2023.11.07 il Dio che dà la vita

Çelësi i fjalëve të Kishës: kufiri, zemra, madhështia e njeriut

Pyetja vendimtare mbetet ajo e Shën Gjon Palit II: IA «a e bën jetën njerëzore mbi tokë, në çdo aspekt të saj, “më njerëzore”? A e bën më “të denjë për njeriun”?». Nëse përgjigjja është “po”, atëherë mund të njohim në të mundësinë për ta përdorur me përgjegjësi, sipas modelit të rilindjes së Jerusalemit të treguar në librin e Nehemisë, përndryshe, gjendemi përballë një forme të re të Babelit: një ndërtim madhështor, por çnjerëzor

Vatican News

Marrëdhëniet tona me jetën duken sot në krizë. Gjithçka që duket si “kufizim” - paaftësia, sëmundja, pleqëria, vuajtja, brishtësia - priret të interpretohet para së gjithash si mangësi që duhet korrigjuar, më shumë sesa si vend ku njerëzorja maturohet dhe hapet ndaj marrëdhënieve. Duhet të kujtojmë se njerëzorja nuk lulëzon pavarësisht nga kufizimi, por shpesh përmes kufizimit. Nëse e shohim realitetin me syrin e fesë arrijmë të kuptojmë edhe atë, që e quajmë “rastësi”. Nga njëra anë, e kemi për detyrë të mos e lëmë njeriun të vuajë, por, nga ana tjetër, duhet ta kuptojmë se çdo njeri përmban në vetvete një kufi të fundëm, i cili, pavarësisht se na krijon kufizime, nuk ia humbet vlerën madhështisë së njerëzores.

Në emisionin e sotëm, duke reflektuar së bashku me enciklikën “Magnifica Humanitas” të Papës Leoni XIV, do të shqyrtojmë pikërisht këto marrëdhënie, në dritën e marrëdhënies themeltare me Hyjin. Në qenien tonë të kufizuar gjejnë hapësirë dhembshuria, shqetësimi i sinqertë përballë nevojave të të tjerëve, bujaria që befason edhe në mes të errësirës dhe dështimit, përvoja shpirtërore dhe adhurimi i Hyjit. Kur na ndodh diçka, që na bën t’i shohim me sy kufizimet tona, si kur vuajmë, kur na refuzojnë, kur përjetojmë paaftësinë, ose dështimin, në mënyrë të mistershme, pikërisht në këto rrethana mund të gjejmë një urti të re, të prekim me dorë dashurinë e personave dhe të përjetojmë praninë e Zotit. Ato përvoja, shkruan Ati i Shenjtë në enciklikë, na japin mësime, që jetojnë brenda nesh si plagë të mbyllura, kujtesë e rrugës së bërë mes lirisë dhe rënieve, ëndrrave dhe zhgënjimeve. Vetëm falë ndërthurjes së këtyre elementeve ndodhin në zemër ato mrekulli të shpirtit, që na bëjnë të shijojmë ëmbëlsinë më të thellë të qenies sonë njerëzore. Ndërkaq, teknika na propozon të tejkalojmë çdo lloj kufiri. Por a mund të mbetemi ende njerëz, nëse dimë të bëjmë më shumë nga pikëpamja teknologjike?

Historia e dëshira për të mirën

Papa jep disa shembuj. Njeriu shpiku dhomat e gazit të Auschwitz-it e, megjithatë, ishte në gjendje të hynte në ato dhoma gazi me lutjen e Zotit ose me Shemá Israel në buzë. Pikërisht sepse përjeton kufirin, cënueshmërinë, dhimbjen, dështimin, ai mund ta njohë dinjitetin e vet dhe të tjetrit si të pacënueshëm, të pranojë një vëllazërim më të madh se vetja dhe ta shohë padrejtësinë si skandal. Kultura dhe arti, kur janë të mirëfillta, e ruajnë këtë shkëndijë, duke penguar normalizimin e së keqes. Kështu disa vepra kanë marrë një vlerë pothuajse profetike: Simfonia e Nëntë e Beethoven-it si dëshirë për unitet; Guernica si denoncim i çnjerëzimit; Schindler’s List si ftesë për të mos ia dorëzuar të kaluarën harresës.

Historia nuk shfaqet vetëm si katalogu i dhunës sonë, por edhe si prova se njerëzorja di të krijojë institucione të afta ta mbrojnë jetën e përbashkët. Në to dëshira për të mirën kthehet konkretisht në forma publike, norma, institucione, praktika, të afta ta kufizojnë forcën dhe të mbrojnë të brishtët. Historia mund të ndryshojë kur edhe vetëm një burrë, ose një grua, e marrin vërtet seriozisht dinjitetin e të gjithëve: lëvizja për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e lidhur edhe me dëshminë e Martin Luther King Jr., ose fundi i aparteidit në Afrikën e Jugut pas lirimit të Nelson Mandelës dhe zgjedhjes së tij për të mos ia dorëzuar të ardhmen urrejtjes. Në kontekste të ndryshme janë dalluar gjithashtu gra të guximshme dhe bujare si Shën Laura Montoya, Shën Tereza e Kalkutës, Dorothy Day, Maria Skłodoëska-Curie, Maria Montessori, Elisabeth Elliot, Ëangari Maathai, Benazir Bhutto dhe shumë të tjera nga të gjitha kontinentet, të cilat me angazhimin e tyre kanë kontribuar për ta bërë historinë më njerëzore. E në të nuk mungojnë edhe martirët e fesë si Shën Maksimiljan Maria Kolbe, Shën Óscar Romero dhe i Lumi Enrique Angelelli, së bashku me dëshmitarë që kanë mishëruar, në kushte të ashpra dhe shpesh çnjerëzore, shpresën e Ungjillit dhe dinjitetin e njeriut, si i nderuari François-Xavier Nguyễn Văn Thuận.

Pikërisht këto shembuj përvijojnë një udhë për t’u ndjekur: ta zhvillojmë teknikën pa e bërë zemrën të kthehet prapa, arsyeton Papa Leoni XIV në enciklikën, që shqyrton sidomos ndikimin e mundëshëm të Inteligjencës Artificiale mbi njerëzimin, i cili – vëren Ati i Shenjtë - nuk duhet zëvendësuar as tejkaluar: ai mund t’i pranojë përparimet e teknikës për të lehtësuar vuajtjet dhe për të hapur mundësi të reja, me kusht që të mos e mohojë vetveten, të mos e mohojë aftësinë për marrëdhënie dhe për dashuri.

E vërteta “më shumë se njerëzore”: hiri dhe humanizmi i krishterë

Shprehja “më shumë se njerëzor” – që po përdoret, kur flitet për IA - nuk i përket vetëm gjuhës së premtimeve teknike. Prej shekujsh, tradita e krishterë pohon se qenia njerëzore nuk është e mbyllur brenda kufijve të natyrës së vet, por është e thirrur të tejkalojë vetveten: jo për t’u larguar nga realiteti ose për të përçmuar kufizimet e veta, por për t’u përmbushur në dashuri. Feja njeh një “përtej” që lind nga dhurata e Hyjit. Ky shndërrim është vepër e Shpirtit Shenjt. Kur e pranojmë këtë mundësi për të tejkaluar vetveten me hirin e Hyjit, nuk e mohojmë vetveten, nuk bëhemi më pak njerëzorë. Madje, një teknologji që klasifikon dhe optimizon atë që tashmë ekziston mund të bëhet, pa dashur, pengesë për ndryshimin dhe rritjen. Për një algoritëm, gabimi është diçka për t’u korrigjuar; për një person, mund të jetë fillimi i një ndryshimi të thellë. E ardhmja e një personi nuk është e llogaritshme, por i besohet lirisë së tij, dhuruar nga hiri hyjnor dhe nga lidhjet që kultivon.

Dy qytete dhe dy dashuri

Humanizmi i krishterë nuk e refuzon shkencën dhe teknikën, por i merr me mirënjohje e realizëm dhe i vendos “me këmbë në tokë” brenda një thirrjeje më të lartë. Inteligjenca krijuese e qenies njerëzore është dhuratë, që mund të lehtësojë vuajtjet dhe të hapë mundësi të reja, por ajo duhet të mbetet e orientuar drejt së mirës së përbashkët, drejtësisë, kujdesit për të brishtët dhe për krijimin. Në fund, pyetja vendimtare mbetet ajo e Shën Gjon Palit II: IA «a e bën jetën njerëzore mbi tokë, në çdo aspekt të saj, “më njerëzore”? A e bën më “të denjë për njeriun”?». Nëse përgjigjja është “po”, atëherë mund të njohim në të mundësinë për ta përdorur me përgjegjësi, sipas modelit të rilindjes së Jerusalemit të treguar në librin e Nehemisë, përndryshe, gjendemi përballë një forme të re të Babelit: një ndërtim madhështor, por çnjerëzor.

Shën Augustini e përshkruan historinë njerëzore si vend lufte mes dy dashurive, të cilat kanë ndërtuar dy mënyra për ta banuar botën dhe për të bashkëjetuar, dy “qytete”: nga njëra anë dashuria për Hyjin dhe për të afërmin, nga ana tjetër dashuria vetëm për vetveten. «Dy dashuri krijuan dy qytete: qytetin tokësor - dashuria për vetveten deri në përçmimin e Hyjit, qytetin qiellor - dashuria për Hyjin deri në përçmimin e vetvetes». Si në gjithë historinë njerëzore, edhe sot këto dy dashuri luftojnë në zemrën tonë për epërsi. Koha e IA nuk i shpëton kësaj rregulle: ndërtimi i Babelit, ose i Jerusalemit fillon në secilin prej nesh.

30 korrik 2026, 08:49