Kërko

2026.07.09 Cardinale Pizzaballa Venezia

Kard. Pizzaballa: duhet kohë për të shëruar plagët, që të punojmë për paqen

Përfundoi sot, më 9 korrik, qëndrimi dy-ditor i Patriarkut Latin të Jerusalemit në Venedikt ë Italisë, ku paraqiti dëshminë e tij mbi situatën në Tokën e Shenjtë. Vizita u zhvillua në qendrën historike të qytetit dhe në Jesolo, duke përfunduar me meshën në Bazilikën e Zojës së Shëndetit. Thirrja e tij: "mbajini reflektorët e ndezur mbi rajonin"

Vatican News

 "Koha për të arritur pajtimin do të zgjasë shumë. Por edhe pse jemi pak, nuk do të dorëzohemi kurrë para luftës dhe shkatërrimit". Ky është mesazhi i kardinalit Pierbattista Pizzaballa gjatë vizitës së tij në Patriarkatin e Venedikut. Patriarku Latin i Jerusalemit ndenji në qytetin italian dy ditë, që përfshinë edhe takimet në Jesolo, në bregdetin e Adriatikut. "Mendoj", pohoi kardinali, "se bota mund të ndahet në dy grupe: ka nga ata që ankohen, protestojnë dhe bëjnë kërkesa verbale – duhen dëgjuar, por t'i lëmë në punën e tyre - dhe pastaj ka nga ata që kanë në zemër dëshirën për paqe, harmoni dhe bashkim. Ky do të jetë gurthemeli për fillimin e rindërtimit ,kur konflikti do të marrë fund plotësisht. Është e rëndësishme që të ketë njerëz gati të marrin përsipër rreziqe, në mënyrë që fjala e fundit të mos jetë urrejtje, pakënaqësi apo hakmarrje, por paqe: një paqe e vërtetë dhe e frytshme".

  (© Alvise Sperandio)

Projekti i shkollës në Gaza

Në takimin me gazetarët, kardinali shpjegoi se "pavarësisht nga armëpushimi, situata mbetet jashtëzakonisht serioze. Në Gaza kanë mbetur 541 të krishterë. Ata kanë humbur gjithçka. Problemi më serioz është mungesa e infrastrukturës. Njerëzit jetojnë në tenda, pa kanalizime, të pushtuar nga minjtë që i kafshojnë". Pizzaballa shtoi: "Gjatë luftës, mbijetonim. Tani, lindin shumë pyetje: kur do të mbarojë? Çfarë do të bëhet me ne? Mjekët na thonë se fëmijët kanë nevojë për mbështetje psikologjike: të gjithë janë të traumatizuar.

Ka një atmosferë mosbesimi ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, ku të gjithë ndihen të kërcënuar. Është shumë e vështirë të kuptohet nëse dhe si do të mbarojë dhe çfarë na pret në të ardhmen. Kemi filluar të rindërtojmë një shkollë në Gaza, sepse arsimi duhet të jenë përparësi. Kemi 500 fëmijë të regjistruar dhe duam ta dyfishojmë këtë numër. Japim mësim, por shpërndajmë edhe ushqime dhe përpiqemi të rikrijojmë bashkësinë". Sipas kardinalit, "ndërsa ka pak shenja shprese nga institucionet, shumë nisma po dalin nga shoqëria civile. Duhet t'i kultivojmë, veçanërisht ato që vijnë nga të rinjtë. Në zgjedhjet e ardhshme, pas verës, të shohim se kush fiton. Në këtë atmosferë, mund të lindë tundimi për t'u mbështetur te një njeri i fortë. Hamasi nuk është aq popullor; ka dëshirë për ndryshim. Por situata është e tillë, që s’mund të bëhen parashikime".

 Pas tensioneve të muajve të fundit për shkak të ndalimit të kremtimeve të Pashkëve, Pizzaballa deklaroi se "marrëdhëniet me qeverinë tani janë të rregullta. Ka pasur keqkuptime, por duhet t'i mbajmë kanalet hapur dhe të ecim përpara për të mirën e përbashkët. Shpresa për paqe mund të fillojë me shoqërinë civile, me angazhimin e të gjithëve për të ndërtuar diçka të bukur dhe të vërtetë. Gjuha e dhunës krijon përjashtim, refuzim dhe konflikt".

  (© Alvise Sperandio)

Të mos shuhet vëmendja për Tokën e Shenjtë

Venediku po e ndihmon Patriarkatin për ndërtimin e shkollës e, kardinali Pizzaballa e falënderoi bashkësinë e besimtarëve të qytetit lagunar, edhe gjatë kremtimit të meshës në Jesolo, ditën e djeshme. "Mësohemi me gjithçka – vuri në dukje ai në takimin e mëpasëm me popullsinë - madje edhe me një jetë në konflikt. Duhet ta shohim realitetin. Lufta nuk do të mbarojë shpejt; përkundrazi. Por a kemi ne, si Kishë, diçka për të thënë? Çfarë mund të bëjmë për të ndryshuar gjërat? Duhet të fillojmë të flasim për faljen dhe pajtimin. Dhe gjëja e parë që duhet të bëjmë është ta dëgjojmë njëri-tjetrin". Kardinali vazhdoi: “Nuk është e vërtetë që gjithçka lejohet, që kur luftoj për mbijetesë mund të bëj çdo gjë.

Jo gjithçka është e humbur; ka shumë njerëz, që dorëzohen dhe humbasin rrugën. Dehumanizimi ka rrezik të çojë në shkatërrim. Ka plagë të thella, që duan shumë kohë për t’u shëruar; ne duhet të punojmë për jetën. Zoti na kërkon të jemi bashkë. Çfarë mund të bëjmë? Duhet të flasim për ç’po ndodh në Tokën e Shenjtë, ta mbajmë vëmendjen e njerëzve të përqendruar dhe mbi të gjitha, si besimtarë, të lutemi. Në një kohë kur duket se të mëdhenjtë e botës po vendosin për fatin e njerëzimit - përfundoi ai - të gjithë duhet të kujtojmë se të lum janë të butët, që do ta trashëgojnë tokën. Sepse janë të butët e sotëm ata, që do të ndërtojnë të ardhmen, nesër”.

09 korrik 2026, 17:15