2026.06.22 Intelligenza artificiale

Çelësi i fjalëve të Kishës: Papa Leoni XIV dhe Inteligjenca Artificiale

Cili është ndikimi i Inteligjencës Artificiale në shoqërinë e sotme? Në enciklikën “Magnifica Humanitas”, Papa Leoni XIV reflekton mbi udhën, që duhet të ndjekë njerëzimi për të vazhduar të mbajë në duart e veta frenat e risive teknike, pa ia lënë përgjegjësinë teknologjisë pa shpirt

Vatican News

Në vijim të ciklit mbi Doktrinën Shoqërore të Kishës, vijojmë të flasim mbi enciklikën e Papës Leoni XIV “Magnifica Humanitas”. Sot, do të hyjmë më hollësisht në konceptin e Inteligjencës Artificiale, sipas Atit të Shenjtë, i cili nuk i vë vetes qëllimin për të bërë ndonjë enciklopedi mbi këtë teknologji të re, por dëshiron të rikujtojë disa elemente thelbësore për një shoshitje morale e shoqërore, që ruan përparësinë e personit. Duhet të jetë gjithmonë inteligjenca njerëzore, me ndërgjegjen dhe lirinë e saj, ajo që udhëheq risitë teknike dhe përcakton me përgjegjësi përdorimin dhe kufijtë e tyre, thekson Papa.

Nuk është e mundur të jepet një përkufizim i vetëm dhe i plotë i IA

Ati i Shenjtë niset nga dy konsiderata: e para është se çdo pohim mbi IA mund të bëhet i vjetruar brenda pak kohe, për shkak të shpejtësisë mbresëlënëse të zhvillimit të këtyre sistemeve. E dyta është se të gjithë ne, përfshirë ata që i projektojnë, dimë pak për funksionimin e tyre të vërtetë. Inteligjencat artificiale moderne janë në të vërtetë më shumë “të kultivuara” sesa “të ndërtuara”: zhvilluesit nuk projektojnë drejtpërdrejt çdo hollësi të tyre, por krijojnë një arkitekturë mbi të cilën IA “rritet”. Prandaj, nga njëra anë, është i nevojshëm thellimi i punës kërkimoro-shkencore, nga ana tjetër, ushtrimi i shoshitjes morale dhe shpirtërore.

Edhe pse, sipas Leonit XIV, nuk është e mundur të jepet një përkufizim i vetëm dhe i plotë i IA. Mund të pohojmë vetëm se kjo “inteligjencë” nuk mund të barazohet me atë njerëzore. Këto sisteme imitojnë disa funksione të inteligjencës njerëzore. Duke e bërë këtë, shpesh, e tejkalojnë atë për shpejtësi dhe gjerësi llogaritjeje, duke ofruar përfitime konkrete në fusha të shumta. E megjithatë, kjo fuqi mbetet e lidhur vetëm me përpunimin e të dhënave: të ashtuquajturat inteligjenca artificiale nuk jetojnë ndonjë përvojë, nuk kanë trup, nuk kalojnë përmes gëzimit dhe dhimbjes, nuk maturohen në marrëdhënie, nuk e dinë ç’do të thotë dashuri, punë, miqësi, përgjegjësi. Nuk kanë as ndërgjegje morale: nuk gjykojnë të mirën dhe të keqen e nuk bartin mbi vete peshën e pasojave. Mund të imitojnë gjuhë, sjellje, vlerësime, mund të simulojnë empati, por nuk e kuptojnë atë që bëjnë, pasi nuk kanë ndjenja. Edhe mënyra e tyre e të mësuarit është e ndryshme nga ajo e njeriut, pasi nuk bazohet në përvojën e jetës, e cila përfshin vendime, gabime, falje, besnikëri. Mësimi i IA është një përshtatje statistikore, duke u nisur nga të dhënat në dispozicion – përgjigje, që mund të jetë shumë e efektshme, por nuk nënkupton ndonjë zhvillim të brendshëm.

Një ndihmë e çmuar që kërkon kujdes

Pikërisht për këtë arsye, në enciklikën “Magnifica Humanitas”, Papa Leoni XIV e konsideron IA-në një ndihmë të çmuar, por që kërkon vigjilencë, sidomos pas shtimit të përdorimit të saj privat, gjatë viteve të fundit. Në përdorimin personal, Ati i Shenjtë vë në dukje tri aspekte, që duhet të mbahen parasysh: lehtësia për të arritur rezultatin, përshtypja se rezultati është objektiv dhe simulimi i komunikimit njerëzor. Shpejtësia dhe thjeshtësia me të cilat marrim përgjigje nga IA e thjeshtojnë jetën tonë, por mund të na mësojnë edhe të delegojmë tepër dhe të kërkojmë përgjigje të gatshme, duke e dobësuar gjykimin personal dhe krijimtarinë. Përshtypja se IA është objektive ka rrezik të na bëjë të harrojmë se përgjigjet e saj pasqyrojnë parametrat kulturorë të atyre, që i kanë projektuar, me të gjitha cilësitë dhe mangësitë përkatëse. Imitimi artificial i komunikimit njerëzor pozitiv mund të krijojë iluzionin se jemi në marrëdhënie me një subjekt personal të mirëfilltë, me ndjenja të vërteta. Natyrisht, është më lehtë të bisedosh me dikë, që nuk të kundërshton kurrë, por, duke sjellë si rezultat izolimin nga bota e vërtetë.

IA, vëren Papa, tashmë, është e pranishme në proceset vendimmarrëse në të gjitha fushat dhe në nivele të ndryshme: në komunikim, në administrim, në kontroll. Përfitimet prej përdorimit të saj janë të dukshme, megjithatë, pa sy kritik, ekspozohemi ndaj rreziqeve të ndryshme, ndër të cilat, edhe ai i nënvlerësimit të ndikimit të saj mjedisor. Sistemet e tanishme të IA kërkojnë sasi të mëdha energjie dhe uji, ndikojnë në mënyrë të rëndësishme në emetimet e dioksidit të karbonit dhe konsumojnë burime në mënyrë intensive, pasi kanë nevojë për një tërësi makinash, kabllosh, qendrash dhe infrastrukturash, që konsumojnë shumë elektricitet. Prandaj, vëren Papa, na duhen zgjidhje teknologjike më të qëndrueshme, për të zvogëluar ndikimin mbi ambientin dhe për të ruajtur Shtëpinë tonë të përbashkët.

09 korrik 2026, 09:59