Kërko

2020.02.07 Intelligenza artificiale uomo cooperazione etica PASS Paglia

Çelësi i fjalëve të Kishës: përgjegjësia, transparenca dhe administrimi i IA

Ashtu si autori i një vepre artistike, ose letrare, është i detyruar të marrë parasysh vlerat që ajo shpreh, po ashtu edhe zhvilluesit e IA-së janë të thirrur t’i trajtojnë me seriozitetin e duhur vlerat që përfshijnë në projektet e tyre: me transparencë, me përgjegjësi dhe duke verifikuar që rezultati të jetë pasuri dhe e mirë për të gjithë

Vatican News

Përdorimi i Inteligjencës Artificiale – argument i enciklikës “Magnifica Humanitas” të Papës Leoni XIV, të cilën e kemi marrë në shqyrtim gjatë këtyre emisioneve të fundit - nuk është kurrë një fakt thjesht teknik: kur hyn në procese, që ndikojnë mbi jetën e njerëzve, ajo prek të drejta, mundësi, reputacion, liri. Vendime delikate, që kanë të bëjnë me punën, kredinë, mundësinë për shërbime dhe me reputacionin e personave ka rrezik t’u besohen plotësisht sistemeve të automatizuara, të cilat nuk e njohin «dhembshurinë, mëshirën, faljen dhe, mbi të gjitha, shpresën se njeriu mund të ndryshojë». Kështu, ato mund të prodhojnë forma të reja përjashtimi. Këtë denoncon Ati i Shenjtë në kapitullin e tretë të enciklikës, prandaj, sot shqyrtojmë pikërisht përgjegjësinë e transparencën, që kërkon administrimi i Inteligjencës Artificiale nga njeriu. Ky i fundit mund ta përdorë atë kundër njerëzve të tjerë, për shembull, duke manipuluar informacionin, ose duke shkelur privatësinë, por mund të ketë edhe një rrezik më pak të dukshëm, kur sistemet e IA-së, duke u paraqitur si neutrale dhe objektive, pasqyrojnë dhe përforcojnë stereotipet e qëndrimet ideologjike të atyre, që i kanë projektuar.

Kush meriton dhe kush jo

T’i besosh, në fakt, një algoritmi pushtetin për të zgjedhur kush meriton dhe kush jo, pa përgjegjësinë për marrjen e vendimit, do të thotë t’i besosh atij detyrën për të ripërcaktuar kufijtë e mundësive njerëzore. Kështu, përjashtimi i më të dobtëve mbulohet me petkun e neutralitetit dhe të objektivitetit, para të cilit protesta bëhet e pamundur. Pra, Inteligjenca Artificale nuk është neutrale. Nëse një sistem konceptohet, ose përdoret në mënyrë të tillë që disa jetë të trajtohen si më pak të denja, ai nuk është një mjet i thjeshtë “për t’u përdorur mirë”, por vë në lojë një kriter, që bie ndesh me dinjitetin e patjetërsueshëm të njeriut. Prandaj, shoshitja etike nuk mund të kufizohet vetëm në pyetjen nëse e përdorim një sistem të caktuar për një qëllim të mirë, ose të keq, por edhe në pyetjen se si projektohet ai dhe cila ide mbi njeriun e shoqërinë përmbahet në të dhënat dhe në modelet, që e udhëheqin.

Përgjegjësia dhe dhënia e llogarisë

Që IA të respektojë dinjitetin njerëzor dhe t’i shërbejë vërtet së mirës së përbashkët, është thelbësore që të gjithë ata, që merren me të, të kenë përgjegjësi të qarta, por, në shumë raste, proceset në të cilat përfshihet Inteligjenca Artificiale e bëjnë të vështirë caktimin e përgjegjësisë dhe korrigjimin e gabimeve. Pikërisht këtu bëhet vendimtare ajo që quhet accountability, domethënë llogaridhënie: mundësia për të identifikuar kush duhet të “japë llogari” për vendimet, t’i arsyetojë, t’i kontrollojë dhe, kur është e nevojshme, t’i kundërshtojë dhe të riparojë dëmet, që rrjedhin prej tyre.

Morali i sistemit nuk mund të vendoset nga pak vetë

E këtu lind një problem tjetër, denoncon Papa Leoni XIV. Ai, që kontrollon IA-në nuk mund të imponojë vizionin e vet moral, që bëhet më pas infrastruktura e padukshme e sistemeve. Morali i sistemit nuk mund të vendoset nga pak vetë. Na duhet një politikë më e pranishme, e aftë të ngadalësojë aty ku gjithçka përshpejtohet dhe të mbrojë hapësirat ku bashkësitë mund ende të marrin pjesë dhe të diskutojnë. Siç ndodh me çdo kthesë të madhe teknologjike, IA priret të shtojë sidomos pushtetin e atyre, që i kanë tashmë burimet ekonomike, kompetencat dhe të dhënat e duhura. Grupe të vogla, por me pushtet, mund të orientojnë informacionin dhe konsumin, të kushtëzojnë proceset demokratike dhe të ndikojnë mbi dinamikat ekonomike për përfitimin e tyre, duke iu kundërvënë drejtësisë shoqërore dhe solidaritetit mes popujve. Prandaj, përdorimi i IA-së duhet shoqëruar me kritere të qarta dhe kontrolle të frytshme, të frymëzuara nga pjesëmarrja dhe subsidiariteti. Për më tepër, pronësia e të dhënave nuk mund t’u besohet vetëm privatëve, por duhet të normëzohet. Ato janë fryt i kontributit të shumë njerëzve dhe nuk mund të shiten, ose t’u besohen pak vetave.

Çarmatosja e Inteligjencës Artificiale

Parimet e Doktrinës shoqërore të Kishës na ndihmojnë ta interpretojmë edhe këtë realitet të ri. Kisha flet për të mirën e përbashkët, për destinacionin universal të pasurisë, për subsidiaritet, për solidaritet, për drejtësi. Papa përdor edhe një fjalë, që e ka fort për zemër: “çarmatosje”. Të çarmatosësh IA-në do të thotë ta largosh nga logjika e konkurrencës së armatosur, që sot nuk është më vetëm ushtarake, por ka të bëjë edhe me ekonominë e me fushën e dijes. Është gara për algoritmin më të mirë dhe për bankën më të madhe të të dhënave, me qëllim përparësinë gjeopolitike a tregtare mbi gjithë të tjerët. Të çarmatosësh nuk do të thotë të heqësh dorë nga teknologjia, por ta pengosh atë të sundojë njerëzoren. Do të thotë të mos e bësh atë pjesë të monopoleve, ta bësh të diskutueshme, të kundërshtueshme dhe, për këtë arsye, të banueshme nga kultura njerëzore.

Thirrja për zhvilluesit e Inteligjencës Artificiale

Leoni XIV u bën një thirrje të veçantë atyre, që zhvillojnë inteligjencat artificiale. Risia teknologjike mund të jetë, në njëfarë mënyre, forma njerëzore e pjesëmarrjes në aktin hyjnor të krijimit. Ashtu si autori i një vepre artistike, ose letrare, është i detyruar të marrë parasysh vlerat që ajo shpreh, po ashtu edhe zhvilluesit e IA-së janë të thirrur t’i trajtojnë me seriozitetin e duhur vlerat që përfshijnë në projektet e tyre: me transparencë, me përgjegjësi dhe duke verifikuar që rezultati të jetë pasuri për të gjithë.

16 korrik 2026, 09:02