Kërko

Montecassino Montecassino

Drejt Jubileut 2029 per 1500-vjetorin e Montecassino-s: faqe interneti per te ecur me shën Benediktin

Në vitin 2029 familja benediktine do të kremtojë Jubileun me rastin e 1500-vjetorit të themelimit të Abacisë së Montekasinos nga Shën Benedikti në vitin 529. Nisma do të përfshijë manastiret dhe bashkësitë benediktine në mbarë botën në një rrugëtim shpirtëror dhe kulturor, me synimin për të rizbuluar aktualitetin e karizmës benediktine, e cila bazohet në lutje, në jetën në bashkësi, në studim dhe në punë

Vatican News

Merr formë rruga drejt Jubileut Benediktin të vitit 2029, që do të kremtojë 1500-vjetorin e themelimit të Abacisë së Montecassino nga Shën Benedikti në vitin 529. Kjo ngjarje globale do të përfshijë të gjithë familjen benediktine dhe do të jetë një rrugëtim shpirtëror dhe kulturor me shumë faza, me qëllim rizbulimin dhe aktualizimin e karizmës benediktine.

Ndër nismat kryesore është krijimi i faqes zyrtare të Jubileut, në disa gjuhë (www.jubilee.osb.org), ku gjenden informacione mbi manastiret, veprimtaritë dhe mundësitë për shtegtim. Në të paraqitet historia dhe përhapja e monakizmit benediktin, lindur në Evropë dhe zhvilluar më pas në Amerikë, Afrikë dhe në rajonin Azi-Paqësor falë veprimtarisë misionare. Motoja “Ora et labora” (“Lutu dhe puno”) vazhdon të frymëzojë shumë njerëz edhe sot.

Gjatë paraqitjes së faqes së internetit të Jubileut, Abati primat, dom Jeremias Schröder, theksoi se ai nuk do të jetë një ngjarje e përqendruar në një vend të vetëm, por një rrugëtim i përbashkët ku do të marrin pjesë manastire, bashkësi dhe besimtarë përmes nismave lokale.

Montecassino
Montecassino

Katër etapat e rrugëtimit jubilar

Rrugëtimi jubilar nisi më 25 prill në Norçia të Italisë, vendlindja e Shën Benediktit dhe e Shën Skolastikës (motra binjake e Shën Benediktit), me pjesëmarrjen e murgjërve dhe murgeshave nga më se njëzet vende. Programi do të zhvillohet në katër etapa simbolike: “Zgjimi” (Norçia, 2026), “Dëgjimi” (Romë, 2027), “Rritja” (Subiako, 2028) dhe “Lulëzimi” (Montekasino, 2029).

Gjatë takimit të parë në Norçia, më 25 prill, abati, dom Benedetto Nivakoff, foli për temën e rilindjes, duke kujtuar se pas tërmetit të vitit 2016, bashkësia vendase e ringjalli shpresën përmes fesë. Kryeipeshkvi i Spoleto-Norçës, imzot Renato Boccardo theksoi rëndësinë e traditës benediktine si udhërrëfyese shpirtërore për Kishën dhe për njeriun e sotëm.

Kardinali Pizzaballa në Montecassino
Kardinali Pizzaballa në Montecassino   (ANSA)

Çmimi ndërkombëtar “Pacis Nuntius”  kardinalit Pierbattista Pizzaballa

Tema e Jubileut, “Vende shprese që nga viti 529”, vë në pah rolin e manastireve si hapësira lutjeje, mikpritjeje, vëllazërimi dhe ripërtëritjeje. Në Montecassino kremtimet do të pasurohen me veprimtari kulturore dhe fetare, ndër të cilat, jo më larg se më 11 korrik, dhënia e çmimit ndërkombëtar “Pacis Nuntius” Patriarkut të Jerusalemitt ë latinëve, kardinalit Pierbattista Pizzaballa, për angazhimin e tij në favor të paqes.

Faqja zyrtare ofron gjithashtu udhëzime praktike për shtegtarët: është e mundur të vizitohen manastire pranë, ose larg vendbanimit të secilit, të merret e ashtuquajtura “Pasaporta e Shtegtarit” ku mblidhen vulat e çdo manastiri a shenjtërore të vizituar dhe të organizohet udhëtimi individualisht, ose në grup, me çdo mjet transporti. Të gjitha informacionet për të organizuar shtegtimet gjenden pikërisht në faqen e internetit.

Kujtojmë se Konfederata Benediktine përfshin rreth 6.500 murgj në 400 manastire të ndara në 19 kongregata, si edhe rreth 12.000 murgesha e motra rregulltare. Së bashku me cisterçensët dhe trapistët, ata vazhdojnë të jetojnë sipas Rregullës së Shën Benediktit, e cila prej pesëmbëdhjetë shekujsh mbetet udhërrëfyese shpirtëror për miliona besimtarë.

13 korrik 2026, 12:25