mund të çojë drejt pajtimit të vërtetë. Në këtë kuadër, kardinali Pizzaballa theksoi rolin e Kishës katolike si një hapësirë ku promovohen pajtimi, falja dhe drejtësia, pa e konsideruar askënd armik.

Një rëndësi të veçantë kardinali Pizzaballa i kushtoi dialogut ndërfetar. Ai tha se ky dialog duhet të rifillojë me forcë të re dhe të mos mbetet vetëm në nivelin e udhëheqësve fetarë apo politikë. Sipas tij, komunitetet dhe veçanërisht të rinjtë duhet të jenë protagonistët e këtij procesi, sepse paqja nuk është vetëm mungesë e luftës, por një kulturë që ndërtohet përmes edukimit, bashkëpunimit dhe zgjedhjeve konkrete në jetën e përditshme.

Në fjalimin e tij, kardinali Pizzaballa ndau edhe disa përvoja që i japin shpresë. Ai tregoi se gjatë një vizite në Universitetin e Gazës kishte takuar rreth 600 studentë, të cilët shfaqën interes të madh për dialogun dhe refuzuan qartë dhunën. Po ashtu, gjatë një konference për paqen në Izrael, shumë të rinj shprehën dëshirën për të lënë pas konfliktet dhe për të ndërtuar një paqe afatgjatë. Këto takime, sipas tij, dëshmojnë se brezi i ri mbetet burimi më i madh i shpresës.

Gjatë ceremonisë u theksua se ky çmim nuk është vetëm një nderim për kardinalin Pizzaballa, por edhe një thirrje për ndërgjegjen e të gjithë komunitetit ndërkombëtar. Përfaqësues të institucioneve civile, kishtare dhe evropiane nënvizuan se paqja nuk mund të ndërtohet me forcë ushtarake, por vetëm përmes dialogut, solidaritetit dhe respektit për dinjitetin e çdo njeriu.

Ndër propozimet konkrete të paraqitura gjatë takimit ishte mbështetja për rihapjen e një shkolle të Patriarkanës Latine në Gaza, përmirësimi i informimit mbi situatën reale në rajon, si dhe krijimi i një rrjeti ndërkombëtar personash dhe komunitetesh që të punojnë për edukimin për paqe, promovimin e solidaritetit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Ceremonia u përmbyll me një mesazh të fortë shprese dhe uniteti. Lidhja mes qytetit të Norcias, e cila po rindërtohet pas tërmetit të vitit 2016, dhe Tokës së Shenjtë, e plagosur nga lufta, u paraqit si simbol i besimit se edhe pas shkatërrimeve më të mëdha është e mundur të rilindë jeta. Ky mesazh u përforcua edhe nga interpretimet artistike të një këngëtareje palestineze dhe një artisti izraelit, të cilët së bashku dëshmuan se arti, dialogu dhe besimi mund të bëhen ura të vërteta paqeje.

13 korrik 2026, 10:39