CHINA-TECHNOLOGY-AI

Çelësi i fjalëve të Kishës: gjithçka, që nuk duam ta humbasim

Arritjet e shkencës dhe të teknikës, të shkëputura nga përparimi moral dhe shoqëror, kthehen kundër njeriut, siç thoshte Papa shenjt Pali VI. Prandaj duhet dalluar qartë: a integrohen teknologjitë në një botëkuptim njerëzor, bazuar në marrëdhënie apo ato lejohen ta zhvlerësojnë kufirin njeri-makinë, në emër të një lloj “shëlbimi” vetëm teknik? Kjo është pyetja, që bën Papa Leoni XIV në enciklikën “Magnifica Humanitas”

Vatican News

Pasi rikujtuam çështjet e përgjegjësisë dhe të qeverisjes së Inteligjencës Artificiale, është e nevojshme të kthehemi te tema jonë qendrore: çfarë do të thotë të ruajmë njerëzoren? Kjo është pyetja, që bën Papa Leoni XIV në enciklikën “Magnifica Humanitas”, të cilën po e shqyrtojmë në këto emisione të së enjtes, në vazhdën e reflektimeve mbi Doktrinën Shoqërore të Kishës. Rreziku, vëren Ati i Shenjtë, nuk është vetëm që disa teknologji të përdoren keq, por që paradigma teknokratike në të cilën jemi zhytur, e fuqizuar nga revolucioni dixhital dhe nga IA, të bëjë që të duket i drejtë dhe normal një vizion kundërnjerëzor, sipas të cilit plotësia e jetës qëndron në pasuri më shumë, në brishtësi më pak, në eliminimin e të papriturave, në kontrollin mbi çdo gjë. Kur efikasiteti mat vlerën e dikujt, qenia njerëzore tundohet ta mendojë veten si një projekt për t’u optimizuar, më shumë sesa si një krijesë e thirrur në marrëdhënie dhe në bashkim.

Pushteti teknik, nëse nuk baraspeshohet, nuk na bën më të aftë

Në të vërtetë, absolutizimi i një përmase të vetme të njeriut është gjithmonë i gabuar. Kur një aftësi si inteligjenca pretendon të bëhet masë e gjithçkaje, kur ajo absolutizohet, errëson përmasa të tjera thelbësore të jetës: dashurinë, vullnetin, përkushtimin dhe marrëdhëniet. Pushteti teknik, nëse nuk baraspeshohet, nuk na bën më të aftë: na bën më të vetmuar dhe më të ekspozuar ndaj logjikave të sundimit dhe të përjashtimit. Natyrisht nuk bëhet fjalë për t’iu kundërvënë inteligjencës, por për të kujtuar se ajo, kur mbyllet në vetvete, harron se është bërë për t’i shërbyer jetës dhe njeriut.

Cilësia e një qytetërimi matet jo nga fuqia e mjeteve të tij, por nga kujdesi që di të ofrojë, nga aftësia për ta njohur tjetrin si fytyrë dhe jo si funksion. Aftësia për t’u kujdesur për njëri-tjetrin është përmasë e rëndësishme e qenies sonë njerëzore. Kjo aftësi mësohet dhe përsoset me përvojë. T’i lexosh përralla një fëmije, t’i bësh shoqëri një të moshuari, ta bësh një hapësirë mikpritëse, janë gjeste që jetohen në ambientin familjar, por që na ndihmojnë të mësojmë dhe ta përvetësojmë rëndësinë e kujdesit në nivel shoqëror dhe na ushtrojnë ta njohim tjetrin si person të denjë për vëmendje. Teknologjia mund ta mbështesë edhe kujdesin e ndërsjellë mes personave, për shembull, nëse ofron mjete, që ndihmojnë parashikimin dhe organizimin, por pa e zhveshur nga autoriteti lirinë dhe gjykimin e qenies njerëzore, subjekt i marrëdhënieve dhe përgjegjës për vendimet.

Transhumanizmi dhe posthumanizmi

Papa Leoni XIV analizon më pas dy rryma, që devijojnë nga ky këndvështrim dhe e shohin përparimin si tejkalim të njerëzores. Ato janë transhumanizmi dhe posthumanizmi, që nxisin entuziazmin për teknologjitë e reja me një vizion futurist të “njeriut të fuqizuar”, ose të “njeriut të hibridizuar” me makinën. Në përgjithësi, transhumanizmi imagjinon një fuqizim të qenies njerëzore përmes teknologjive (biomjekësi, inxhinieri e trupit, pajisje, algoritme), me aspiratën për të rritur aftësitë e tij. Posthumanizmi, sidomos në variantet e tij më radikale, shkon më tej: nuk e konsideron njeriun në qendër të gjithçkaje, por paraqet një formë hibridizimi mes qenies njerëzore, makinës dhe mjedisit, deri në përfytyrimin e kapërcimit të një pragu, pas të cilit njerëzimi hyn në një nivel të ri evolutiv.

Pika kritike e këtyre teorive, në dritën e Doktrinës shoqërore të Kishës, nuk është përdorimi i teknikës si i tillë, por botëkuptimi që qëndron poshtë saj: nëse qenia njerëzore trajtohet si material për t’u përsosur, atëherë bëhet më e lehtë të pranohet që disa të konsiderohen më pak të dobishëm, më pak të dëshirueshëm, më pak të denjë. Në emër të përparimit mund të arrihet deri aty sa të përfytyrohen “sakrifica të domosdoshme” dhe më të brishtëve t’u kërkohet të paguajnë çmimin e një optimizimi të supozuar të species. E pati thënë me largpamësi edhe Papa shenjt Pali VI: vërtet, arritjet e shkencës dhe të teknikës, të shkëputura nga përparimi moral dhe shoqëror, kthehen kundër njeriut. Prandaj duhet dalluar qartë: a integrohen teknologjitë në një botëkuptim njerëzor, bazuar në marrëdhënie apo ato lejohen të zhvlerësojnë kufirin njeri-makinë në emër të një lloj “shëlbimi” vetëm teknik? Këtë shoshitje do ta vijojmë në emisionin e ardhshëm.

23 korrik 2026, 09:21